Ta dashurosh mjerimin
Col Mehmeti
Është bërë tashmë një kallaballëk kritikash sesi partitë opozitare, për të zezën e vet, u bënë hisedare në fitoren absurde të Vetëvendosjes.
Në rrethanat e një aksidenti të sapondodhur, psikologjia njerëzore është e menjëhershme për të bërë me gisht targetet e para të dukshme.
Ashtu si rindërtimi forenzik i një aksidenti që i eliminon dyshimet e para, edhe një vramendje për çmendurinë e 28 dhjetorit, me shumë gjasë, sjell para nesh një tablo tjetërfare.
Rezultati i asaj zezëdite nuk shpjegohet kaq thjesht e vetëm me një keqperformim të partive shemra.
Opozita po, por...
Secili rezident, që Kosovën e jeton duke qëndruar në distopinë e saj, e ka përjetuar në lëkurë të vet rënien përtokë të gjithçkaje, varfërimin sistemik e sistematik, levelizimin e çdo shtrese, degjenerimin e arsimit e shëndetësisë, dhe shkatërrimin e vetëdijshëm të bizneseve në përputhje me logjikën antikapitaliste të lleftistëve.
Thjesht nuk lipsej kurrfarë interpretimi për këtë ferr, dhe robi i Perëndisë mund t’i bënte hesapet me kokë të vet sa kohë e përjetoi mjerimin.
Kjo është një nga arsyet pse ulurima që opozita nuk e kreu detyrën e vet opozitariste nuk është mbushamendëse gjer në fund.
Ka diçka që nuk adresohet sa e si duhet nga frika jonë për ta sfiduar veten e behanet tona.
Çmenduria tash e pesë vite ka qenë komplementare ku bashkëfajtorë janë thuajse njësoj regjimi dhe shoqëria.
Së paku për mua, është e paqartë se ku janë linjat demarkuese mes ligësisë së njërës dhe tjetrës palë.
Një pushtet a regjim që e manipulon një shoqëri është një bindje që bashkëndahet gati nga secili prej nesh.
Por, pak vetë janë në gjendje ta konceptojnë të kundërtën e kësaj, domethënë kur edhe vetë shoqëria, ose pjesë të numërta të saj, e manipulojnë pushtetin.
A guxojmë, pra, të themi shqip se shoqëria është po kaq manipuluese sa vetë pushteti?
Moho realitetin, jeto La La Land-in
Në këto vite teposhtëze kolektive, një pjesë e madhe e publikut e ka tejkaluar regjimin albinkurtist për nga shkalla e perversitetit, urrejtes e veprimeve të çmendura.
Kostoja e kësaj do të paguhet shumë kohë më vonë.
Sepse kjo do ta krijojë, në terma largvajtës, një kulturë e moral të pistë shoqëror që shtetin dhe pushtetin i sheh sipas kontratave manipuluese.
Shtetit dhe pushtetit i jepet servilitet e besnikëri me okë vetëm nëse prej tyre merret garanca se do të shfaroset një grup i caktuar politik, social a kulturor.
Kjo, me tahmin, mund të jetë vetëm njëra nga shumë përgjigjjet pse njerëzia ka arritur në një shkallë të tillë denializmi, ku është në gjendje ta mohojë plotësisht mjerimin e pashpresën, dhe në të njëjtën kohë fajtorin të mos e gjejë te pushteti, por te rivalët e supozuar të tij.
Për sa fshihet dielli me shoshë aq edhe mund të fshihet e vërteta e kësaj shëmtie të kudondodhur shoqërore.
Një shoqëri e tërë ka qenë autore në shumë nga keqbërjet ndaj këtij vendi.
Dhe një prej tyre ka qenë shndërrimi i Albinit në këtë që është: i pasens, sharlatan, farsikal, arrogant e grandoman.
Ferma e Gjâve
Shumica nga ne vazhdojmë ta lexojmë bythëprapë Fermën e Gjâve të Orwellit me bindjen se me një të lexuar e kemi kapur ajthin e tij.
Ne e dallojmë vetëm alegorinë e trashë ku kafshët në rebelimin e tyre ndaj njerëzve bien prapë nën zullumin e disa kafshëve më të zgjuara, si derrat.
Sidoqoftë, simbolizma më e rëndësishme e Fermës së Gjâve është ajo që nxjerr krye në pak rreshta, si xixëllimë çasti, në fund të librit.
Aty derrat katërkëmbësh, si sundimtarë që janë, evolucionohen krejt papritur dhe nisin të ecin si njerëzit me dy këmbë.
Një antropomorfizim i derrave!
Mjerimi i kafshëve nuk është kur vunë në krye derrat që premtuan çlirimin nga dushmani njeri, por kur e panë fare të natyrshme se derrat vërtet mund të ecin si njerëzit e t’iu shëmbëllejnë atyre edhe në pamje fizike.
Albini ynë, në fermën tonë, u projektua marrëzisht me ato gjëra që shoqëria vijon të mos i ketë ose t’i ketë mangut.
Njerëzia në jetën e përditshme bën kompromise, nuk cakërrohet, shmang belatë, por ja që në krye dëshiron ta ketë një udhëheqës kopeje që ngulmon mushkërisht me ‘Jo’, që nuk e dëgjon Perëndimin, që bërlyket e cakërrohet me brirë me të.
Si një njeri i vogël që është, edhe vetë Albini patjetër se rrëmbëhet nga bindja se fuqia e deleguar nga Ferma do të jetë e mjaftueshme për t’u imponuar para botës.
Por, entuziazmi e trallisja nuk zgjat përgjithmonë, madje as në fermën e gjâve.
Siç vargëzonte dikur poeti jetëndërruar Bardhyl Londo: “Mbaruan duartokritjet/ thirrjet entuziaste,/ u ulën krahët me ‘V’-të e gishtërinjve në erë./ Pastaj filloi shiu,/ si për të na kujtuar se këpucët na fusnin ujë, /e lata e druve duhej prerë...”
Dhe sot ai vërtet ndjehet si robi më i vetmuar në fermë.
Majmunët me goma nuk ndihmojnë
Besimi e entuziazmi i njerëzve në të nuk është i mjaftueshëm që ai ta tejkalojë gjytyrymllëkun e lindur ku qenia e tij është e dënuar të banojë.
Njerëzit badihava do të besojnë se Albini fluturon, se bën lëvizje në ajër, se lë mrekulli pas vete kudo, por ai e di mirëfilltazi se besimi i njerëzve të lë cullak kur vjen momenti i sprovës së madhe.
Por sa vlen besimi i njerëzisë kur tani Perëndimi ia kërkon detyrat e shtëpisë?
Si do të jetë përgjigjja e tij?
Me majmunët që festojnë me goma?
Me atë injorantin që i ofronte vullnetare dy vajzat e tij që Albini të bëhej donator sperme e baba fëmijësh inteligjentë?
Me Faton Pecin që kërkoi që Ura e betontë mbi Ibër të monumentalizohet me emrin e Albinit?
Me mërgimtarët që tani janë kthyer në mjerimin e tyre në punë fizike?
A do t’i vonojë me marifete fshatareske ato që i kërkohen?
Një histori mitrovicase
Në verën e vitit 1908, ‘kralica e maleve’, Edith Durham qëlloi të ishte mysafire në Mitrovicë.
Kur iu desh të largohej nga aty, rregullat e administratës osmane ishin që tesqerja (pasaporta, dmth) të vulosej nga zyrtari që ishte apostofat për këtë punë.
Kur shkoi në konakun e tij, zyrtari e lëpiu vulën dhe gjithë zamkën (ngjitësin).
Por meqë ajo nuk ngjitej, ai e futi në gojë gjithë zamkën.
Por nuk ishte e thënë të shkonte mbarë.
Zamka, si për dreq, iu shkri në gojë dhe për të gjetur derman e thirri një zyrtar tjetër për këshilla.
Ai i tha ta gjenin kutinë e ngjitësit dhe u desh ta thirrnin edhe një të tretë.
U deshën, pra, gjysmë ore për ta mbaruar një punë që mund të kryhej për disa sekonda.
Kjo historizë para 117 vjete merr kaq shumë kuptim sot, një ditë pas maskarallëkut kosovar ku regjimi i Albin Kurtit korri një alamet fitore.
Pasivitet alla-beckettian i Mitrovicës së 1908-s do ta përshkruante fare mirë sesi funksionoi Albini për pesë vite me radhë.
Veprime që do të mund të ishin kryer për pak ditë u zvarritën e u zvarritën për të mos u kryer asnjëherë.
U lëpi vula, u lëpi ngjitësi, u gjetën lloj-lloj karagjozësh për të kryer veprime minimale, për të blerë kohë, për t’u shmangur, për të gënjyer...tamam osmançe.
Por, tesqerja duhet të vuloset…