Rrëfimi i Ibrahim Kryeziut: “As nji ditë, për 20 ditë nuk kom dalë në diell” - NACIONALE

Rrëfimi i Ibrahim Kryeziut: “As nji ditë, për 20 ditë nuk kom dalë në diell”

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ngjarjet e vitit ’81 e gjetën Ibrahim Kryeziun në Prishtinë dhe shumë shpejt edhe ai u bë pjesë e organizimit të rezistencës së atëbotshme. Më 13 qershor të vitit 1981, pas shpërndarjes së pankartave në fshatin Xërxe, gjatë kthimit për në Prishtinë, ai u arrestua bashkë me dy shokë. Një pjesë të dënimit tre vjeçar e kaloi në Prizren, deri kur në maj të vitit 1982 u transferua për në Zagreb, ku e vuajti një pjesë të dënimit deri në qershor kur u transferua për në Goli Otok. Herën e parë, kur ngriti zërin ndaj padrejtësive për një të burgosur, u dënua me njëzetë ditë izolim. Herën tjetër, i njëjti veprim u bë shkaktar i lehtësimit të dënimit të tij.

Unë jam Ibrahim Kryeziu, i lindur më 6 nëntor të vitit 1960. Prindërit e mi janë baba Xhemajli dhe nana Ajnishahe. Familja jonë, për kohën dhe rrethanat e atëhershme ka pasë nji status të mesëm, meqë në familje kryesisht jemi marrë me bujqësi. Si familje, me thanë realisht si fëmijë, jemi rritë me hallet dhe problemet e kohës. Babëgjyshi im, Mehmet Sefia, ka qenë njeri me autoritet, ka qenë pjesëmarrës edhe në Luftën e Dytë Botërore, në Brigadën e pestë, pastaj fill mas luftës, ni kohë ka qenë kryetar komune në Bellacërkë… edhe ma vonë ka qenë i përndjekur, ka qenë i denum, i arrestum dy herë me grupin e procesit të Prizrenit.

Kanë qenë nji grup i shehlerëve që janë dënu në atë kohë. Babëgjyshi jem është arrestu dhe është majtë nji kohë në burg. Pastaj na si familje kemi qenë të përjashtum për dy vite, domethonë kanë qenë të leçitun. Unë e kam regjistru Fakultetin Ekonomik në vitin ‘79 - ’80 dhe në fakultet kom qenë i mirë. Mirëpo ne në atë kohë menjiheri si kam shku në Prishtinë, kom kontaktu me disa shokë që ishin pak a shumë në rrjedha me lëvizjet e kohës edhe meniheri ni farë forme kemi qenë pjesë e këtyne farë lëvizjeve në atë kohë që pak a shumë u merrshin me propagandë, me literatura të ndryshme… Edhe ngjarjet e vitit 1981 mu më kanë gjetë në Prishtinë! Kemi marrë pjesë rregullisht në demonstrata. Më 11 mars kemi fillu prej menzës dhe pastaj jemi sjellë pak, ndërsa me 26 mars ka qenë dita kur ka ardhë stafeta e Titos në atë kohë në Prishtinë dhe tubimi është organizu në mes të konvikteve, para konviktit numër tre, edhe prej atyhit ka qenë tanë ditën nji demonstratë e fuqishme.

Ajo ishte si lloj proteste kundër stafetës, mandej është zhvillu ngjarja… komplet ato ngjarjet e vitit 1981 për avancim të statusit të Kosovës, që Kosova ta merrte edhe formalisht emrin Republikë. Në fakt Kosova i kish të gjitha atributet por nuk e kishte qat’ emër që ma vonë pagujti kosto për këtë. Edhe tanë ditën, atë natë deri vonë ka zgjatë ajo demonstratë bukur e fuqishme, ka pasë qytetarë e studenta, pak a shumë edhe punëtorë. Kështu që me 1 prill, atëherë ka fillu organizimi që kanë ardhë, edhe pse atëherë u instalu një farë ore policore edhe përpos policisë u aktivizunë edhe ushtria e cila me 1 prill veç erdhën prej Shkupit edhe prej Nishit, njësia speciale e Federatës.

Na ma shumë kemi qenë pjesë aktive… të tjerët kanë shkru pankarta, na i kemi bajtë. Në atë kohë kapak me gurë kemi gjujtë e qisi gjana. Kemi ardhë deri në Prizren, unë kam mrri në shpi dikund ka ora tetë-nantë në mramje edhe pastaj mas krejt kësaj u shpall nji gjendje e jashtëzakonshme, çdokund ishin orët policore edhe unë pastaj me do shokë u dakorduam që aq sa lejojshin mundësitë, prapë me shkepë parulla, me shkru parulla, me organize gjana tjera që mos me ra disponimi i njerëzve. Me datën 13 qershor kemi ardhë nga Prishtina.

Ni ditë përpara njani prej shokëve i ka shkru do parulla me nji maqinë shtypi, i ka lanë në shpi edhe kemi ardhë në Xërxe kemi shkepë parullat napër fshat, pastaj kemi shkru me kësi ngjyrë në asfallt, “Kosova Republikë” edhe në mëngjes kur kemi tentu m’u kthy për Prishtinë na kanë arrestu te rruga e Celinës, fshati Celinë.

Tash dikush na ka hetu gjatë natës, edhe në të gjitha anët ishin kanë patrullat e policisë duke na përcjellë dhe na në fakt te rruga e Celinës sa kemi dalë ishte ideja që na me dalë në Krushë me hypë në autobus me ardhë në Prishtinë që mos m’u vërejtë, po veç na kishin vërejtë ma herët. Aty jemi arrestu dhe pastaj gjatë kohës së hetimeve që janë majtë disa, dikund në gusht të ’81-tës do të thotë kjo ishte me 13 qershor, dikund ka gushti jemi dënu me dy vjet, pastaj Gjykata Supreme në atë kohë, se Gjykata e Qarkut na ka dënu treve me ka dy vite dhe na kemi ushtru ankesë dhe Gjykata Supreme në atë kohë na ka rritë dënimin për ka nji vjet. Tretë jemi dënu me ka tri vite.

Pas nji kohë që kemi nejtë në Prizren deri në ‘82-tën, dikund ka muaji maj na kanë shpërnda atëherë kur jemi shku, fillimisht na kanë çu me autobus në Pejë, kur jemi shku aty na u kanë bashkangjitë edhe ata tjertë, edhe tre janë marrë në burg të Mitovicës edhe kemi shku nëpër Serbi, për Kroaci me autobus deri në Zagreb.

Në atë kohë kanë qenë disa policë kroatë edhe policë të Kosovës që kanë ardhë me neve deri në Zagreb. Në Zagreb pastaj na kanë dorëzu neve, na kanë nalë në burg të Zagrebit nja dy orë, edhe prej atyhit na kanë çu në Gospiç po jo ma me autobusa, po me disa… Kemi qenë 26 të burgosun që na kanë çu me kësi farë kamiona që bajnë mish, që janë si tip frigoriferi, me qato na kanë çu. Ka qenë ftoftë! Në Gospiq kur kemi shku, aty kanë qenë para neve nji grup, edhe aty në fakt kanë fillu maltretimet fizike, edhe në Zagreb pak na kanë maltretu, mirëpo ma pak se sa në Gospiq.

Dikush ka mujt me pësu ma shumë, dikush ma pak, po ka qenë qysh ata e kanë përceptu vet. na kanë qitë ka nji shëtitje në tri-katër ditë kur ju ka tekë vet mirëpo s’kemi guxu kokën përpjetë me çu, ni trohë me lujtë fill të sulmojshin fizikisht, ose na kanë nxjerrë për shembull me pastru gjoja koridorin, i rrihshin, zhurma ajo ehoja e zanit nihej veç mrena.

Çdo ditë kishte dhunë fizike ndaj dikujt. Atmosfera, atmosfera dhe pritja që mund të ndodhë edhe ty në çdo moment… ose kur na kanë çu për shembull me u pastru në banjo, ka qenë nji banjo për besë nuk e di sa ka pas kësi tusha vertikal nalt atëherë sistemi i vjetër, veç e di që jemi hi 26 vetë m’u pastru meniheri edhe ishte problem m’u pastru, s’mujshim m’u përkulë veç qishtu u pastrojshim, edhe gardiani rrike qaty, e lëshojke herë ujin e nxehtë, herë ujin e ftoftë, kurrë taman jo! Kështu që ne jemi detyru nifarë forme me ba një pastrim, sa për mos me marrë naj sëmundje.

Edhe pastaj aty kemi nejtë dikund dy muaj ditë në Gospiç. Kah gjysma e qershorit mu më ka ardhë tash familja nji herë në vizitë atje, ka ardhë baba, shoqja edhe nji vëlla me më vizitu. Kur më kanë pa ata e kanë pa që kisha hupë shumë në peshë…Ushqimi ka qenë jashtëzakonisht i dobtë! Na bijshin nji gjysë bukë në mëngjes me çaj, na bijshin nji gjellë të përzime… ushqimi ka qenë jashtëzakonisht i dobtë! Edhe kemi pasë maltretim fizik, edhe ushqimi i dobtë. Ka gjysma e qershorit na kanë transferu, një pjesë e kanë çu në Stara Gradishkë. Ka qenë ai burg, krejt kati ka qenë me shqiptarë edhe ka qenë një sjellje jashtëzakonisht e vrazhdë.

Pastaj na kanë çu, neve nji grup prej gjashtë vetave, na kanë hypë me nji lloj kazikë e cila i ka pasë vetëm përpara xhamat, na përmas ku ka qenë krejt llamarinë me disa shpumje sa për me hy ajri, a din, kurgja mos me pa…Na kanë çu deri në Pulë prej Gospiçit, aty kemi dalë në bregdet, kemi mrri dikur masdite vonë. Dikur na kanë sistemu napër dhoma, aty me thanë të vërtetën s’na kanë maltretu. Pas katër muajve na kanë transferu për Goli Otok. Hypa unë me shokë edhe kemi ardhë… në fakt unë, në Rijekë, kur erdhëm në Rijekë, nuk disha ku po shkojmë, as s’e disha ku jam. Se ata na hypën në atë far autobusi, edhe na futen trrap te dera burgut, hyna mrena! Tash ishte një i burgosur për krime, për hajni, për vjedhje, ai ishte i Zarës, edhe ai po më pytë, “Pi kahit je? Çfarë vepre ki? Për çka je?” Thashë, “Ku jemi mer?” Tha, “Qysh,” tha, “në Rijekë jemi, po shkojmë,” ata thojshin, “për Otok,” na i thojshim Goli Otok, do të thotë ishull i zhveshur. Edhe pastaj atë natë nji gardian më provokoi mue tha, “Për çka je ti në burg?” I thashë, “Çka po të intereson?” Të nesrit në mëngjes na kanë çu prej atyhit në traget, aty tani jemi kanë të gjithë, kemi shku bashkë në Goli Otok dhe aty kemi nejtë dikund 16 muaj.

Veç kishim dëgju për Goli Otokun ma herët, po tash kish pas ndërru pak, nuk ishte ai ma çfare ka qenë Goli Otoki i ’47-ës… edhe aty na kanë vendosë. Niherë ka qenë ai pavioni i pritjes. Çdokush, kush shkonte, shkojshim në shtëpi ndëshkuse, është ai sektori ku i presin fillimisht për m’u njoftë ma tepër, aty na kanë majtë do ditë. Aty kemi pasë nji problem, dikush na provokoi, në fakt na kanë intervistu të gjithëve. Konsideroj që kanë pasë edhe për qëllim me pa vendosmërinë, bindjet tona, a jemi rastësisht…

Në fakt unë kom pasë… ka zgjatë biseda ime me qat’ psikologun, pyetje të ndryshme provokative, “Po pse, çka po ju duhet juve? Çka po ju duhen këto ngjarje në Kosovë?” Unë i thashë, “Dëgjo, na jemi të interesum për derisa të jemi në Jugosllavi, të jemi të barabartë me të tjerët”. “Po, po ju jeni!” “Nuk jemi,” thashë, “pse na po quhemi krahinë e ju po quheni Republikë? Pse na i kemi 15 delegatë në federatë e ju i keni 20?” Se ka qenë ajo, krahina e ka pasë të drejtën e vetos mirëpo megjithatë kanë pasë numër ma të vogël të delegatëve. Kryesisht unë përveti kom thanë që Kosova nuk pajtohet të jetë e trajtume jo barabartë me të tjerët. Unë nuk ju kam tutë ktyne edhe ma vonë edhe pastaj na kanë majtë disa ditë në izolim, patëm nifarë incidenti aty me disa të burgosun, na provokun pastaj ni kacafytje edhe neve na dënun meniheri, se menzi pritshin me na dënu neve me vetmi.

Edhe tani krejt ni kohë, edhe ka fundi, në ‘84 -tën kemi pasë edhe ni problem tjetër që unë jam dënu me vetmi. Ka qenë ni shok i joni i cili ka qenë pak si pa qef edhe nuk ka pranu me shku me punu diçka, me zbrazë ni traget për ushqim diçka edhe ata e kanë shti në vetmi. Pastaj na reagum, “Lëshojeni!” Ata nuk e lëshun edhe na kërkum, thamë, “Po shkojmë po punojmë na!” Shkum na e kryjtëm punën, po kur kemi shku na ata e kanë marrë atë. Kur erdh puna me shku në punë mas orës 13:00-14:00, unë punojsha në ndërrimin e dytë, nji grup prej neve do shqiptarë, ishim shtatëtetë vetë, na s’po shkojmë në punë, “Pse e keni marrë?” Ata na murrën na çun në komandë, te zëvendës-drejtori, nji farë kryeshefi i policisë, na kërkun me dale në punë.

Na refuzumë e unë pak isha ma i, jo ma i zëshëm, po ma shumë fola dhe mu më konsiderun si udhëhëqës i grupit, na çunë të gjithëve nalt, atë shokun e kishin lshu në mbramje, këta i lëshun të gjithë po mu më dënun me 20 ditë vetmi edhe izolim. Edhe më kujtohet kur na dërgun në izolim, në mbramje u majke panelli që i shqiptojke masat e dënimit të të burgosurve që shkelshin rregulloren e burgut. Edhe kur shkova unë, “Mirëmrama!” Po hyj aty, trokita në derë me hy, këta gardiantë ishin jashtë, “Mirëmrama!” Tha, “Mirëmrama!” P’i thom, “Unë jam Ibrahim Kryeziu, i dënuari, ose i gjykuari Ibrahim Kryeziu dhe po paraqitem në raport sipas urdhërit tuaj!” Ai po thotë, “Dil jashtë!” Po dal jashtë, apet hyj mrenda, prapë unë, “Unë jam i gjykuari Ibrahim Kryeziu dhe po paraqitem në raport sipas urdhërit tuaj!” “Far urdhëri,” tha, “na kemi ba?” Tha, “Nuk je me urdhër tonë!” Thashë, “Unë nuk di që kom shkru far lutje me ardhë te ju në komision”. Tha, “Jo me urdhër tonë po ti vetë me dëshirë tane!” Thashë, “Unë kun’ lutje s’kom shkru me ardhë te ju!” “Po ti nuk ki shkru lutje, po ti ki bo gabim, ki bo gabim aq të madh, aq të ranë saqë është pak ky komision diciplinor për ty. Ti e meriton m’u ndëshku ndoshta edhe ma tepër sepse kjo që ti ki ba, që ki bojkotu punën, ki organizu ata…” Thashë, “Unë s’kom ba kurgja, s’di që kom ba diçka!” “Qysh?” tha... “Kqyre le qe ka ba, po,” po thotë, “ky akoma nuk, nuk e pranon që ka ba!” “S’kom ba kurgja,” thashë, “unë, nëse o’ për qata që më kini thirrë,” thashë, “unë i kam thanë atyne mbikëqyrësit, ne i kemi thanë se njeri është smutë”. “Kush je ti,” tha, “me thanë është smutë, s’është smutë, është mjeku!” Se ishin aty..., ty nuk t’bjen kush je ti?

Thashë, “Na kemi thanë, lëshojeni njerin, qe na shkojmë, na shkruni, kemi zbrazë, kemi kry punën edhe thjesht,” thashë, “neve na kanë mashtru!” “Qy-qy ju ka mashtru,” tha, “ti kush je? Kush jeni ju me ba këtu rregullin? Ne e bajmë rregullin, jo ju!” Ata edhe ma shumë u revoltun edhe më thanë mu, “Dil jashtë!” Kur dola jashtë, mas nja dy minutave më thirrën, kishe po konsultohen ata, edhe kur më thirrën mrena tha, “Ibrahim ti ki ba ni vepër të ranë, shkelje. Kjo ndoshta ka mujtë m’u dënu edhe për vepër penale. Po na kemi marrë vendim me të dënu me 20 ditë vetmi jo të punës”.

Do të thotë i mshelun 24 orë. Dola jashtë, shkova, 20 ditë kam qëndru i mbylltë në vetmi poshtë, ka qenë çeli krejt me beton, ka pas ni kësi shtrat të palëvizshëm, ni dërrasë që i thojm na… As nji ditë, për 20 ditë nuk kom dalë në diell, vetëm në tualet kom shku. Ka pas ni dritare nashta gjashtëdhjetë me gjashtëdhjetë, me rrjetë me hekura. Kështu që diellin veç kom mujtë me pa kaniherë në naj pjesë të ditës kur i ka ra bash fiks, përndryshe s’u pa veç rrezja. Edhe pastaj kur jom dalë mas 20 ditëve, ka qenë ni stacionar, ni dhomë nalt, ata i thojshin 102-sh, u kanë qysh i thojnë, seksioni me mbikëqyrje të rreptë, aty ku jemi kanë na.

Aty krejt disa të burgosun për krime të ndryshme ordinere, për vrasje, për marrje me drogë… Edhe aty mas nji kohe mu nuk më lirun, mu më mbajtën deri ka gjysma, ndoshta fundi i majit, unë kisha m’u lëshu me 13-14 qershor… Edhe mu nuk më kishin lëshu prapë po në fakt aty nifarë forme u zbut qëndrimi i tyne ndaj meje sepse nji të burgosun kroat që ish me neve aty, ai kish vjedhë diçka po ish qyqan, ata e maltretojshin rregullisht dhe nji natë e shpërthejshin me gjilpana, nji natë diçka tjetër, i thojshin, “Pse ti i plogshtë?” Unë u bojsha kishe s’po i dëgjoj, po i nijsha krejt vetëm nuk dojsha me hy me ta sepse u frikojsha që shoqëria me ta mund të më sjellë pasoja.

Ni natë unë rashë, ata e maltretun sa e maltretun atë, edhe ma së mrami herë, “Jo bon pompa, jo ushtro këtu!” Ai s’mujke, “S’po muj,” thojke. Atë natë e teprun… Edhe kur erdh ai te kreveti jem, ish ka ora 12, edhe unë tash gjoja u paraqita qe demek ma prishi gjumin, edhe unë atij djalit, qati viktimës, “Ku po shkon?” Ai met, ata u mlun me batanije... “Çu,” thashë, “bjer në ven!” U tutke me shku me ra në krevet të vetin prej tyne, thashë, “Çu bjer këtu!” Edhe tash ata qeshën, thashë, “Çka po qeshni ju?” “Çka po të bajmë na ty?” tha. Thashë, “Me mu s’guxoni me pasë, po pse po maltretoni njerin ju? Pse s’po ju vjen marre?” “Çu,” thashë, “ti bjer e flej në krevet, edhe pa të thanë unë mos gabo m’u çu prej këtuhit!” Më erdh shumë keq thjesht edhe njeri kaniherë del pi… nuk jom naj njeri problematik unë po e humba atë logjikën, thashë, “Edhe kqyre hera e parë edhe e fundit! Unë punoj, unë du me fjetë i qetë!” Unë reagova ishte në fakt reagim për shkak se m’u mush kupa, edhe m’u dhimt ai si viktimë.

Tashti po dikush pi tyne, e kanë lajmëru drejtorin e burgut, qata përgjegjësit edhe nuk guxojshin ma atë me maltretu, tash pi meje nuk guxojshin. Unë jo që kisha m’i ba gja, sen s’ju kisha ba, po a din veç reagova se tybe s’kisha guxu… ata kishin mujtë me ma dhanë një thikë natën në gjumë, çut s’ma kishin mësy ndoshta, po në gjumë… Mas nja dy tri ditë p’i shoh unë, p’i marrin në pytje drejtoria e burgut ata përgegjësit e qatij seksionit edhe tash po më thirrin ni natë mu. Shkova unë, “Mirëmrama!” “Mirëmrama! Tashti biseda ishte ma e relaksume, tani më tha, “Zoti Kryeziu, të kemi thirrë me të pytë, me bisedu diçka, me na tregu drejt!” Thashë, “Patjetër, unë drejt tregoj!” Tha, “Ni të burgosun që e kanë malltretu këta, a munesh me na tregu diçka?” Thashë, “Me ju tregu të drejtën, është qishtu qysh po thuni po ata përditë thash ngucen nër veti, edhe lujnë, herë lujnë vetë, herë malltretohen, po unë s’jom kyçë me ta kurrë i here. Arsyja pse unë s’jom kyçë me ta, është sepse pikërisht kom mendu që munden me më ndodhë edhe mu!” Tha, “Na e dijmë që ti s’je kyçë, po ti me na tregu a e kanë shpu me gjilpanë?” Se ishte vepër e ranë me shpu me gjilpanë, u dënojke. Thashë, “Nuk e di, për që e kanë ngucë, po!” Tha, “Falemnderit shumë!” Tha, “Ti e ki shpëtu atë djal ni natë, na kemi informatën e plotë!” Thashë, “Po ni natë e kom pa që e kanë tepru edhe s’e kom leju me ndodhë!” Tha, “Na e kemi marrë vesh që ti e ki ba një gja të tillë edhe e ki ba ni vepër të mirë tha, na e dijmë se sha kanë ba ata!” Atëherë kur s’u ba ni javë ditë, më thanë ata gardiantë, “Qite ni kërkesë…” E qita unë edhe më lëshun.

Tri javë para se m’u lëshu në shpi më kane çu në seksionin e përgjithshëm, aty rrishin të burgosurit që nuk kishin ndonjë masë të shqiptume. Aty kom nejtë tri javë ditë edhe mas tri jave jom lëshu, kom ardhë në shpi. Unë në Goli Otok kom punu në sektorin e metalit, përpunimit të metalit, kam punu me trapano. Trapano thirret ajo kur, ata i thoshin bushalicë, bushalicë që ish punë e aty jonë prodhu disa, disa elemente për anije, tash sektorin e metalit, dikush i ka gdhend, dikush i ka, i ka pre, dikush i ka bo, unë kom pas vetëm ato pjesë që kanë qenë për m’u bo shpimi me ni bushalicë po. Dikush ka punu në repartin e përpunimit të drunit, dikush ka punu në pleteraj, pleteraj i thojshin thurjes, lidhshin do karrika….

Mirëpo gjatë kohës lirë kur kemi qenë pa ndonjë masë kemi pas ni, nifar seksioni të shqiptarve, u kanë në oborr nji gati si shpellë u kanë nifarë me gurë e marune, qaty rrishim ne, kapak knojshim… mujshim me vrapu, me ecë, me lujtë futboll… Na kur kemi dalë prapë nifarë forme kemi qenë si të burgosun sepse nuk kemi pasë të drejtë shkollimi, nuk kemi pasë të drejtë m’u punësu. Unë përveti kur kam ardhë e kom pas të krym vitin e parë dhe nuk kam mujtë me hy prej vitit të dytë. Jom munu rrafsh ni vjet me fitu të drejtën për me vazhdu dhe mezi ma kanë dhanë të drejtën në tetor të ’85-tës me vazhdu me korrespondencë. Jom anku në atë kohë sekretarit krahinor për arsim, në rektorat e në dekanat, po kërkush nuk kishte guxim me marrë përgjegjësinë…. Fakultetin e kom përfundu në ’90-tën, kom diplomu në fund të shkurtit edhe fillim të marsit.

E pata regjistru fillë shkallën e tretë po masnej u ba shpërbërja tani hupi ai rend edhe kështu ka qenë shkollimi im. Me angazhim politik kam fillu menjëherë, gjatë tërë kohës kam qenë i lidhun me shokë që kanë punu në atë kohë, gati çdo ngjarje që ka ndodhë unë kam qenë pjesë aktive. Në ’90-tën kam shku nëpër të gjitha manifestimet që kanë qenë edhe unë menjëherë jam anëtarësu në LDK në janar të ’90-tës se e formun me 23, menjëherë jam antarësu pastaj jam zgjedh kryetar i nëndegës, jam zgjedhë delegat në kuvendin e LDK-së, ’93-tën jam zgjedhë anëtar i kryesisë së LDK-së dega në Rahovec. Në ’91-tën kam qenë në qeveri komunale sekretar për ekonomi, në qeveri paralele...

Në ’92-tën jam zgjedhë edhe deputet, në zgjedhjet e majit ’92 që janë majtë për parlament të Republikës së Kosovës edhe Rugova u zgjedh president, Ibrahim Rugova, unë jam zgjedhë deputet. Pastaj në ‘94-tën unë jom arrestu dy herë, nji herë me 30 janar, janë arrestu kryesia e LDK-së edhe nji grup që e kemi quajtë kunora në Brestofc. Na kanë malltretu fizikisht... unë jam arrestu edhe nji herë në tetor edhe jom maltretu shumë, jom majtë nja 10-12 orë në polici, në sigurim, kom pasë lëndime fizike pasi që më kanë lëshu kanë kërku që m’u lajmëru prapë n’polici. Ishte ditë e enjtë kom ardhë në spital kom nejtë në Gjakovë nja nji javë ditë më ka trajtu edhe më ka majtë në mënyrë ilegale kirurgu Fehmi Vula.

Pas nji jave më ka lëshu në shpi, nuk kom shku m’u lajmëru ma, kom nejtë pak në shpi edhe dy javë ma vonë është ba arrestimi komplet i qeverisë komunale. Tani mas anena, mas kësaj unë nji kohë kom nejtë ilegal në Rugovë nëpër miq, nëpër fshatra të ndryshëm. Edhe pastaj prej ’95-tës kemi vazhdu, kom vazhdu me aktivitete për organizimin e jetës institucionale, të arsimit, financimit, të shëndetësisë e krejt deri në luftë... Në ‘97-tën jam zgjedhë prapë, në zgjedhjet e LDKsë jam zgjedhë nënkryetar edhe janë mbajtë prapë zgjedhjet parlamentare, prapë jam zgjedhë deputet. Mas lufte menjiherë jam kthy në LDK, pastaj kemi hy në qeveri që ka qenë qeveria e përkohshme, në Rahovec kemi pasë drejtorinë e financave edhe drejtorinë e arsimit që e kemi udhëheqë edhe ma herët edhe nji nënkryetar e kemi ba tani se u ba ky organizimi me UNMIK-un.

I fitum zgjedhjet e para me 61.3 përqind, kemi pasë komplet kuvendin edhe kemi pasë 20 delegatë, na kemi pasë ekzekutivin, unë kam qenë në mandatin e parë kryetar i financës, në mandatin e dytë 2002-2007 kam qenë kryeshef ekzekutiv, kam udhëheq qeverinë komunale në Rahovec, kam qenë edhe kryetar i degës 2002-2006, nënkryetar i LDK-së shtatë vjet... Edhe pastaj në vitin 2011 unë meqë e përfundova mandatin e kryeshefit pastaj fillova me punu me organizata të huaja, Kom punu, do të thotë dy kontrata i kom pasë prej Komisionit Europian, një kontratë e kom pasë, pastaj dy i kom pasë me UNDP përmes CDF-it edhe dy i kom pasë ma vonë me USAID. Në vitin 2011 unë e fillova master edhe e pata kry, 2011-tën e pata regjistru në tetor e kom kry në korrik 2013-tën, edhe menjiherë e kom regjistru doktoraturën në tetor 2013-tën tash e kom kry doktoraturën...

*Ky rrëfim është pjesë e projektit “Hije të shtrembëruara: Libër kujtimi me rrëfimet e ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut” i implementuar nga Integra me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Rockefeller Brothers Fund.

Lajme të ngjashme