Pse Bedri Hamza?! - NACIONALE

Pse Bedri Hamza?!

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Kosova po hyn furishëm në procesin zgjedhor të 9 shkurtit. Edhe pse fillimi i fushatës zyrtarisht duhet të pres më shumë se dy muaj, spektri politik ka filluar përgatitjet dhe aktivitetet konkrete në terren me një dinamikë të theksuar.

Shkruan: Teuta Krasniqi

Siç dihet “fushata zgjedhore fillon një ditë pas certifikimit të zgjedhjeve”, që i bie, i gjithë mandati legjislativ të jetë një lloj fushate, nga të dy polët e politikës.

Diskursi publik i pushtetarëve aktualë, gjatë katër vjetëve të fundit, ilustron më së miri këtë përkufizim mbi jetën politike brenda dy cikleve zgjedhore parlamentare.

Më shumë se çdo qeveri e kaluar, qeveria aktuale e Vetëvendosjes, grupi i saj parlamentar dhe eksponentë të pushtetit e të partisë, së bashku me makinerinë propagandistike në rrjetet sociale, përgjatë gjithë mandatit është përpjekur t’ia paraqes publikut si arritje historike çdo vendim a veprim sado minor të ketë qenë.

Në këtë fushatë Vetëvendosje do ta ketë më vështirë se çdo subjekt tjetër prezantimin e punës së saj qeverisëse, si dhe të programit të ardhshëm, ngase qytetarët e kanë përjetuar në lëkurën e tyre angazhimin inert e të vobektë qeveritar të saj. Për rrjedhojë, pritet që paraqitjet publike të kryetarit të Vetëvendosjes të jenë kryesisht të mbushura me fraza alegorike dhe vargje shpotitëse për kundërshtarët politikë.

LDK me në krye Abdixhikun ndërkaq përkundër një angazhimi intensiv propagandues prej muajsh, ende nuk ka arritur të shpërfaqet si forcë serioze dhe e besueshme, as për të rikthyer elektoratin e saj të humbur në zgjedhjet e fundit.

Për dallim prej këtyre dy subjekteve, PDK me kandidatin e saj për kryeministër, Bedri Hamzën, përkundër hendikepit për shkak të mungesës së lidershipit historik, ka bërë një kapërcim të madh duke u radhitur si pretendente serioze për zgjedhjet e shkurtit.

Me paraqitjen e tij të mbrëmshme në Konventën partiake, Hamza tregoi edhe njëherë aftësitë e tij prej lideri, me diskursin e tij bindës në qëllimet dhe projeksionet e paraqitura para masës simpatizuese të tij.

Përballë dy rivalëve kryesorë të tij, Bedri Hamzën e favorizojnë dy pika të forta: së pari, e kaluara e tij e suksesshme ministrore, kur ai ndër të tjera ishte bartës i menaxhimit të rritjes së ndjeshme të pagave në mandatin e dytë të qeverisë së kryeministrit Hashim Thaçi, me gjithë raportet e ndera me FMN-në dhe BB-në, si dhe e refuzimit të rritjes së pages personale të tij në një moment tjetër, dhe së dyti, profili i tij si profesionist i dalluar dhe si politikan i pjekur e i sinqertë, në një fazë kur Kosovës i duhet zhvillim i hovshëm ekonomik, zhvillim infrastrukturor dhe përmirësim i mirëqenies socio-ekonomike të qytetarëve.

Sipas një gojëdhëne urbane, në zgjedhjet e fundit lokale, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, gjatë diskutimeve brenda forumeve të subjektit të tij, përkundër goditjes politike në rastin e humbjes në Mitrovicë, në një aspekt i ishte gëzuar largimit të Bedri Hamzës nga Parlamenti i Kosovës, duke e ndjerë atë si rrezikun kryesor për qeverinë dhe për të personalisht, nga kampi opozitar në ulëset e Parlamentit.

Megjithatë, ai duket të mos e ketë parashikuar që nga Mitrovica Bedriu do të garojë më fuqishëm për të parin e ekzekutivit, duke i rrezikuar seriozisht pozicionin komod që Kurti kishte deri tani, me vetëkënaqësinë e një mbështetjeje aksidentale të 14 shkurtit 2021.

Lajme të ngjashme