‘Toka e djegur’ pa biznese e mirëqenie
Col Mehmeti
Në vitin 2014, Vetëvendosja u bë pjesë e përpjekjes më infamoze në histori për marrjen e pushtetit.
Mbi rrënojat e dështimit në zgjedhje, LDK-ja, AAK-ja e Nisma e shpallën besëlidhjen e tyre.
Në këtë solidaritet humbësish, edhe desperadot e Kurtit u kapën si i mbyturi në det kur gjen dërrasën e parë.
Por, Kurti me rrethin e ngushtë u vunë paksa në siklet për ta shitur këtë veprim frikacak para militantëve e anarkistëve të etur për gjak e shkatërrim.
“Nuk do të marrim ministri e poste”, iu thoshin celulave të tyre ekstremiste si për t’i qetësuar, “do ta marrim vetëm Administratën Tatimore për t’ia shkatërruar bizneset PDK-së”.
Shenjat e çmendurisë ishin gjatë gjithë kohës aty dhe u shpërfillën.
Një organizim gjysmëterrorist po e përshfaqte në mënyrë joambige projektin pervers për ta shkatërruar çdo fibër private të ekonomisë.
Vetëm një shkoqitje ose rrokjezim i kësaj ideje na ndihmon ta kuptojmë perversitetin e VV-së si vizion. Sipas kësaj bande, një institucion vital duhej të vihej në kontrollin e partisë ashtu që të shkatërrohej biznesi ‘armik’.
Nuk ishte këtu vetëm hakërrimi ideologjik i lleftistave toksikë kundër kujtdo që ka një minimum mirëqenie e pavarësie në jetë.
Si kulturë e errët gjithmonë kemi lënë nam për të urryer cilindo që ka më shumë se ne, cilindo që është më i zoti se ne dhe me duart e vet krijon kamje.
Tregimet tona popullore pas gunës së ‘zgjuarësisë’ kanë fshehur smirën, urrejtjen dhe shpifjen në kurriz të atij që ka.
Në thumb kanë qenë përherë zengjinët, agallarët e bejlerët – arat, kopshtijet e bashtinat e tyre shiheshin gjithë urrejtje nga ata që ishin si dhelpra e La Fontenit.
‘Zgjuarësia’ popullore harronte një gjë fare të thjeshtë.
Agallarë e zengjinë nuk ishin njerëz të dhjamosur që rastisën të kenë më shumë se të tjerët.
Nëse një udhëtar jabanxhi në shekullin e 19-të do të ecte mespërmes kësaj pjese të Shqipnís, ai fare lehtë mund të ajgëtonte diçka domethënëse.
Një agai a zengjini i pikonin sumbullat e djersës kur punonte tokën a prashiste nën diellin përcëllues.
Ja që kultura e errët popullore nuk e ka pranuar asnjëherë njeriun që bën kamje, por me lehtë i ka ardhur të bëhet zhul duke shpifur në kurriz të zengjinëve, agallarëve e pasunarëve.
Një parti vetëvrasëse si VV-ja nuk e kishte dhe as nuk e ka idenë sesi mbrothësohet ekonomikisht ky vend.
Ajo e ka më lehtë të ulet këmbëkryq me po të njejtën kulturë toksike e bashkë të shpifin e të urrejnë biznesin.
VV-ja për pesë vjet në pushtet, dhe tani e sapodegjeneruar në regjim, ka asgjësuar dhjetëra mijëra biznese të vogla e të mesme.
Oligarkët po i luftojmë, thonë.
Por cila është tabloja e vërtetë përtej fanfarave të regjimit albninkurtist?
Gjuha e shifrave nuk bën naze në ftohtësinë e saj tronditëse.
Nga 2020 deri më 2024, mbi 6700 biznese ia kanë vënë dryrin vetes.
Kjo i bjen që rekordi i shëmtuar është mbyllja e dy mijë bizneseve në vit.
Por kjo përbën sall njërën anë të medaljes.
Ana tjetër është se çmimi i lartë i rrymës dhe ndryshimet e përçudta për sa i përket furnizimit e bëjnë mjedisin e të bërit biznes praktikisht të pamundshëm.
Me inflacionin si darë, mungesat e tmerrshme në fuqi punëtore dhe burokracinë e amshtë alla-osmançe, biznesi nuk duket se ka jetë në këtë distopi albinkurtiste.