Sovranitet është mbrojtja e aleancës me Perëndimin
Abit Hoxha
Kur zëvendëspresidenti Vance në Konferencën për Siguri në Munich të Gjermanisë po proklamonte doktrinën e re amerikane të Presidentit Trump, një grup politikanësh kosovarë po vraponin pas self-eve nëpër paradhomat e hotelit luksoz bavarez për të kënaqur turmën e votuesve të dehur në rrjetet sociale.
Tani që politika e jashtme amerikane po kthehet në izolacionizëm, e ndoshta edhe në ‘gjueti shtrigash’ në politikat e brendshme që i ngjajnë kohës së Frikës së Dytë nga të Kuqtë apo McCartizmit të viteve 1940-1950, edhe Kosova ka filluar t’i shohë shkëndijat e para të këtyre ndryshimeve. Por, a i sheh këto shkëndija edhe elita politike?
Doktrina e re amerikane e zbërthyer nga ish-ministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, tregon për frikën e shteteve të BE-së për braktisjen amerikane si dhe shmangien që BE-ja po përjeton në lidhje me luftën në Ukrainë dhe marrëdhëniet e ShBA-ve me Rusinë.
Kjo tanimë u konfirmua me votën e fundit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku ShBA-të u radhitën përkrah Federatës Ruse në qëndrimin kundër Ukrainës.
Landsbergis foli për nevojën e rishikimit të qëndrimeve evropiane ndaj luftës në Ukrainë dhe të ShBA-ve për të pasur një vend në tavolinën e madhe të negociatave mes Putinit dhe Trumpit në sigurimin e Evropës nga Ariu Rus.
Në të kundërtën, BE-ja do të shkojë buzë një gremine politike, dhe mbase edhe më tej duke rrezikuar me eskalim në luftë në pikat e saj të nxehta në Moldavi, Transnistri, Poloni dhe fronte tjera ku mund të ketë konfrontime me rusët.
Gjithashtu, veprimet e fundit të ShBA-ve papritmas do ta favorizojnë Kinën e cila tashmë gjendet në një pozitë ‘kissingeriane’ sa i përket politikës globale—dhe kësisoj mund të futet në çarjen mes BE-së dhe ShBA-ve për të ndërmjetësuar në Ukrainë.
Ukraina do të kishte interes të madh në këtë punë duke i ofruar Kinës rindërtimin e porteve dhe infrastrukturës pas një marrëveshje eventuale. Kjo do ta vinte Evropën Juglindore nën një ndikim të paparë kinez në mungesë të ofrimit të sigurisë nga ShBA-të.
E gjithë kjo duhet të përkthehet edhe në Kosovë. Në Kosovë, tani ka një frymë kontrariane (kundërshtuese) dhe mbase edhe deluzionale për zhvillimet e fundit politike.
Në vitin 2021, kryeministri Hoti pat nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë një marrëveshje me presidentin Vuçiq me ndërmjetësimin e presidentit Trump dhe emisarit të tij për Ballkanin, Richard Grenell.
Kjo marrëveshje u prit me skepticizëm dhe cinizëm të madh në Kosovë, dhe mbase u harrua njohja e shtetit të Izraelit që solli nënshkrimi i saj. Por, ajo që u harrua tërësisht është zotimi i Kosovës që të mos përdorë ofrues të dyshimtë të shërbimeve digjitale 5G, që në mënyrë implicite e fuste Kosovën në sferën e sigurisë kibernetike perëndimore.
Kjo marrëveshje jo vetëm se u përbuz dhe u tall nga eksponentë të qeverive të mëvonshme, por tanimë merret edhe si model i dështimit të qeverive të mëhershme.
Kosova e solli veten në një situatë te palakmueshme, së paku në raport me ShBA-të, duke i akuzuar zyrtarët e saj të lartë si ‘naivë’ kundrejt Kosovës. Ndërsa, presidentja e Kosovës në një rast shkoi deri atje sa i tregonte ShBA-ve se Rusia po tenton “ta destabilizojë Kosovën”.
Sipas te gjitha gjasave, udhëheqësja e Kosovës është ngutur t’iu thotë zyrtarëve ‘naivë’ amerikanë para se ata t’iu thonë këtyre në lidhje me politikat ndërkombëtare, por edhe ato të brendshme.
Situata e krijuar në veri të Kosovës, pa marrë parasysh anën dhe fajtorin, tanimë funksionon në kundërshtim me interesat e Kosovës dhe në interesin serb.
Deri më tani, Serbia në agjendën e vet politike ka pasur shtyrjen e çfarëdo marrëveshje me Kosovën përderisa kjo e fundit do të duhej të shtynte përpara pikërisht të kundërtën. Serbia ka investuar në ndikim dhe pret ndryshimet gjeopolitike të cilat tanimë po ndodhin.
Politika e Kosovës, e cila e interpreton sovranitetin sikur ai të ishte vetëm vendosja e ligjit të shtetit absolut mbi qytetarët dhe territorin, është gjithashtu në kundërshtim me interesat e Kosovës.
Ky interpretim se sovraniteti është ligji mbi qytetarët pa marrë parasysh interesin e vendit i kushtoi shumë Serbisë në vitet 1990, gjatë të gjitha luftërave në ish-Jugosllavi.
Sovraniteti është më tepër aftësia e marrjes së vendimeve në interesin e shtetit. Interesi primar i Kosovës është mirëmbajtja e aleancës e cila siguron sovranitetin dhe integritetin territorial. Kjo aleancë dhe ky interes janë politikë konstruktive me NATO-n, ShBA-të dhe BE-në.
Ka një anekdotë ilustruese për situatën e tanishme. Është ajo e cila në qendër ka mbretin i cili ishte i bindur për modën e rrobave te tij nga rrobaqepësit përderisa ishte lakuriq, si dikush i mashtruar nga ata që gjoja ia përgatitën rrobat.
Këshilla që i jepet kryeministrit te Kosovës është se ka rroba të modës dhe të gjithëve iu pëlqejnë—dhe kjo rezulton me deklarime pa mbulesë se Kosova ka “marrëdhëniet më të mira ndonjëherë me ShBA-të dhe BE-në”. Të dyja këto e mohojnë aktivisht dhe e përgënjeshtrojnë këtë imazh fals.
Kosova është nën masa te BE-së dhe në një neglizhim të qëllimshëm nga administrata amerikane.
Ngjashmëria me mbretin lakuriq është prej iluzionit të së vërtetës ku besohet se informacioni i rremë është i saktë pas përsëritjes së vazhdueshme. Kjo do të zgjasë derisa dikush të tregojë se kryeministri qëndron lakuriq, kryeministri qëndron lakuriq.
Autori është ligjërues në Universitetin e Agder dhe Stavanger në Norvegji. Merret me studime shkencore në fushën e medias, demokracisë dhe konfliktit si dhe menaxhon me projektin e BE -së për Mediat e Qëndrueshme për Demokraci në Epokën Digjitale (ReMed).