Pse mu duk sot Albin Kurti diçka në mes të Hashim Thaçit dhe Nazit të Aurorës? - NACIONALE

Pse mu duk sot Albin Kurti diçka në mes të Hashim Thaçit dhe Nazit të Aurorës?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Che Guevara, më në fund, pas dy vitesh pushtet të plotë, ka filluar të relaksohet. Është duke e përjetuar pushtetin. Paraqitjet e tij në Kuvend tashmë i kanë tiparet e një mashtruesi.

Berat Buzhala

Për arsye të punëve ditore kisha mundësi që ta dëgjoja shumë shkurt ekspozenë e kryeministrit Kurti, në Kuvendin e Kosovës. Humbje e madhe. Ka mundësi që po ta kisha dëgjuar gjatë gjithë kohës, do të kisha përfituar shumë më shumë se sa që e humba kohën duke u marrë më punë të tjera. Duke u futur në zyrë, meqë gazetarët po e dëgjonin për arsye pune, u thash që janë më fat që këto fjalime kanë mundësi që t’i dëgjojnë pa pare.

Nejse, më në fund, tash kur kanë kaluar dy vjet prej kur ai e ka marrë pozitën e kryeministrit, për herë të dytë, po duket sheshit që Kurti është duke e shijuar pozitën. Ma kujton Thaçin e mandatit të parë, kur argëtohej pa masë duke polemizuar me deputetët prej pozitës së kryeministrit.

Disa prej jush sigurisht e kujtoni, kur Thaçi mezi nuk priste që t’i përgjigjej Ismet Beqirit. E zgjaste pafundësisht polemikën me Ismetin. Debatonte me të, kotna-si-koti nëse duhej të bëhej Vranjevci komunë a jo. Gallatë e madhe. Të gjithë frustëroheshin me polemikën, që ishte jashtë kontekstit.

Sot e pashë ashtu Albin Kurtin. Më dukej se po abuzonte përmes polemikave. Gënjeshtar po se po. Gënjeshtar patologjik madje. Bënte lojëra të kota fjalësh. Kohë pas kohë më ngjasonte edhe me Nazin e Universofilisë. Atë djalin e grupit Aurora. Vetëm se Albini është më modest. Nuk thotë – së paku jo deri më tash – që e ka patentuar ndonjë zbulim që do ta trondis botën.

E zgjata pak shumë, por ajo çfarë më bëri më së shumti përshtypje, nga e gjitha paraqitja e sotshme e kryeministrit ishte kur po u thoshte opozitës, se nuk ia kishte marrë mendja, duke e pasë parasysh të kaluarën e opozitës, duke i pasë parasysh marrëveshjet e tyre, që ata do të interesoheshin kaq shumë për marrëveshjet e Kurtit.

Pra, çka dëshironte të thoshte Kurti ishte kjo: Opozita e sotshme, pushteti i djeshëm, kishte qënë dorëshlirë në dialog me Serbinë, sa tash ky i pushtetit të sotshëm, po çuditet kur po i sheh ata në këmbë të mbrama, duke i kërkuar llogari për asociacionin, kishën etj.

Qasje interesante, por a nuk vlen kjo rregull edhe në anën tjetër? Bie fjala, a nuk do të duhej që kjo pyetje ose dilemë t’i shtrohej edhe atij? Në fakt kjo është esenca e problemit. Si është e mundur që tash ai kryeradikali i deridjeshëm, ai që e kishte ofenduar çdo njeri të gjallë që kishte guxuar të takohej me serbët, të shkojë tash në Bruksel dhe të dialogojë jo tash për asociacionin, por për një autonomi të serbëve të Kosovës.

Madje kjo nuk është esenca e problemit. Esenca është qysh ky si një frikacak i vërtetë u ka kërkuar ndërmjetsuesëve, që për t’ia shpëtuar fytyrën këtij dhe për t’ia marrë atë vendit të tij, ta heqin nga teksti i marrëveshjes dhe ta kamuflojnë me një “vetëmenaxhim”. Pastaj, duke e ditur që u ka hedhur hi syve votuesëve të tij gjysëmanalfabet (LVV i ka quajtur kështu para disa vitesh) doli në konferencë për shtyp dhe tha: Le ta lexojnë të gjithë marrëveshjen. Donte të thoshte kërkojeni edhe me ctrl f, sepse nuk do ta gjeni askund fjalën Asociacion. Pra, për Kurtin atë ditë ishte e rëndësishme që të mos figuronte fjala askund, s’ka gjë nëse nuk zgjidhej problemi.

Kaq sa i përket interesimit të tij për të ardhmen e vendit.

Lajme të ngjashme