Rambujeja ose ikja nga palestinizimi i shqiptarëve - NACIONALE

Rambujeja ose ikja nga palestinizimi i shqiptarëve

11 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Col MEHMETI

3 tetor 2025 – Në një moment të jetës secili prej nesh e ka pasur si njëfarë heroi të dashur Ghassan Kanafanin.

Bëhet fjalë për shkrimtarin e militantin arab, nga vepra shkrimtareske e të cilit është shqipëruar deri më tani vetëm novela “Burra në diell”.

Intervista e tij, para 50 vitesh, me gazetarin Richard Carleton tashmë është e njohur për këdo.

Pyetjeve se pse ‘palestinezët’ nuk po negocionin, Kanafani u përgjigjej prerë e cinikçe “E pse të negociojmë?”

Guerili arab në Bejrut fliste si hero moral sesi nuk bëka të negociohet, sesi nuk bisedohet me shpatë në fyt, sesi kolonialistët kështu e ashtu.

Mjafton vetëm ky dialog i shkurtër që të kuptohen dy logjika, dy botëpamje e dy histori:

Gazetari: Përse nuk bisedoni?

Kanafani: Me kë të bisedojmë?

Gazetari: Të bisedoni me udhëheqësit e Izraelit.

Kanafani: E ke fjalën për ato bisedime mes shpatës dhe qafës?

Gazetari: Kur nuk ka shpata e armë në dhomë, ju ende mund të buisedoni.

Kanafani: Jo. Kurrë nuk kam parë bisedime mes një rasti kolonialist dhe një lëvizje për çlirim kombëtar.

Gazetari: Por pavarësisht kësaj pse nuk bisedoni?

Kanafani: Për çka të bisedojmë?

Gazetari: Të bisedoni për mundësinë pa luftë.


Kështu biseda zgjatej e bëhej tërkuzë duke u çkuptimësuar mes dikujt të zhytur në iluzionin e një superioriteti të rremë moral dhe një gazetari me sens e me prekje në realitet.

Në një version të hajrit historik, sikur militantët me kefija bardhë-e-zi, pjesë e të cilëve ishte edhe Kanafani, të uleshin në bisedime, miliona njerëz sot me shumë gjasë do ta kishin shtetin e tyre jashtë hijes së luftës, pasigurisë e mendësisë luftëdashëse.

Kjo është saga e një marrëzie të madhe kur kauzat politike mërgojnë nga trualli i realizmit dhe metafizikojnë në dalldi dëshirore.

Të bisedosh e t’i hapësh udhë kompromisit nuk është një recetë që e sugjeron evropiani ‘dinak’ përballë indigjenit ‘të virtytshëm’. Le ta flakim tej atë Edward Saidin e çmendur brenda nesh!

Evropa e pagoi me miliona jetë të humbura logjikën pa kompromise e pa negociata siç ishte bota që e solli Luftën Tridhjetëvjeçare (1618-1648).

Por mbi këtë pësim në gërmadhat e viktimave milionëshe, Evropa e gjeti arsyen me Westfälischer Friede (Paqen e Westfalisë), tek e cila zanafillon vetë identiteti politik evropian.

Brenda Evropës ka pasur dhe ka kauza shumë më të drejta e më të arsyeshme sesa kudo tjetër.

Por kjo nuk ishte licensë morale që të kalohej në qëndrime botëmohuese ku bisedimet do të shiheshin si poshtërim i vetes apo dorëzim te armiku.

Kur më 11 nëntor 1918 u nënshkrua armëpushimi në një vagon treni në Pyjet e Compiègne-s, kryesuesi i delegacionit gjerman Matthias Erzberger shumë lehtë mund ta merrte pozën e një moralizuesi llafazan e të thoshte se nuk e flijoj dot nderin gjerman.

Për dallim nga arabët që të kaluarën e kishin veçse mjerim e insignifikancë nën osmanët, gjermanët e patën një alamet shteti me dinjitet perandorak.

Ata ishin Reich dhe që nga 1871-a nën aegisin prusian Deutsches Kaiserreich ishte ai që kollitej në kontinent.

Nga 1913-a, Gjermania ishte prijatare si fuqi industriale me një ekonomi konkurente që po mbërrinte majat.

Ajo ishte atdheu i shkencëtave dhe dijetarëve të lartësive botërore duke i pasur të vetet njerëz si Max Planck, Albert Einstein, Robert Koch e Fritz Haber.

Por vazhdimi i luftës në emër të një krenarie kallpe do t’i shumëzonte viktimat dhe për pak kohë në atë tragjedi njerëzore nuk do të njihej as humbësi e as fituesi.

Kur Hermann Hesse në ato vite ishte zë letrar që kërkonte paqe përpara çdo patrioti që krenarinë e shihte te lufta, kjo nuk e bëri atë më pak gjerman e më pak atdhedashës.

Raste si këto, me shkrimtarin militant Kanafan, shërbejnë si vjegëz edhe për rivizitimin e historisë sonë më të re.

Edhe ne patëm fantazistë e aventurierë që i bënin naze e kajde Rambujesë dhe kërkonin flijime prej një populli qullash e joluftarak, siç ishin shqiptarët e viteve ’90, fryt i një lobotomie të frikshme jugosllave.

Por, Rambujeja e atyre që guxuan t’i vinin fre krenarisë boshe nga një popull i mbytur na nxori në bregun e shpëtimit.

Bisedimet e kompromiset e çastit në Rambuje na e sollën shtetin e dytë shqiptar në Ballkan, kurse palës tjetër, me krenari alla-palestineze për nder e dinjitet, u solli bombardime masive.

Edhe në shoqëritë gjahtare të agimeve prehistorike, mençuria nuk ishte ta kapje çomangen e të përfyteshe gjer në vdekje me bishën dhëmbënxjerrë që jargavitej.

Çapitja drejt qytetërimit ishte kur burrat gjahtarë zhvillonin aftësi që bishat t’i mundnin me rrengje e kurtha e jo me fuqinë brute.

Prijësi emërmadh i luftës irlandeze për mëvetësi, Michael Collinsi, kur e pranoi Traktatin anglo-irlandez të 1921-s, nuk e la t’i ikte si ngjala në duar një rast që rrallëherë u troket në derë popujve.

Në leximin e tij të drejtë të gjendjes, ai e kuptoi që mundësia e vetme realiste ishte të shpallej Shteti i Lirë i Irlandës pa pjesën veriore të saj.

Kur sivëllëzërit e tij revolucionarë e panë këtë si shkëputje nga idealet irlandeze, përgjigjja e tij ishte se kjo Irlandë e pavarur një ditë do të bëhej shkallore për të vënë drejtësinë në vend edhe për copën veriore të ishullit.

Pas nënshkrimit të Traktatit, Collinsi la fjalë të mëdha në Dáil:

Për mendimin tim, (dokumenti) na jep liri, jo lirinë e plotë që të gjithë kombet e dëshirojnë dhe e zhvillojnë, por lirinë për ta arritur atë

Është, pra, liria për ta arritur lirinë e plotë.

Ky shpirt vizionar sigurisht që nuk frymëton njerëz të konsumuar nga ideologji miliariste islamike që përmbushjen e vetes e shohin në asgjësimin e tjetrit.

Të gjithë shqiptarët Palestinëdashës janë si robërit në alegorinë e shpellës te Platoni.

Hijet në mur e zërat e hapërdarë që na vijnë nga ‘Palestina’ nuk janë përfaqësimet e sakta të njëmendësive të vërteta.

Shumë nga qëndrimet që na duken sikur janë kuintesenca e palestinizmit nuk janë gjë tjetër veçse harrakatje të Hamasit.

Në kartën e vet që i shërben si yll polar që nga 1988-a, thuhet pa asnjë ekuivok se “Nuk ka asnjë zgjidhje për çështjen palestineze përveç xhihadit, dhe propozimet e konferencat ndërkombëtare janë humbje kohe e kotësi”.

Kur elita të tëra verbërisht e shohin çdo mundësi dialogu si maḍīʿat lil-waqt (humbje kohe), faji nuk duhet t’i hidhet botës e as të paraqitën vullnetarë për ta marrë atë. /Nacionale/






Lajme të ngjashme