Rugova s’do të ishte kurrë LDK-ist që e do Leposaviqin më shumë se Preshevën
Ka diçka në kufijtë e surreales te LDK-ja që sot nuk është më personazh kryesor i asnjë filmi.
Historia e askujt nuk soset pse dikush zë shtratin nga sëmundja, rrokotelet në aksident a merr diku n’thua.
Por gjithçka shkon për lesh kur i rëni nga fiku shfaq një prirje të çmendur për t’u vetëshkatërruar pa kurrfarë dhembshurie.
LDK-ja duket shpesh si ai që e rrufit një kupë me xeher dhe mendon se armiku i tij imagjinar do të japë shpirt.
As dy muaj pas gjëmës së 28 dhjetorit ku LDK-ja u bë parti xhuxhe, njësoj si edhe më 14 shkurt, zëri i vetëm që flet për të është ‘Bota Sot’ e deliriumi i saj.
Pra, pamfleti më antigazetaresk që për dy dekada e toksifikoi publiken shqiptare, pamfleti që përbën regresin më të madh në historinë kulturore shqiptare, zbritja nga koha e gazetave të viteve ’90, të angazhuara fisnikërisht në rezistencë, në gjirizin e madh të dezinformacionit që e prodhonte redaksia e një pamfleti.
Të jemi të qartë, ‘Bota Sot’ nuk ekziston as si gazetë e as si grumbull kalemxhinjsh në moshë.
‘Bota Sot’ tani është gjendje e lirë në xhunglën e madhe të Facebook-ut.
Thaçi e Rugova ishin krijues të një qytetërimi politik përtej provincializmit
Në raste të tilla, njeriu shndërrohet në një pikëpyetje të madhe kur sheh eksponentë e ish-eksponentë të LDK-së të rikthehen me mëri e smirë kundër PDK-së e, përtej saj, kundër një trashëgimie mbipartiake që krijoi gjërat më të bukura në historinë tonë të re.
Qytetërimi politik i këtushëm, kur kishte nijet të mirë, dinte të bënte kompromise, të frenonte krenaritë provinciale e të kuptonte që avatari partiak është i parëndësishëm.
Kur nga java në javë pritet të bie gongu i Gjykatës Speciale me vendimin e fundmë për prijësit e UÇK-së, pamfletizmi i LDK-së është më aktiv sesa kurrë më parë.
Më bëri përshtypje për të keq ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihu, që si në ëndrra m’u shfaq i bërë zhul si fëmijët kur hazdisen në llucë.
Jo se e humbas kohën për të përcjellë njerëz të provincës, por algoritmet e Facebook-ut shpesh na zatetin, njësoj si në jetë, me gjithfarë turinjsh.
Për arsye thjesht budallaqe, një pjesë jo e vogël e LDK-istëve vazhdojnë ta rikthejnë ‘shkëmbimin e territoreve’ a thua se vendi nuk ka asnjë hall tjetër.
Duke endur fije-fije pëlhurën e falsifikimeve, këta ish-kuadro e demonizojnë shkëmbimin si të ishte një tragjedi kombëtare që mori fund vetëm kur Tribunali ne Hagë i lëshoi fletarrestet ndaj krerëve të UÇK-së.
Paradoksalisht, edhe perceptimi i një shumice të gënjyer është se shkëmbimi i territoreve, veriu për Luginën dhe Lugina për veriun, do ta merrte në qafë Kosovën.
Nuk thuhet kurrë sesi është e mundur që Kosova mund t’ia dalë mbanë me Asociacion komunash serbe (me ingerenca shtesë si pasojë e injorancës rrëqethëse të Kurtit në Ohër), por jo edhe në një realitet ku kufiri i saj lindor merr Preshevën e Bujanocin.
Pesë vjet politikë ‘sovraniste’, nën regjimin e Albin Kurtit që fundja pati më shumë mbështetës nga elektorati i LDK-së, nuk e bën veriun më Kosovë e as qilimat e sovranitetit nuk i shtroi atje.
U prodhua spektakël pas spektakli, një ekonomi imazherie, ku sovraniteti në veri shihej te militantët partiakë që në brekë bënin plazh ose kërcenin nga Ura në liqenin e Ujmanit.
Askush nuk e ndërmend faktin që zotimi i parë dhe i mbramë i Qeverisë Kurti 3 është rikthimi mu aty ku e nisi, te Ohri e te dhurata e tij për serbët që u fsheh me fjalëmirën (eufemizmen) neutrale ‘vetëmenaxhim’.
Të falsifikosh Ademçe
Le të kthehemi pak te Adem Salihu i mbytur në llucë falsifikimesh, shpifjesh e mistifikimeve.
Ai shkruan ademçe, në një shqipe topalle, pa e çarë kokën për vërtetësi a referenca: “Fletarresti për Hashim Thaçin u lëshua në momentin kur ai në Vjenë po hypte në aeroplan për të shkuar në Vashington. Atje do të shkonte edhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe këta dy po shkonin për ta nënshkruar marrëveshjen për shkëmbimin e territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin ata e quanin Plani për korrigjimin e kufirit. Sipas këtij plani, Serbia do të merrte Zveçanin, Zubin Potokun dhe Leposaviqin, pjesën ku ishin miniera të rëndësishme të plumbit, zinkut, arit dhe argjendit dhe përfshinte rreth 20% të territorit të saj. Në një version tjetër ky plan parashihte diku 40% të territorit të Kosovës, deri në Prishtinë e Prizren. Kosova do të merrte në këmbim një pjesë të Preshevës dhe disa fshatra të Luginës, më pak se gjysma e këtij 20% që do të merrte Serbia. Këto ishin kryesisht ara, livadhe dhe ndonjë mal, por pa asnjë pasuri nëntokësore.”
Provat për ‘plane’ të tilla? Mjafton mendja të lëshohet në tatëpjetën e fantazisë fshatarçe. Askush nuk bën pyetje ‘Pse?’, ‘Si?’ a ‘Kush?’
Kritizerët e idesë së shkëmbimit të territoreve nuk është se e kishin hallin që realitetet këndejpari do t’i nënshtroheshin një procesi që ndreq, kufij e sinore.
Kur ndërsen pasione e egërsi mes njerëzish, pak vetë mund t’i ruajnë mendtë e kresë për ta kuptuar që shkëmbimi i territoreve, në mungesë të çfarëdo ideje tjetër, paraqet alternativën më mirë për një të ardhme të paqtuar.
Këta kritizerë, edhe pavetëdijshëm, vihen në lojë nga nervi provincial, nga tuta ekzistenciale prej të resë dhe tuta prej margjinalizimit.
Let’s Talk Science
Së paku në nivel teorizimesh, një ide si shkëmbimi është peshuar e qëmtuar me kujdes mes studiuesish të huaj, pjesa më e madhe pa parakonceptime, paragjykime a anime.
Ndryshe nga llumi pamfletist i Ademëve dhe kushedi se cilëve kalemxhi analfabetë të ‘Botës Sot’, studimet e tilla nuk janë shërbyer me logjikën fshatareske as të metrave katrorë e as me atë se fqiu merr më shumë e unë më pak.
Gomarllaku më i madh që thuhet midis kosovarësh është që gjoja ideja e shkëmbimeve të territoreve është formuluar diku errësisht në Serbi, nga ndonjë Dobrica Qosiq a sisoji i tyre.
Në një botë për së mbari, një propozimi politik nuk i këqyret zanafilla, por prakticiteti dhe prospekti rrugëzgjidhës.
Perëndimorët që e përcollën çështjen e Kosovës ç’prej 1987-s e këndej, kanë qenë në dijeni për të gjitha zgjidhjet dhe propozimet e mundura, më pak të mundura, ose të pamundura.
Edhe shkëmbimi i territoreve ka qenë një modalitet që merrej në konsideratë.
Pse në forumet e publikimet e shumta serbe në fillimvitet ’90 flitej për shkëmbim, kjo nuk i vë as etiketë e as patentë zbulimi idesë në fjalë.
Kjo, parasëgjithash, flet për zotësinë dhe tejpamësinë e armiqve që i diskutonin prospektet e çdo zgjidhje që i impaktonte edhe vetë ata.
Rugova: “Mund ta këmbejmë veriun me Luginën”
Për fat të keq, kultura politike këndejpari nuk e pati këtë virtyt që t’i peshojë qoftë edhe hipotetikisht skenarët e tillë dhe përfitimet eventuale.
Vitet ’90 filluan e mbaruan vetëm me referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992 në Luginë dhe Medvegjë, ku afirmohej e ‘drejta e bashkimit me Kosovën’.
Gjegjja e vetme nga Kosova ishte një deklaratë e Ibrahim Rugovës i cili, ndër të tjerash, pati thënë që “Mund të bëjmë vetëm këmbim territoresh, ashtu që Leposaviqi dhe disa territore në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, të fitojmë Preshevën dhe viset tjera në Serbinë jugore, të banuara me shumicën shqiptare” (intervistë për gazetën Zëri, 15 janar 1994).
Pra, ideja si ide, qoftë edhe në formë aspirate, e ka një histori para 2018-s e nuk është kurrsesi e dalë nga hiçi prej ndonjë politikani tani.
Në një botë shkollarësh, ku mendimi politik nuk stërkeqet nga pamflete si ‘Bota Sot’ e as nga një kulturë e dhunshme shoqërore, prospekti i shkëmbimit të territoreve shihet si dobiprurës e me hajr për të dyja palët.
Studiuesit: Lugina më e rëndësishme gjeostrategjikisht, lidh Alpet me Egjeun
Fatma Aslı Kelkitli, profesoreshë e asociuar në İstanbul Arel Üniversitesi, në një studim të thuktë shkruan se “shkëmbimi i tokave, në fund të fundit, është e vetmja mënyrë për të arritur pajtim të përhershëm mes Serbisë dhe Kosovës”.
Gjithnjë sipas saj, “tokat e propozuara për shkëmbim janë të përafërta në madhësi e popullsi, dhe kushtet e kërkuara në prapavijë janë të pranishme për një shkëmbim paqësor tokash. Nëse disa pengesa të brendshme politike mund të tejkalohen hem në Serbi e hem në Kosovë, ka mundësi të mira që nyja gordiane e marrëdhënieve Beograd-Prishtinë mund të shplekset njëherë e përgjithmonë”.
Në një shkoqitje tjetër të Aleksander Zdravkovskit dhe Sabrina P. Rametit, komunat në veri të Kosovës dhe ato nën Serbi shihen të krahasuara si madhësi fizike.
Kështu, veriu i Kosovës kapërthen një gjithësi territoriale prej 1,000 kilometrash katrorë me rreth 80 mijë njerëz, përballë Luginës së Preshevës me rreth 725 kilometra katrorë dhe një popullsi që paushallohet se është rreth 70 mijë vetë.
Sipas autorëve në fjalë, “territoret e marra në shqyrtim në skemën e këmbimit të tokave janë afër e afër në madhësi e popullsi”.
Duke i peshuar të dy njësitë territoriale në vlerat e tyre gjeostrategjike, Lugina, sidoqoftë, ka rëndësi qindfish më të madhe sesa veriu malor dhe margjinal.
Këtë e kishte në mendje edhe Denis MacShane kur e shtronte si pyetje: “A do t’i ecte një shkëmbimi tokash? Nuk duhet të hidhet poshtë, sado që autostrada kryesore që i lidh Alpet me Egjeun përshkon mespërmes Luginën e Preshevës dhe është zor të shihet Beogradi të pranojë sundimin kosovar mbi arterien e saj kryesore të transportit”.
Në një artikull interesant te përmbledhja “Kosovo and International Law: The ICJ Advisory Opinion of 22 July 2010”, Solveig Richteri e tregon një hollësi fare interesante:
“Lugina e Preshevës konsiderohej si një kartë negociale nga të dyja palët që prej fillimit të negociatave për statusin e Kosovës në vitet ‘90”.
Sipas po të njëjtit autor, Serbia që t’ua asgjësonte shqiptarëve këtë aset të vyer negocial doli me të ashtuquajturin ‘Čović plan’, pra që ta bënte një integrim sa për sy e faqe të tri komunave, ashtu që ato të mos kishin vlerë gjeopolitike, dhe, rrjedhimisht, pala kosovare të mos mund ta përdorte si barabitje a reciprocitet për tri komunat në veri të Ibrit.
Në anën tjetër, David L. Philipsi te libri i tij “Liberating Kosovo: Coercive Diplomacy and U. S. Intervention” jep një fragment mjaft interesant:
“Në ditëlindjen e tetëdhjetë të George Sorosit, Ahtisaari u takua me Louise Arbourin, ish-prokuroren e Tribunalit Ndërkombëtar që kryeson Grupin Ndërkombëtar të Krizave. Ahtisaari kujton që ‘Arbouri më tregoi që ICG-ja do ta përqafonte shkëmbimin e tokave”.
Zhduke, o rob, fantazmen e Vuçiqit
Me citime të tilla mund të vazhdohet edhe më tutje, por ideja është gjetkë.
Historia e propozimit të shkëmbimit të territoreve është, në fakt, histori përpjekjesh për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në dialog e jashtë tij.
Si e tillë, ajo prej kohësh e ka bërë vendin e saj në dosjen perëndimore për Kosovën.
Personifikimi i idesë në fjalë me një emër ose një tjetër është veçse dashaligësi për ta reduktuar mendimin gjeopolitik e gjeostrategjik e të mos lejohet të dalë përtej kutisë.
Kosovës, Shqipërisë, e faktorit shhqiptar në përgjithësi, i duhen analiza e studime për secilin prospekt për përfitimet në çdo skentar të mundshëm.
Duhet eliminuar nga rezonimi figura e Vuçiqit, dhe çfarë thotë e çfarë bën ai nuk është punë e jona.
Nuk mund t’ua lëmë brezave të ardhmë një trashëgimi kaosi me arsyetimin se Vuçiqi ka thënë kështu ose ashtu.
Sepse kur vjen puna për ta fytyrëzuar rajonin dhe Ballkanin Perëndimor, as Vuçiqi e as 100 mijë Vuçiqa nuk kanë relevancë e as nuk honepsen.