Të dhjerë, por megjithatë krenarë
Col Mehmeti
Sot kur u zgjuam në mëngjes u shkundëm nga mirazhi i meskiniteteve dhe ‘fitoreve’ tona fshatareske.
Mëngjesi pas një nate alkoolike është gjithmonë një nakatosje pendese e turpi të thellë me veten tonë.
Si t’i qëndrojmë me arsye këndelljes kur e kujtojmë atë hazdisje që mbrëmë na dukej aq kuptimplote?
Si t’i kuptimësojmë ato belbëzime budallenjsh me gjuhë të trashë e ato sjellje majmunçe?
Në 2027-n, pas çdo gjase, Mali i Zi dhe Shqipníja e bekuar anëtarësohen në BE dhe përfitojnë miliarda euro mbështetje si çipat më të rinj të Evropës.
Në ndërkohë kosovarët e shkretë do të festojnë me goma siç bënin dje të dalldisurit në Mitrovicë, disa të tjerë, duke shkuar ose duke u kthyer nga kurbeti, plot besim se po bëjnë kushedi çfarë vepre patriotike do të kërcejnë nga ura e Ujmanit pa frikë se mund ta thyejnë zverkun, Rifat Jashari në Prekaz do të kërcejë me dajre e lodra për arsye që kurrë nuk do t’i marrim vesh, por gjithmonë kur ia beh Albini në kullë, regjimi i Vetëvendosjes do të vazhdojë të ndajë sadakë nga paraja publike, vëllezërit Geci do të pallavrojnë çdo natë tregime fshatarçe, dhe mileti do t’i shtyjë ditët në beteja të përditshme kulturore.
Dhe voilà, jemi shoqëria më analfabete, më e pashpresë e më toksike në krejt Evropën.
Poeti zotni, Bardhyl Londo i ndjerë sikur ta kishte parandjerë gjëmën e kosovarëvet:
Mbaruan duartokritjet
thirrjet entuziaste,
u ulën krahët me “V”-të e gishtërinjve në erë.
Pastaj filloi shiu,
si për të na kujtuar se këpucët na fusnin ujë,
e lata e druve duhej prerë...
Shokët e mi, një brez i humbur, janë tridhjetë vjet e përpjetë.
Zbardhja e flokëve është e vetmja shenjë jogjuhësore, tamam fizike, e cila përpiqet të dëftojë se ata më nuk janë të rinj.
Koha e ka bërë të veten me dhëmbëzorët e saj që nuk ndalojnë kurrë, dhe ata dalëngadalë po zbresin në katin e mesmoshës.
Janë të papunë, dala e plastë, janë zibidi, janë njerëz të dështuar.
Por, në të njëjtën kohë janë super të kënaqur me regjimin, janë vullnetarë me vigjilencë 24-orëshe, dhe luftojnë me pasion revolucionar për secilin politikan të regjimit.
Sikur ta kishin një grimë nga ky vullnet për t’i dalë zot vetes, për të mos parazituar me pensionin e pleqve!
Derisa nga xhipat e zinj del fshatarçe Faton Peci i veshur shik, me këpucë fringo të reja, plot vezullim luksi, shokët e mi të vereniktë në fytyrë janë duke e bërë ndërrimin e natës në avokatinë e tyre pa pagesë për të e për secilin regjimist.
E si të mos ma kujtojë kjo një poezi juvenile të Eqrem Bashës kur një kalama bythe i lutej nënës së tij që t’i blinte një revole, pastaj një rrethore, një shpatë, një mburojë, e së, mbrami, edhe plumba. Dhe Basha vargëzon:
“Dhe mamaja ja bleu një shpatë, një revolver,
Një rrethore dhe një mburojë,
Dhe plumbat
për kokën e vet”.