Sfidat e mediave dhe gazetarëve në kohën digjitale
Shkruan: Zenel Miftari
As bota mediatike nuk mbeti e pa prekur nga zhvillimi i hovshëm teknologjik viteve të fundit. Në shekullin e 20-të, të qenit pronar i medias nuk ishte aq e lehtë, sepse kishe nevojë për një investim serioz dhe nga ana tjetër nuk prisje fitime të larta. Por në ditët e sotme, me një investim të vogël, mund të bëhesh pronar mediatik. Dhe kjo rezulton të kemi media joserioze.
Kjo ka shkaktuar deformim të hapësirës publike dhe në mënyrën e krijimit të opinioneve. Filozofi gjerman Jurgen Habermas, në kritikën e tij ndaj organizimit shoqëror të kohës tonë në veprën e tij: “Transformimi i ri i sferës publike dhe politika deliberative”, thotë se ngritja e mediave të reja po ndodh nën hijen e përdorimit komercial të komunikimit në internet, cili tani për tani është i rregulluar shumë pak.
Ai vazhdon duke thënë se kjo po e rrezikon ekonomin e botuesve tradicional të gazetave dhe gazetarëve si grup përkatës profesional. Kjo shihet qartë në nivelin global kemi rënie drastike të shitjes së gazetave, derisa në Kosovë tani më gazetat nuk ekzistojnë. Derisa zhvillimit i një gazetarie analitike dhe profesionale është bërë sfidë në vete.
Pra, interneti ka thjeshtëzuar qasjen deri te lajmi të cilin e ka bërë “falas”. Por, mos të harrojmë që një produkt i mirëfilltë asnjëherë nuk është falas dhe kur të ofrohet falas atëherë produkti jemi ne. Një proverb angleze thotë “No such thing as a free lunch”.
Derisa në anën tjetër, pikërisht te përdoruesit e mediave sociale po organizohet një mënyrë e komunikimit gjysmëpublik, të fragmentuar, e cila po qarkullon brenda vetes dhe e deformon perceptimin e sferës publike si të tillë. Pra, debati publik nga okularet intelektuale, është bartur në mediat sociale, ku keqpërdorimi dhe të drejtën e pjesëmarrjes në debat e ka çdo secili. Kjo sa është pozitive është negative, pasi pjesëmarrja në debat bëhet pa asnjë filtër dhe redaktim profesional. Në momentin që nuk kemi filtra profesional, rreziku është i madh që të kemi dezinformim, propagandë e nga ana tjetër të mungoj ekspertiza dhe të kemi rrebeshtë informacioni dhe e gjithë kjo mund të përfundoj me përhapjen e mesazhe radikalizuese të cilat do të shkaktojnë shqetësime serioze të sigurisë. Për t’i anashkaluar këto rreziqe, është e rëndësishme të gjejmë një balancë mes transparencës dhe kontrollit nga ana e profesionistëve.
Ku shpeshherë hasmi në komente ofenduese, linçime por edhe shpërndarje të lajmeve të rreme apo teorive konspirative. Kjo ndikon të krijohen opinione publike të dëmshme për komunitetin.
Si të përballen mediat me sfidat e reja?
Ndërsa sfera publike ndryshon, shteti, media, intelektualët dhe profesionistët duhet të angazhohen për krijimin e politikave dhe rregulloreve të reja në mënyrë që gazetaria profesionale të përballet dhe t'i kapërcejë këto probleme.
Habermasi thotë se njerëzimi duhet të kalojë një periudhë të gjatë për t’u mësuar edhe me rolin e autorit. E kjo, sipas tij, do të merr kohë të konsiderueshme dhe për ta kuptuar se sa kohë do të marrë, duhet të kthehemi në kohë për ta parë se sa periudhë ka kaluar njerëzimit për t’u mësuar me rolin e lexuesit. Pasi, nëse kthehemi në histori jo çdo kush ka pasur qasje në libra – derisa librat u transferuan në libra letre.
Kujtimet më të freskëta i kemi gjatë pandemisë me virusin korona, ku komentues por edhe një pjesë e mediave online (të cilat nuk kishin adresë), shpërndanin teori konspirative për mosekzistencën e virusit apo dyshimin mbi efektet e vaksinimit.
Një vetrregullim i mediave por edhe përshtatja e tyre në kohën digjitale, përmes platformave që ofron sot koha do të ishte një nga zgjidhjet më të mira. Ku Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), do të fillonte një nismë serioze për platformë ku do të regjistroheshin vetëm mediat profesionale të cilat kanë impresium dhe redaksi. Por mos të bëhet gabimi i njëjtë si ai në Maqedoni ku në platformën “promedia”, u futën media të cilat janë flamurtare të propagandave të partive politike apo mediume të cilat funksionojnë vetëm me lajmet të agjencive dhe me gazetari copy-paste.
Vrapimi pas sensacionalizmit
Sociologu francez Pierre Bourdieu, në veprën e tij, “Mbi televizionin”, thotë se presioni i mediave që imponohet me ndjekjen e scoop-it është i tmerrshëm. Ai thekson se mediat janë gati të bëjnë gjithçka që të jenë të parët që e bëjnë apo posedojnë diçka dhe ta bëjnë para tjerëve. “Kërkimi i ekskluzivitetit, që në fusha të tjera sjell origjinalitetin, në këtë rast prodhon uniformizim dhe banalitet”, thekson Bourdieu. Pra, sipas tij, ky kërkim i lajmit që ka interes dhe uri për të jashtëzakonshmen, mund të ketë efekte politike po aq sa lojtarët politik të drejtpërdrejt apo sa autocensura e frymëzuar prej frikës nga përjashtimi.
Teksa në Kosovë shpesh kemi përleshje mes grupeve mafioze, aksidente apo fatkeqësi tjera, të cilat kanë shqetësuar publikun. Mediat, me theks të veçantë portalet e vogla janë ata të cilat në tentim për t’ju imponuar publikut janë të parat për t’i plasuar këto lajme edhe pse ende nuk konfirmohen nga policia. Këto lajme ndikojnë ndjeshëm në rritjen e panikut te qytetarët por edhe shqetësimi i familjarëve.
Përkundër faktit se Kodi Etik i gazetarëve, thërret për “çlirim nga sensacionalizmi”, në raste të tilla, këta “media” bien nga provimi – pasi nga lufta për klikime dhe ekskluzivitet, publikojnë video dhe fotografi me përmbajtje eksplicite. E, për ta banalizuar edhe më shumë rolin e mediave, portale të tilla shkojnë edhe më larg ku kemi erotizëm të skajshëm në media, ku edhe mediat profesionale me ndikim të madh politik ngadalë-ngadalë po shndërrohen në pamfleta të show-bizit.
Shpeshherë ajo që është edhe më shqetësuese gjatë rasteve të “kronikës së zezë”, përdoren fjalë të cilat terrorizojnë edhe më shumë opinionin publik. Fjalët më shpeshherë të përdorua në titull gjatë këtyre rasteve janë tronditëse, bombastike, tragjike, e çuditshme dhe shumë terme të tjera të ngjashme. Llojet e këtyre titujve përdoren për clickbait të cilat do të sjellin përfitime për mediumet të cilat e publikojnë lajmin.
Përveç këtyre problematikave që cekëm më lartë, sot sfidë tjetër janë edhe lajmet e rrejshme dhe propaganda. Këto dy fenomene edhe pse të ndryshme në thelb përdoren për të ndërtuar një narrativ të gabuar dhe për ta bindur publikun për një çështje të caktuar.
Autoritetet shtetërore dhe gazetarët profesional në raste të monitorimeve të lajmeve dhe përshtatjes së ligjeve me punën e tyre, nuk duhet të anashkaluar edhe veprimin e ndikimin e “botsat-ave” që zakonisht angazhohen gjatë fushatave zgjedhore dhe përdoren për të komentuar në rrjetet sociale dhe për të polemizuar sa më shumë me qëllim që të polarizohet shoqëria aq sa më shumë të jetë e mundur. Në një shoqëri kaq komplekse si e jona, polarizimi i shoqërisë në grupe është e rrezikshme, pasi do të shkaktoj tensione dhe ndarje mes tyre. Polarizimi do të sjell tensione sociale, do rrezikoj bashkëjetesën dhe tolerancën mes qytetarëve tanë. Për këto arsyeje nuk duhet të lejohet t’i ndodhë një gjë e tillë shoqërisë tonë dhe duhet ta inkurajojmë informacionin e bazuar në fakte. E për ta përshpejtuar këtë proces dhe për ta evituar një problematik të tillë, Kosova duhet ta përshpejtojë procesin e futjes së lëndës edukimit mediatik në procesin edukativo-arsimor. Pasi kështu do të rrisim mendimin kritik te nxënësit, do mësohen të dallojnë lajmet e rreme dhe të bëhen raportues të përgjegjshëm. Por pa anashkaluar që të vazhdohet me rritjen e përgjegjshmërisë te gazetarët. Prandaj sfidat e tilla veç sa shkojnë e shtohet më shumë, pasi sot në këtë kohë duhet të kujtojmë faktin se secili qytetar është autor potencial. Edhe edukimi i gjeneratës së re bëhet edhe më i domosdoshëm, në aspektin e të mësuarit për të qenë lexues kritik dhe në të njëjtën kohë dhe raportues të përgjegjshëm.
Sfidat të cilat na presin janë të shumta, por duke e shikuar teknologjinë si një mjet për të përmbushur synimet tona, ne mund të avancojmë dhe të sigurojmë se roli i gazetarit dhe sfera publike mbetet thelbësor për shoqërinë tonë. Nëse zhvillimi i hovshëm teknologjik mirëpërdoret, vetëm sa e ndihmon zhvillimin e mediave në drejtim të avancimit si përshembull – raportimi në kohë reale nga vendngjarja, pamje audio-vizuale të cilësisë së lartë, raportim i shpejtë, grafika për statistika, ejt. Prandaj, përdorimi adekuat i teknologjisë mënjanon edhe sfidat të cilat vijnë si pasojë e keqpërdorimeve teknologjike që pastaj si rrjedhojë hutohet opinioni publik.
* Autori është gazetar dhe aktivist në Maqedoninë e Veriut.