Setra e Dugit, njerëzillëku ynë midis çmendurisë
Col Mehmeti
Në një ditë funddhjetori të 2017-s, një zymti e çuditshme zaptoi cep më cep dhomën e mbledhjeve në zyrën qendrore të Vetëvendosjes.
Atmosfera mbytëse nxitej më fort prej atyre gjërave që nuk thuheshin e vetëm bluheshin në mendjen e secilit.
Si në koncilet e dikurshme mesjetare ku rriheshin doktrinat fetare e nuancat e tyre, albinistët dhe antialbinistët ishin vënë përballë njëri-tjetrit pas një fesati që i kishte gërryer thuajse prej një viti.
Vëllazëria e dikurshme ishte hasmuar aq fort sa kush nuk mbante uzdajë se pas përfundimit të mbledhjes do të zgjateshin duart. Madje më parë do të nxirreshin koburet...
Hidhërimi mes shoqi-shojt e bënte skizmën të dukej si shpëtim përballë asaj mbledhje ku minutat zgjasnin si orë.
Kjo mbledhje infamoze i ngjante njatij çiftit qesharak që del në takimin e fundit me mendimin ‘të shohim nga fillimi se çfarë mund të bëjmë e çfarë mund të ndreqim’ dhe përfundon duke zbrazur vrerin e barkut.
Kur atëvrasësit me Dardan Molliqajn e të tjerët dolën për të mos e shkelur më pragun e shpís, vetëm një njeri ngjiti shkallët për t’u kthyer prapë në zyrë.
Albinkurtistët e mërdhezur e të tërbuar zgurdulluan sytë drejt tij se pse u kthye ky kaq papritur.
Sikleti i shtrëngonte si lak në fyt me gjithfarë pyetjesh e dyshimesh.
Çfarë donte Dukagjin Gorani?
A nuk u krye belaja pak më parë, a nuk u ndanë dhéntë e dhitë dhe u dashka të zgjatet edhe më shumë kjo punë, mërmërisnin më vete partizanët e mbetur me babën.
A thua do të zbrazte drejt tyre një breshëri verbale?
A mos helbete do të bënte një thirrje paqtuese e sakaq në VV do të fluturonin pëllumbat e paqes?
Por, Dugi ynë, flegmetik e pa dhënë aspak çehre, iu tha:
“Veç setrën erdha me marrë nëse bân?”
Setra e harruar në një sallë ku sapo kishin luftuar mes vete krerët e VV-së dukej si gjësendi më i pafajshëm në këtë kat përdhésë të banaliteteve njerëzore.
Në një skenë dhune verbale, aty në skaj të dhomës, kishte mbetur e harruar setra e Dugit.
Ajo me heshtjen e saj prej poliesteri sikur e përqeshte absurdin e një organizate ku shokët e shoqet po përlesheshin me mëzdraka për parime e koncepte.
Afërmendsh që Dugi nuk ishte as nga ai taraf e as nga ky taraf, dhe kërkesa për ta marrë setrën e harruar për një çast ishte më superiore sesa dhjetëra mbledhje me pallavrime e qindra orë pagjumësie për parime e koncepte.
Setra e Dugit vjen përsëri si memento për t’i qeshur në fytyrë absurdit ku populli jashtë Kosove i tha popullit brenda Kosove: “Unë e di çfarë është mirë për ty”.
Nëse angazhimi ynë zhurnalistik nuk ka prodhuar asfarë ndërgjegjje disidente mes njerëzish, do të ishte e kotë, oh fare e kotë, të argumentohej nga e para për çmendurinë ku 400 mijë njerëz manifestuan me vota se e duan një regjim edhe nëse ky i lë fukarenj në xhep e injorantë në shpirt.
“Veç setrën du me marrë nëse bân?”, më vjen më së lehti për të thënë kurdo që jeta në këtë mikrokozmos të hamamtë më degdis mes situatash të pakuptimta.
Dhe vërtet që dua ta marr me vete setrën time e nuk dua as të bëj sehir në dalldi të mjera për nderin e fisit, për kufirin e për ‘dinjitetin’.
Dua ta marr me vete setrën time e të iki sa më parë nga ligësia e njerëzve që të vërsulen sapo e mban në dorë një pasqyrë që i reflekton majmunizmat e tyre.
Publikun nuk e zhbind dot kur e ka farkëtuar një botë të vogël me heronjtë, antiheronjtë, të mirët e të këqinjtë e vet.
Vetëm tani e kuptojmë neveritjen e Fan Nolit kur, në shtator 1946, shteti komunist shqiptar e dërgoi në New York si përfaqësues të vetin zdrukthtarin, Tuk Jakova.
Noli savant u përpoq me mish e shpirt ta ndihmonte analfabetin nga Shqipëria që së paku shteti të dilte faqebardhë.
“Koloneli nuk di shqip, as gegërisht dhe as toskërisht – shkroi ditë më vonë Noli zemërplastë – në çdo dialekt që i flisnja ai nuk më merrte vesh nga shkaku që është një budalla pa kulturë. Kurrë në jetën time nuk jam dëshpëruar aq sa kur e pashë këtë njeri si përfaqësonjës të Shqipërisë së Re. Me gjithë këtë, posa arriti në New York, i blatova ndihmën time, dijen time, dhe eksperiencën time pa kondita, pa rezerva, dhe pa pritur çpërblim, as ndonjë memuriet (nëpunësi). Po ai më shikonte shtrembër, me mosbesimin instiktiv të barbarit kundrejt njeriut të mësuar.”
Për pesë vjet me radhë, regjimi albinkurtist humbi çdo dyluftim të mundshëm.
Edhe në muajt e tij të mjaltit, në gjysmën e vitit 2021, partia më e votuar në Kosovë ishte në hall se nuk gjente njerëz vullnetarë që pranonin ta mbronin vijën partiake në studio.
Funksionarë, zëdhënësa kabinetesh, ministrish e institucionesh iknin nga secila përballje me gazetarë a thua se aty ishte një gijotinë kokëprerëse.
Shumica e tyre preferonin ta mbronin regjimin në mënyrë guerile ‘sulmo e ik’.
Jakëbardhi albinkurtist sapo kthehej në shtëpi vishej tebdil me një profil fals në Facebook dhe shante me rob shpíje e me lista dasme secilin gazetar.
Në ato pak përballje, gazetari përballë pushtetarit albinkurtist ishte si një boksier që e rrihte paq kundërshtarin, ia bënte përshesh hundët dhe asnjë Zot nuk ia behte të bënte rahmet me të kur armiku i tij dilte i armatosur me fakte, krahasime e statistika.
Por, publiku nuk e shihte kështu duelin.
Në sytë e tij, pushtetari i rrahur qenqe ishte fitues.
Edhe ndonjë lëvizje e behtë dore kur ishte i pavetëdije nga goditjet shkallmuese lexohej si alamet aftësie e fuqie.
Dhe nëse ky perceptim i mbrapshtë ka mbretëruar tash e sa vjet, cila do të ishte ajo arsye optimiste që populli albinkurtist do ta kuptojë të vërtetën që regjimi i fuqizuar me vota nuk do të bëhet më i fortë për të fituar duele?
Prandaj, ja pse kërkoj të më lini ta marr setrën e të iki nga këta njerëz.
Fanatizmi në ndërliqshmërinë e tij është si fruthi që nuk kalon pa e bërë të veten dhe nuk kalon pse dikush i jep të prekurit një terapi me të vërteta.
Fantazimi kalon vetëm pasi fanatiku t’ia ketë bërë vetes gjëmën.
Te tragjedia e Euripidit “Bakantet”, nënë Agavja e copëton për së gjalli djalin e vet, Pentheun.
Kur e kryen këtë makabritet, ajo nuk e ka idenë se po e bën një gjë të tillë, se po e ekzekuton krimin e krimeve.
Fanatizmi i saj religjioz prej një pasuese të dionisiakizmit e kishte verbuar sa te Pentheu nuk e shihte pjellën e vet, por një shtazë mali që e meriton atë fat.
Tragjedia euripidiane, çuditërisht, përfundon mu aty ku e mbërrin kulmin, aty ku pritet që Agavja të kthehet në normalitet e ta kuptojë përmasën morbide të krimit të saj.
Popullata fanatike e votoi regjimin dhe sot, dy ditë më vonë, ka njerëz që jo fort qartë e kujtojnë se çfarë bënë, kë e copëtuan në të vërtetë e kë menduan se po e copëtonin.
Nuk është se bashkëjetojnë bash paqësisht dy ekstremitete: fanatizmi delirant për ta votuar regjimin dhe zgjimi në një rezervat skamnor e depresiv.
Popullata pro-regjimit, në fakt, e shijoi vetëm një çast ndjesinë e ‘pushtetit’.
Ç’është e vërteta, kaq i duhet robit të dobët e frikacak që të bëjë kërdinë, të lërë nam me ligësi.
Nuk thuhet kot se kur ia lyen brirët me raki dhisë, ajo i lypi mejdan ujkut.