Pse pështyjnë kosovarët? - NACIONALE

Pse pështyjnë kosovarët?

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

Kur është fjala për pështyrjen, ka perspektiva turlifare nga kultura në kulturë, por edhe nga robi në rob. Dikush pështyn si azgan se i duket se e mbizotëron vendin si kikirez maje plehu, dikush se nuk e çan kryet për tjetrin, dikush se është mësuar kështu, sepse tjetri që kalon përballë tij kurrë nuk u shndërrua në pasqyrë ku të shihej akti i tij harbut. Në Evropën e shekullit të 19-të kishte legjislacione fort shtrënguese që e penalizonin pështyrjen në vende publike, të cilën e shihnin si mundësi për gufmim sëmundjesh ngjitëse. Murtaja më e fundit, Covid-19, i riktheu këto diskutime mbi pështyrjen në vende publike me kërkesat e përhershme të atyre që zgjidhjen e shohin xhandarçe tek gjobëvënia. Por, përse pështyjnë kosovarët? Carere patria? Mungesë atdheu? Ka ndonjë përgjigje prej lentesh kulturore?

Col Mehmeti

Përtej tablos së saj të përjetshme si kryeqytet i zgjyrtë, Prishtina e mëngjeseve të ftohta është asgjëmangut pos një lavaman spitali me pështymë e këlbazë.

Si një çmendinë e tipit të hapur, një pjesë e madhe e njerëzve, kryesisht brezlindur të viteve ’50, ’60, ’70, etj, gati sa nuk nxjerrin zorrët duke pështyrë trotuareve.

Këtu nuk ka hiç se hiç etiquette sociale, por nuk ka as edhe një roje të fshehur ndërgjegjësore që për shprehi të tilla barbare të tundë njëfarë këmbane për diçka të turpshme.

Që të gjithë, dashtas e padashtas, janë akomoduar në një kryeqytet që nuk ka nocione as për pastërtinë themelore.

Ai lëng i pështirë prej salive, që del duke mbledhur çdo gjë nga gjirizi gastrointestinal, bëhet dëshmia për një qytet e qytetërim të papërfunduar që nuk ka gdhendur kurrë mirësjelljen, nderimin për tjetrin e për të përbashktën.

Në fakt, pështyrësit në ecje nuk janë këta kudo.

Për shembull, asnjëri prej tyre nuk ndodh që të pështyjë në shtëpinë e vet, mbi tepih a në mure.

Por, jashtë pragut të shtëpisë, është një ‘shtëpi’ e pa zot ku e fëlliq si të vjen mbarë dhe për këtë nuk të troket polici ndërgjegjësor, nuk të vë askush gjobë, e mjaft shpesh të pranojnë pa ngurrim.

Shtëpia ime është shtrojera siç e dua, aty ku ka një takëm rregullash për pastërti, por përtej saj është shtëpia e huaj, hapësira publike, për të cilën nuk më bëhet vonë nëse e dhjes, e shkërdhej dhe e desakroj. I tillë paraqitet kodi kulturor ndër prishtinas e kosovarë.

Kjo sikur na çon pas në kohë ku shprehitë sociale ishin të njëjtat me sot, edhe kur parardhësit tanë plisëbardhë rrnonin keq e më keq e pa amenitetet e ditëve tona.

Shqiptari nga Janina, Vehib Pasha (1877-1940), sa kohë ishte komandant osman në Kaukaz, mrekullohej nga pastërtia shembullore që mbanin kaukazianët në shtëpitë e tyre, ndaj edhe nuk i lejonte ushtarët e tij të hynin brenda.

Kjo shembullzohet edhe prej fjalëve të tij:

“Ju, kaukazianët, e doni pastërtinë si ne shqiptarët. Nuk do t’i lë këta ushtarë të ndyrë turq të hyjnë në Kaukaz, kurrën e kurrën me këto veshje” (Siz Kafkasyalılar da, biz Arnavutlar gibi temizliği seviyorsunuz. Bu pis Türk neferlerini, hem de bu kılıkta Kafkasya'ya sokamam).


Por, as atëherë e as tani, pastërtia e shtëpive nuk parakupton edhe pastërti kolektive, qytet me rrugë të pastra, hijeshi e higjienë.

Nuk ka sistem pastrimi publik që do të siguronte një minimum pastërtie nëse vetë banorët nuk kanë nocione mbi rëndësinë e pastërtisë publike, për t’i vënë fre qyngës së vet gastrointestinale.

Sensu lato, një pjesë e madhe e njerëzve, pavarësisht perspektivave kulturore, e përçmojnë aktin e të pështyrit si diçka i krupshëm, i neveritshëm dhe i ndyrë. Ai është edhe papërshkrueshëm antisocial, përveçse potencialisht shpërndarës i sëmundjeve.

Sa për kureshtje, një shfletim i Cambridge English Dictionary, pështyrjen e shpjegon si “një akt për të nxjerrë jashtë përmbajtjet e gojës, veçmas pështymën.”

Kur ky akt bëhet shprehi, atëherë hyjnë në punë shpjegimet për një sjellje patologjike, ku përfshihen çrregullimi obsesivo-kompulsiv; manifestimi i ankthit, halucinacione gustatore a patologji ndjesore, dhe shpesh edhe automatizma epileptike.

Personat intelektualisht të metë pështyjnë si një mënyrë maladaptive për t’i shprehur nevojat apo hakërrimin e tyre, kurse ata me dementi si një formë e sjelljes ballafaquese apo paaftësisë për ta kollofitur pështymen. Përtypja dhe pështyma, sipas kërkimeve të thelluara, janë etabluar si sjellje kompensuese te njerëzit me çrregullim në të ngrënë apo edhe si efekt anësor i medikamenteve.

Para më shumë se një dekade, profesori i sociologjisë në Plymouth University, Ross Coomber, kreu një kërkim ndërkombëtar në lidhje me dukurinë e pështyrjes në vende publike. Kësodore, ai u përqëndrua ndër kryeqendra si Mumbai, Kuala Lumpur, Jakarta, Tokyo, Seoul dhe Shanghai, tek të cilat i krahasoi sjelljet e të pështyrit.

Ajo çka doli në këto zhbirime ishte se “tre shtetet më së shumti pështyese janë India, Korea e Jugut dhe Kina.”

Kërkimi njashtu nxori edhe shkakun e jashtëm të aktit të pështyrjes publike; fjala vjen, në Mumbai ai lidhej me përtypjen e arrave betel, në Korenë e Jugut me duhanpirjen, kurse në Kinë nga irritimi për të kollofitur.


Llupa e kërkimeve sociologjike, si për shumëçka tjetër, nuk është vënë ende mbi homo albanicusin e hapësirave tona ashtu që të kuptoheshin psetë e të pështyrit kudo.

Në çdo rast, prirja vetëshkatërruese ndaj çdo hapësire publike – prej pështymes e deri te pëshurrja qenqe në çdo skutë – lidhet në mënyrë intrisike me mungesën e nacionalizmit.

Sepse nacionalizmi nuk është aspak imazhi i stërkonsumuar i atdhetarit naiv e leshko të mbyllur në shpirtngushtësinë e tij, as transponimi (përtejbartja) në një të kaluar të përbashkët, e qe besa as përbashkësia në një të folme të gjithëkuptueshme, zakone, përkatësi e kuptime të njëjta. Nacionalizmi i munguar është lidhja me tokën, sanktifikimi i hapësirës publike si e mira më e çmuar e bashkallëkut.

Keqedukimi ynë fillon mu te ABC-ja e përvetësimi i shkrim-leximit ku atdheun e jashtësojmë vetëm si një hartë me kufij kështu e ashtu.

Së andejmi, krijohet një lidhje asimetrike mes shtëpive tona të pastra dhe një atdheu që nuk lidhet me topos aktual, por jeton ‘jashtë vendit’, metafizikisht, në histori e në momente mobilizimesh qoftë për krenari, hakmarrje e mbrojtje.

Kjo, dhimbsurisht, na ka lënë pa atdhe dhe me mungesë të tij, një rast ky të cilin Seneka do ta vajtonte “Carere patria intolerabile est” (Nuk durohet mungesa e atdheut).

Rigjetja e atdheut nuk është punë herkuliane për shtetësi, nuk kërkon as ndryshime gjeopolitike a lëvizje sinorësh – badihava Elvis Hoxha në shkallimet e tij maniake do të shpallë “Padrejtësitë historike do t’i shndërrojmë në harta strategjish ushtarake drejt fitoresh të reja”.

Atdheu është përtejpragut, në rrugët e hapësirat publike dhe ai është pikërisht te ky qytet i k***t që ka statusin e kryeqytetit. Moisiu ynë mund të na riatdhesojë atje vetëm kur të mos pështyjmë trotuareve…

Lajme të ngjashme