REPUBLIKA E NËNTOKËS
Shkruan: Luljeta Pula
Kujtoj me mall idealin, pasionin, dhe emocionin për popullin tim dhe vendin tim , dhe punën tonë të përkushtuar e vetmohuese për liri dhe pavarësi. Si asnjëherë nuk më ka shkuar mendja të mendoj për veten time, dhe të ardhmen time pas pushtimit, si kurrë nuk kam ditur të mendoj për lavd e për merita, si asnjëherë nuk kam ditur të pres shpërblim nga vendi im, por gjithmonë e gjithherë, vetëm të bëj, e të bëj për te. Si kurrë mendja nuk më ka shkuar për një pushtet të mundshëm , kur gjithçka të ketë mbaruar. Kurrë !Asnjëherë ! Ishte ideali, dashuria për vendin e për kombin tim, pasioni i cili më udhëhiqte, e që ishte alfa dhe omega e jetës sime, ishte jeta vet, që ia kisha kushtuar atdheut !
Kur shoh sot se ç’bëhet, më vjen neveri. Nuk e kuptoj. Dhe nuk dua ta besoj. Sepse ideali akoma rron në mua, i gjallë, i paprekshëm, i fuqishëm dhe pasionant. Dhe me të njejtin zjarr, vazhdoj me te. Me idealin, që këta sot, me të drejtë mund t’a quajnë marrëzi.
Sot gjithçka është pazar. Funksionon në mënyrë të përsosur nëntoka politike. Truri im nuk i kap këto makinacione të neveritshme, këto malverzime e lojëra turpi, që bëhen vetëm e vetëm për interesa të vogla, interesa prozaike e meskine, interesa parciale dhe grupore e partiake. Kujt nuk i intereson interesi i shtetit dhe interesi kombëtar ! Si është e mundur kjo rënie, ky degradim, ky devalvim e poshtërim i skajshëm ?
Çfarë intrigash, çfarë propagande, çfarë mashtrimesh, çfarë grupacionesh e komplotesh për largimin e njerit ose udhëheqësit tjetër, çfarë llogarishë e kalkulimesh politike dhe materiale , çfarë skenaresh horror, çfarë dramash. Vetëm e vetëm për interesa. Ku mbetën parimet, ku mbeti ideali dhe përcaktimi i sinqertë politik, ku mbetën interesat e mëdha që kryefjalë kanë kombin e atdheun ? Ato janë sot vetëm emra kuptimi. As që bëhet fjalë për to. Gjithandej gara për të fituar oligarkët, për të fituar mbështetjen politike dhe financiare të firmave të mëdha. Sepse pa shumë para nuk ka pushtet. E pa pushtet nuk ka fuqi politike dhe shtetërore.
Shteti në bllokadë, që gati një vit e gjysmë. Shteti në kollaps. Mirëqenia e njerëzve në fund të pusit. Gjithandej varfëri e skajshme. Asgjë nuk punohet dhe asgjë nuk funksionon. Hajni, korrupcion, vjedhje e makinacione gjithandej. Kudo, në pushtet, selekcionim negativ. Rëndësi ka, të avancohen e të vendosen në pozita servilët, të dëgjueshmit , ata të pa kurriz. Vetëm të jenë luajalë. Çdo marrëveshje, pa parime, çdo marrëveshje jo marrëveshje e kompromis e konsensus, thjesht pazar. Truri im nuk ndjekë këtë poshtërsi, që bëhet ndaj shtetit.
Por unë e di, kam qenë në anën e drejtë të historisë. Fakti që kaq shumë më trondit kjo gjendje e ky devijim, fakti që e shoh këtë gjendje si anormalitet e devijim të rëndë, është dëshmi për këte.
Kjo politikë që shfaqet në dritë, me fjalë të mëdha e premtime boshe, me deklarata për shtet , për qytetar, për të ardhmen. Është një hipokrizi, një cinizëm e ironi e pafund ! Është në të vërtetë ana e errët e medaljes. Ana e mashtrimit dhe gënjeshtrës. Kur realiteti buçet e jehon ndryshe.
E ka një tjetër të vërtetë këtu, shumë më e fuqishme se kjo. Kjo është politika e nëntokës e nëntoka politike.
Ajo nuk flet. Ajo kalkulon e llogarit. Nuk bind. Ajo blen. Nuk përfaqëson. Ajo manipulon.
Në këtë botë të padukshme, parimet janë barrë, ndërsa morali pengesë. Vendimet nuk merren në interes të shtetit e as të kombit. Vendimet merren mbi ekuilibrat e fshehtë të interesave të ngushta. Nuk ka ideologji. Ka vetëm pazare. Pazare natë e ditë. Nuk ka qëndrime. Ka vetëm llogari e kalkulime.
Nëntoka politike funksionon si një mekanizëm i përsosur. Ajo ndërton aleanca të padukshme e të përkohshme, rrëzon figura, prodhon konflikte artificiale. Dhe shuan çdo zë që nuk i hyn në skemë. Çdo gjë është e orkestruar. Edhe përplasjet edhe pajtimet.
Lart, në sipërfaqe , qytetari sheh debat. E unë çdo natë ndjek debatet. Dhe dua të bind veten me zor se ajo që di nuk është e vërteta. Sepse nuk kam më fuqi të përballem me dëshpërimin dhe zhgënjimet. Por realiteti është më i fortë se imagjinata ime e lustruar.
Në sipërfaqe -normalitet. Në thellësi-tregti.
Edhe vet fjala është shëndrruar në mall. Një pjesë e medias, nuk është më pasqyrë, por instrument. Qëndrimet nuk ndërtohen mbi bindje, por mbi pagesa. Opinioni nuk formohet, ai blihet. Me përjashtime, natyrisht. Jo të gjitha janë të tilla. Njoh media të vërteta, reale dhe të përkushtuara. Që informojnë dhe krijojnë opinion mbi fakte, e mbi të vërtetën. E që dita ditës bëhen më të pakta, në nënqiellin e nëntokës politike dhe nën sundimin e saj.
Në këtë realitet, zgjedhjet nuk janë as garë programesh, as ideshë e as platformash. Ato janë investim. Kush ka më shumë burime, ka më shumë zë. Kush fiton, nuk merr vetëm pushtet. Ai merr akses në një sistem që ushqehet nga vetvetja.
Kështu krijohet një rreth vicioz. Pushteti prodhon para, paratë prodhojnë pushtet.
Dhe shteti ? Ku është shteti ?
Shteti mbetet jasht kësaj loje.
Institucionet zbrazen nga përmbajtja dhe mbushen me bindje. Jo bindje ndaj ligjit. Por ndaj individit. Meritokracia zëvendësohet nga lojaliteti. Profesionalizmi nga dëgjueshmëria. Dinjiteti nga servilizmi.
Kjo , pra, pikërisht kjo, është forma më e rrezikshme e kapjes së shtetit. Jo me dhunë, por me degradim.
Sepse një shtet mund të mbijetojë krizën. Por nuk mbijeton zbrazjen e shpirtit.
Më tragjikja nuk është se ekziston kjo nëntokë. Ajo ka ekzistuar gjithmonë , në forma të ndryshme.
Tragjikja është kur ajo bëhet normë e standard. Dhe kur qytetari fillon ta pranojë si realitet të pandryshueshëm. Kur zhgënjimi shëndrrohet në dorëzim.
Sepse aty përfundon gjithçka, jo në korrupsionin e pushtetit, por në kapitullimin e shoqërisë.
Dhe megjithate shpresa nuk lind nga ata që e kontrrollojnë këtë nëntokë. Ajo lind nga ata që ende refuzojnë ta pranojnë atë si normë e si rend natyror.
Nga ata që e ndjejnë se shteti nuk është treg. Se politika nuk është pazar. Dhe se e ardhmja nuk ndërtohet mbi mashtrim.
Ky nuk është më thjesht një dyshim. Nuk është as zhgënjim i zakonshëm politik. Është një përballje e dhimbshme me një të vërtetë që mendja e njeriut refuzon ta pranojë. Sepse politika sot zhvillohet aty ku ne nuk e shohim. Aty ku nuk ka parime, por ka vetëm interesa. Aty ku nuk ka ideale, por ka vetëm çmime. Aty ku nuk ka përgjegjësi ndaj shtetit, por ka vetëm pazare.
Gjatë kam jetuar me bindjen se politika, sado e ashpër dhe e papastër që është, në fund megjithate mbetet një përpjekje për të mirën publike. Dhe se, pavarësisht gabimeve, ka një vijë të kuqe dhe një rubikon moral që nuk shkelet.
Sot e di, ajo vijë si duket për shumë nga ata, nuk ka ekzistuar kurrë. Sepse nëntoka politike lejon gjithçka. Për aq kohë sa sjell përfitim.
Aty ndërtohen skenarë për rrëzime dhe ngritje. Aty prodhohen konflikte që në sipërfaqe duken përplasje parimore, e në thelb janë llogari të ftohta pushteti. Aty vendoset kush duhet të ngrihet , e kush duhet të heshtë.
Dhe mbi të gjitha, aty, pra vendoset çmimi i gjithçkaje. Edhe i fjalës. Edhe i qëndrimit, edhe i ndërgjegjes.
E kur fjala blihet, e vërteta nuk ka më vlerë. Kur qëndrimi shitet, dinjiteti bëhet pengesë. Kur ndërgjegja negocion,politika vdes si mision. Sepse debat nuk ka më. Ka vetëm propagandë. Nuk ka më informim, ka vetëm orientim të paguar. Nuk ka më media, ka vetëm shërbim. Por jo të gjitha mediat janë futur në vallen e së keqes. Jo të gjitha pra !
E qytetari ? Ai sheh teatër. Një skenë ku aktorët ndërrojnë role, por skenari mbetet i njejtë. Ndërkohë në prapaskenë, zhvillohet loja e vërtetë. E fjalët janë vetëm fasadë. Aleanca të fshehta, marrëveshje të heshtura, ndarje interesash. E qytetari mbetet vetëm spektator. I lodhur, i zhgënjyer dhe i bindur se asgjë nuk ndryshon. Aty askush nuk pyet për shtetin. Aty askush nuk pyet për qytetarin. Aty pyetet vetëm kush dhe sa fiton. Nëntoka nuk duron njerëz me kurriz. Ajo don vetëm përkulje. Dhe kështu, e dalëngadalë shteti nuk rrënohet me zhurmë. Ai gërryhet në heshtje. Nga brenda. Nga ata që duhej ta mbronin.
E triumfi më i madh i nëntokës politike është, jo korrupsioni i saj, por zhdukja e besimit. Sepse një shoqëri që nuk beson në vlera, është shoqëri e dorëzuar.
E megjithate jo gjithçka është e humbur.
Sepse për sa kohë ekziston zemërimi ndaj kësaj padrejtësie, për sa kohë ka refuzim për ta pranuar atë si normalitet, për sa kohë ka dhimbje për shtetin , ekziston edhe një vijë që nuk është thyer. Dhe ndoshta pikërisht aty fillon dalja nga nëntoka.
Në fund, çdo nëntokë ka një kufi.
Populli thotë, gjithçka këputet prej së holli , e zullumi prej së trashi ! Dhe do këputet, se mjaft është mjaft !
E shoqëria që ende kërkon dritën, ajo shoqëri pra, nuk mund të quhet e humbur. Drita do të vjen, se s’ bën ! Ka ende shpresë ! Për dritë, për drejtësi, për komb , e për atdhe !
Prof. Dr. Luljeta Pula
8. 05. 2026