Si po vazhdon Vetëvendosje të luajë me Astrit Deharin?
Berat Buzhala
Me mbajtë përgjegjës njeriun ose organizatën që ka pushtet, është njëra prej detyrave kryesore që i ka një media ose një gazetar. Çka është pushteti ose kush quhet që ka pushtet?
Quhet që ka pushtet ai që i ka paratë, ose mbështetjen e madhe popullore, ose të dyja. Shumë njerëz mendojnë se kjo është detyrë e lehtë. Veç çohesh në sabah edhe e shanë Qeverinë, e shanë Albin Kurtin.
Sa shumë gabim bëjnë këta, sa shumë e sa shpesh e shkelin ligjin, kjo njëmend nuk është punë e rëndë, ama më besoni, në rrafshin personal, shumë më e lehtë e më komode do të ishte përkrahja për Albinin, Vetëvendosjen dhe Qeverinë.
Nejse, tema e sotme është temë e sikletshme.
Bëhet fjalë për një activist të Lëvizjes Vetëvendosje, që ka vdekë në burg para tetë vitesh.
Institucionet kredibile, vendore e ndërkombëtare, thonë që Astriti fatkeq ka bë vetëvrasje.
Ai ishte i dyshimtë për sulm – me disa shokë të tij – sulm me zollë ndaj Kuvendin e Kosovës.
Vetëvendosje, ende pa u ftohë trupi i të ndjerit, e ka politizuar vdekjen e tij. E quan ‘vrasje politike’ e çka jo tjetër.
Unë sot e asaj dite, nuk e kuptoj se përse pushteti i asaj kohe, paska pasë nevojë ta vrasë Astrit Deharin në burg? Çfarë faktori ishte Astriti, që pushteti të vendoste që t’ia merrte jetën?
Nëse bash do të donin t’i përgjaknin duart e tyre, pushteti i asaj kohe, e ka pasë në burg disa herë shefin e Astritit, Albin Kurtin. Mirëpo, Albini, edhe prej burgut të Kosovës e edhe prej burgut të Serbisë, ka dalë i lirë dha pa i mungu asnjë kime në flokë.
Astrit Dehari ka qenë figurë irrelevante. Aktivisti i verbër i partisë, i dyshimtë për një vepër kriminale. Nuk po e them që e ka bë (atë vepër).
Për ta glorifikuar figurën e tij, partia në pushtet, qe tetë vite bën propagandë të pafundme.
Emrin e Astrit Deharit, vazhdimisht e renditë ose krahas emrit të Adem Demçait, ose para emrit të tij.
Mjaft tragjike, por pjesë e kësaj loje shumë shpesh janë bë edhe familja e Astritit.
Sido që të jetë, kur Vetëvendosja e fitoi pushtetin, gati katër vite më parë, në përvjetorin e pestë të vdekjes së Astrit Deharit, ata e lëshuan një komunikatë ku njoftonin për aktivitetet që do të zhvilloheshin për ta kujtuar Astritit.
Meqë i patën fituar zgjedhjet, meqë nuk kishte zgjedhje, komunikata e Vetëvendosjes ku fliste për rastin, thoshte: “Pesë vjetori i Astrit Deharit”.
Nuk tregonte komunikuata a është pesëvjetori i vrasjes, a i vetëvrasjes, a i zhdukjes, a i çkafit?
Pra, ishte thjeshtë pesëvjetori i Astrit Deharit, sepse nuk kishte zgjedhje.
Kanë kaluar tri vjet prej asaj komunikate apo tetë vjet prej vdekjes së Astrit Deharit, kurse Vetëvendosja e ka ndryshuar qasjen.
Në komunikatën e fundit, tash ata thonë: ‘Tetë vjetori i vrasjes së Astrit Deharit”.
Qysh është e mundur që e njëjta parti, që ka Qeveri të veten, që e ka kontrollin e plotë në çdo pore të shoqërisë, e ka guximin që tash ta quajë vrasje një ngjarje për të cilën ka studime dhe analiza të institucioneve kredibile botërore, të cilat thonë se nuk ishte vrasje.
Kanë dështuar kudo, sa i përket këtij rasti. Kanë dështuar mizorisht edhe në ruajtjen e provave të këtij rasti. Para hundëve, me aminin apo pa aminin e tyre, është djegë hapësira ku ishin ato prova.
Janë zhdukur ato prova, pastaj janë kthyer, pastaj i kanë gjetë diku tjetër.
Kjo është loja më e pistë politike që ndonjë parti politike e ka bë ndonjëherë në vendin tonë.
Fillimisht e kanë quajtur vrasje, mandej thjeshtë e kanë përkujtuar ‘pesëvjetorin e Astrit Deharit (as vrasje, as vetëvrasje), e tash para zgjedhjeve, politikisht kanë vendosë ta quajnë prapë vrasje.
Rrena s’duhet të kalojë në shoqërinë tonë. Nëse pushtetit nuk i vjen marre me rrëjtë se Astrit Deharin e kanë vra, neve nuk duhet të na vie keq të tregojmë se po rrejnë.
Kjo është një prej arsyeve pse kryeministri Kurti në paraqitjet e tij në diasporë po merret me portale, më shumë sesa me televizione dhe mjete të tjera të informimit.
Portalet janë hapësirat të cilat ai ende nuk po arrin t’i kontrollojë.