Shqiptarofobia si identitet i maqedonasve - NACIONALE

Shqiptarofobia si identitet i maqedonasve

10 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Nikica Korubin*

Boshti i matricës propagandistike mbi atë që na servohet si ‘identitet maqedonas’, e jo ai reali, është kthjelltësisht i qartë dhe autentik për shtetin tonë – shqiptarofobia. Për arsye praktike dhe simbolike. Shoqërohet sipas nevojës edhe me bullgarofobinë dhe rrallëherë me grekofobinë. Por nëse ‘bullgarët i përbuzim dhe i urrejmë’, dhe ‘grekët vetëm i urrejmë’, shqiptarofobia ka një fije më të thellë – nga shqiptarët kemi frikë. Dhe kjo është ajo frika e moçme, ‘phobos’, nga shqiptarët, që krijon antagonizmin ndaj tyre.

Dhe, përderisa flasim me fjalorin e një konstruksioni që është krijuar dhe kultivuar gjatë gjithë pavarësisë sonë afro 30-vjeçare si shtet, ky narrativ është projektuar mbi popullin maqedonas, e jo ndjenjë autentike e tij. Ai është ‘këndi i shikimit dhe marrëdhënia’ që populli maqedonas duhet (apo duhet me patjetër) të ketë ndaj këtyre popujve – një trillim i cekët dhe një mit i fabrikuar, larg realitetit.

Ky ‘këndshikim dhe marrëdhënie’ është ndërtuar dhe kultivuar për më shumë se 34 vite pavarësi, por është ‘i varur’ dhe i adoptuar nga matrica koloniale e shteteve të mëparshme, për interesat e tyre, e jo tonat. Për ironi edhe më të madhe, në periudha të caktuara historike, këto interesa janë ekzekutuar brutalisht dhe në mënyrë dramatike mbi etnitë që kanë jetuar në territorin e sotëm të Maqedonisë së Veriut. Ky është përkufizimi më i qartë i një sadomazokizmi kolektiv dhe simbolik.

Prandaj, shqiptarofobia është filtri kyç për të testuar ndikimin e thellë të konceptit të ‘botës serbe’ – si përcaktim zyrtar politik edhe në raportet e BE-së – mbi sovranitetin dhe sigurinë rajonale të shtetit tonë. Në dy nivele themelore (me shumë nuanca të tjera): ‘qëndrimi shqiptarofob ndaj shqiptarëve’ dhe ‘këndi shqiptarofob ndaj të tjerëve’.

Ky është antagonizmi fillestar, mbi të cilin pastaj ndërtohet artificialisht ‘identiteti maqedonas’ – një identitet për të cilin asnjëherë nuk flitet më vete, por vetëm në lidhje me këto tre fobi (shqiptarofobi, bullgarofobi dhe grekofobi).

Nuk ka rëndësi sa dikush është ‘mendjehapur’ dhe liberal ndaj bullgarëve apo grekëve – marrëdhënia e sinqertë dhe e vërtetë ndaj shqiptarëve zbulon ndikimin e vërtetë të ‘botës serbe’ dhe të asaj matrice të imponuar të të menduarit dhe të qëndrimit ndaj shqiptarëve. Pse përndryshe, një intelektual, qytetar, analist, politikan – maqedonas – do të kishte ndonjë rezervë apo antagonizëm ndaj shqiptarëve, e jo ndaj të tjerëve?

Sepse ky antagonizëm i imponuar nuk është autokton maqedonas, dhe rëndon e komprometon çdo marrëdhënie tjetër – qoftë ndaj të tjerëve, qoftë ndaj çdo çështje tjetër. Dhe kjo fobi është e dedikuar vetëm për ne, sepse nuk mund të jesh ‘bullgarofob i mirë’ pa qenë ‘shqiptarofob i shkëlqyer’.

Shembujt janë kudo në hapësirën publike – nga e majta dhe e djathta, nga qendra, nga analistë te profesorë, nga politikanë te akademikë – mund të jenë ‘të butë’ ndaj të tjerëve, por gjithmonë do të jenë konsekuentë (fshehurazi apo haptazi) shqiptarofobë. Dhe nga kjo nuk përjashtohen as vetë shqiptarët (ndikues) – që ndoshta edhe ne të mësojmë të nënshtrohemi?

Ky është thelbi i ndikimit të konceptit të ‘botës serbe’. Që nga fillimi i shekullit 20 e deri më sot. Me çfarë ‘sysh’ i shohim të tjerët? Me ‘sy serbë’ (në të cilët ne as nuk ekzistojmë) apo me sy maqedonas? Çfarë qëndrimi ndërtojmë ndaj të tjerëve? Çfarë historiografie shkruajmë për veten? Çfarë dimë për veten? Ky është ndikimi kyç, e jo ‘spektakli dhe dukja’ si mjete të zakonshme – nga Lepa Brena, grupet e instruktuara të tifozëve, festat serbe me qëllim të caktuar, deri te jugonostalgjia.

‘Bota serbe’ historike që nga fillimi i shekullit 20 është një projekt kolonizues. Koloninë nuk e pushton – koloninë e asimilojnë dhe e formësojnë sipas masës së tyre. Sipas fesë së tyre. Sipas historisë së tyre. Sipas këndvështrimit të tyre për botën dhe fqinjët. Dhe, siç thotë këngëtari kroat Tompson, në koncertin e tij në Sinj – në një përgjigje tjetër kundër konceptit agresiv dhe këmbëngulës të ‘botës serbe’ edhe në Kroaci – “Jugosllavia është e vdekur, dhe kjo është Kroacia e pavarur” – por jugosllavizmi asnjëherë nuk ka qenë qëllim, por mjet; në kolonializmin post-modern të freskuar, që vijon edhe sot.

Shqiptarofobia si themel, duhet të shembet.

Jo me aktrim, jo për përfitime, jo me ‘kam një mik shqiptar’, jo me lamentime liberale të rreme, jo për oportunizëm; por me interes dhe respekt të vërtetë maqedonas. Për veten dhe për të tjerët. Për historinë e përbashkët dhe të ndarë, të mbështetur në fakte, për një shtet qytetar funksional, për një sistem që funksionon; për trashëgiminë tonë qytetëruese dhe për të tashmen e përbashkët evropiane.

Respekt për dijen, që është e vetmja që mund të na shpëtojë. Nga ajo që kemi ‘duhet të jemi për të tjerët dhe ndaj të tjerëve’, e jo për veten dhe ndaj vetes.

*Autorja, Nikica Korubin, është politikane dhe veprimtare e njohur nga Shkupi. Me profesion arkeologe dhe historiane, Korubin fillimisht ka qenë deputete e Partisë Liberale Demokratike, e pastaj si e pavarur. Shkrimi i saj “Filteri ‘fobi’ –antagonizmi si identitet” është marrë nga llogaria e saj në Facebook, kurse titulli i tanishëm është i redaksisë.

Lajme të ngjashme