Sindromi i Pishave të Shtimes
(Një faqe libri i pashkruar)
Ishte kallnori i vitit 2006, një nga më të acartit që ka mbajtur ndonjëherë pas luftës në Kosovë.
Nuk kishte as një muaj prej ditës kur e kisha veshur fanellën e bardhë të lëvizjes së dikurshme ‘Vetëvendosje’.
Asobote, kjo lëvizje me gjasmë qytetare mbante tubime gjithandej fshatrave dhe qyteteve në Kosovë.
Na dukej sikur kishim kapur mëzatin për brirësh kur bënim sikur po e mbronim shoqërinë nga rreziqe gati meteorike – njerëzia nuk po e shihte atë të cilën ne po e shihnim tejpamësisht. Ha ha ha!
Bashkë me Albin Kurtin e shkalluar, Glauk Konjufcën, Dritan D. dhe aktivisten Linda S., po udhëtonim drejt Prizrenit, në një mëhallë të të cilit do të mbanim një tubim me banorët e atyshëm.
Vetura përpinte shpejt e shpejt kilometrat në vijën rrugore Prishtinë-Prizren, pavarësisht mjegullës së madhe që kishte përla hapësirën nga të hanin sytë.
Edhe muhabetet brenda në veturë dukej sikur qenë ngrirë prej ftohtit të madh.
Kurti gjatë tërë kohës bënte sikur lexonte një libër.
Me të mbërritur në dalje të Shtimes, aty ku rruga merr një përpjetëz të thekshme, në bregun në të djathtë gjendet një kompleks i gjërë pishash.
Albini sakaq mbylli librin duke shikuar drejt tyre.
“Sa më pëlqen ky vend me këto pisha”, tha ai si havadan e duke folur ndër vete.
Jo se tha diçka të madhe firauni, por në mbamendje m’u thadruan këto fjalë.
Ishte hera e parë që po udhëtoja bashkë me njeriun që qysh atëherë mediat po e madhnonin.
Më herët këtë adoleshent të rritur e me flokë të yndyrta e kisha parë vetëm në televizor.
Dy vite më vonë, fati e deshi që rishtas të kaloja nëpër të njëjtën udhë me një shok tjetër të Albinit.
Ai, në të njëjtën kohë, qe njëri prej drejtuesve të ish-lëvizjes që gjoja drejtohej nga një këshill prej dhjetë marshallësh.
Me t’u afruar tek vendi i famshëm tanimë, atje në të dalë të Shtimes, në bregun e Belincit në të djathtë të rrugës, aty ku ngrihen thikë përpjetë pishat e breshtat, shoku ynë tha: “Sa më pëlqen ky vend…sa më pëlqejnë këto pisha!”
Vite më vonë, kjo dezhavu e çuditshme m’u përshfaq sërish me gjithë banalitetin e vet.
Në vjeshtën e vitit 2009, ne aktivistët, të cilëve nuk na rrinte bytha rehat me budallallëqe, po organizonim aksione gjithandej vendit për të grishur bojkot ndaj zgjedhjeve lokale që mbaheshin atë vit.
Arsyeja? Punë idiotësh…
Në veturën në të cilën po udhëtonim për misionin ‘fisnik’ gjendej edhe një aktivist, të cilin vitet më pas e sollën lart e më lart në hierarkinë e organizatës.
Me të mbërritur te vendi ynë i famshëm me kallaballëkun e pishave dhe breshtave, si u kalua Shtimja dhe filloi bregu i Belincit, ai tha mallëngjyshëm: “Sa më pëlqejnë këto pisha!”

Kjo më trazoi për shumë kohë duke më zhytur në një labirinth pyetjesh që zor merrnin përgjigjje.
U pëlqenin me të vërtetë këto pisha kuadrit besnik të Kurtit apo thjesht ata kishin përbrendësuar matricat e mendimit prej Kurtit?
Dala e plastë, ato pisha nuk kishin kurrfarë hijeshie që t’i bënte më të veçanta apo më hijërënda: ato ishin thjesht pisha e bredha.
Në të vërtetë, admirimi i këtyre pishave prej thuajse secilit shok të Albinit na jep krahë ta deshifrojmë më kollaj mënyrën e funksionimit disavjeçar të një organizimi që është maskuar në mënyrë aq finoke si lëvizje qytetare.
Për lehtësi diagnoze do të shërbehemi me termin ‘Sindromi i Pishave të Shtimes’ që i referohet fabrikimit të modeleve të dëgjueshme sipas matricave të një mjeshtri të madh të manipulimit.
Albin Kurti, pra, që ia dhatë 404,023 vota.
Kujt i pëlqejnë Pishat e Shtimes?
Col Mehmeti