Propaganda e fabrikuar nga pushteti është kërcënim ndaj demokracisë - NACIONALE

Propaganda e fabrikuar nga pushteti është kërcënim ndaj demokracisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Sibel Halimi

Në një shoqëri ku partitë politike përdorin propagandën si të vetmin mjet të artikulimit politik, shpërfaqin jo vetëm mungesën e së vërtetës, por edhe konceptojnë metarealitete të cilat në shoqëri krijojnë iluzionin e një ‘jete ideale’.

Partitë populliste kur synojnë të marrin udhëheqjen e vendit derisa janë jashtë institucioneve, motivi i tyre ideologjik i mbetet historia e afërt mbi të cilën edhe ndërtojnë narrativen kryesore dhe ngrehin kokën lartë mbi ‘turmën’ që ju beson atyre verbërisht.

Çfarë në të vërtetë është propaganda moderne. Edward Bernays nënvizonte se propaganda është përpjekje e vazhdueshme për të formuar apo krijuar ngjarje që synojnë të ndikojnë qëndrimin për një ide, person apo grup të caktuar.

Partitë populliste në mungesë të një programi të qartë të zhvillimit të një shoqërie, praktikat propaganduese kryesisht përsërisin imazhe afatgjate në mendjen e njerëzve në lidhje me çështje të caktuar derisa arrihet qëllimi e të merret si e vërtetë absolute përpjekja e tyre. Në të shumtën e rasteve përdorin disa nocione që jo doemos përmirësojnë mirëqenien sociale të qytetarëve, por janë hulumtues të fatkeqësisë dhe dhembjes së tyre dhe si rezultat krijojnë premisat e hapat e para drejt manipulimit.

Propagandat politike dallojnë rrjedhimisht nga ato ekonomike. Derisa e dyta është e lidhur drejtpërdrejt me një produkt të caktuar, ajo politike krijon realitete të cilat edhe përcaktojnë paradigmat kryesore të vlerave politike e shoqërore të një vendi. Andaj, nuk është e rastësishme që nocioni propaganda më shumë asociohet me vendet e mbyllura, autokratike e diktatoriale se sa me vendet e shoqëritë që kanë një histori të zhvilluar të demokracisë. Sidomos, është paradoksale të mendohet se një parti e cila i fiton zgjedhjet të vazhdojë të merret me propagandë denigruese.

Propaganda politike konceptualisht nuk mund të rrugëtoj e vetme pa mendësinë populliste dhe autokracinë si simbolikë triumfuese të një autoritete suprem që krijohet për t'i prirë e dalë në ballë ndryshimeve të proklamuara. Triadë, kjo e cila rrumbullakon idealin, plotëson e zhvillon imagjinatën për një botë të re politike e me një pretendim ekskluzivisht moral.

Në videon e fundit të lansuar nga partia në pushtet pikërisht, koncepti i shtetit, shoqërisë dhe qytetarit ndalen tek figura e liderit të partisë në pushtet. Kjo simbolikë është tendencë autoritare që përfaqëson edhe prirjen e kësaj partie për të ekzistuar nëpërmjet dimensioneve më të rëndësishme të shoqërisë siç është shteti, shoqëria e qytetaria në figurën e prijësit të tyre. Pamje kjo që përpiqet të sforcoj dhe krijojë bindjen “Imazhi i njeriut të ri jo vetëm i partisë, po edhe vendit!”.

Pjesa e fundit, ku edhe përfundon videoklipi 100-sekondësh, triumfon pas përdorimit të të gjitha figurave mbi të cilat VV është ngritur në pushtet si dhe shfaqja e personaliteteve që e kundërshtuan apo i dolën në anën tjetër të veprimit të tij politik aktualisht.

‘Kriza’ dhe përdorimi i figurave njerëzore mbeten qendrore në propagandën politike, si të vetme terrene të pandryshueshme nga trashëgimia e tyre politike, nga e kaluara opozitare me anë të së cilës në çdo lloj rënie të tyre në pushtet, përpiqen të rikthejnë veten si moralisht të pastër; mbase edhe kjo është karakteristika esenciale e manipulimit të tyre. Derisa, skandalet nga qeverisja e tyre tanimë janë shndërruar në rutinë ditore të medieve në vend. Mjafton, të vihet në pah krye skandali aktual, Martin Berishaj, i cili përkundër metastazimit të rastit të tij edhe në nivel regjional, imazhi i vendit vazhdon të mbahet peng i tij. Derisa heshtja për rastin e kërcënimi i herëpashershme nga qeveritarët drejtuar gazetarëve dhe kritikuesve ndërmjet shndërrimit në tjetrin e rrezikshëm që po i shërbejnë të njëjtës qëllim si ai i Serbisë.

‘Kriza’ është dashuria e tyre e parë, nuk mund ta harrojnë lehtësisht. Madje, siç shkruan Jan Werner Muller, “Popullistët e përshkruajnë me padurim një situatë krize duke e quajtur kërcënim ekzistencial, sepse kriza i shërben me pas një qeverisjeje populliste legjitime”.

Kësisoj, ajo çfarë mund të thuhet është se përdorimi i propagandës së partisë që është në pushtet, e që në fakt është duke 'qeverisur’ përpos që krijon krizë edhe mirëmbahet nga ajo. Mbetet shqetësuese fakti, se përkundër që është një parti me 50 përqind të përfaqësimit, ndjen nevojën për t'u mbrojt me anë të propagandës që në fakt do të duhej të ishte e kundërta - projektet e realizuara e rezultatet konkrete.

Vendet e zhvilluara ku demokracia nuk është vetëm vlerë politike, por mendësi përditshmërie na kanë sjellë shembuj të mjaftueshëm për të kuptuar se si propaganda zëvendësohet me transparencë, si garantuesja e vetme e qeverisjes së mirë.

'Çka ka s'ka' nuk merret me të kaluarën, por është përpjekje për frikësim në të tashmen. Nuk është vetëm një metaforë ilustruese propagandistike, është disiplinim për të kontrolluar mendimin dhe shprehjen e lirë, është sulm ndaj të drejtave të njeriut, sepse ky fabrikim vije nga pushteti që stigmatizon dhe ushtron dhunë simbolike ndaj qytetarëve të vet!

Lajme të ngjashme