Pohime dhe anatema - NACIONALE

Pohime dhe anatema

1 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Kemi ikur nga e vërteta kur mendonim se kriminaliteti e paligjshmëria i përvidhen ligjit e rregullave. Dugi ynë e vrau shenjën kur tha se gjithë ata ndërtues betoni, gjithë ata zhgërryes kodrash e lumenjsh, kanë ‘leje’. Pra, paligjshmëria gjithmonë është kujdesur pedantërisht të jetë mirë me letra. Mafiozllëku i të gjithëve, nga beu te bujku, nuk zihet lehtë gafil pse i mungoi ky apo ai dokument. Një mafioz me letra dallash do të ishte rast unik, vaki që do të duhej të grishte dyndje mediash e kamerash.

***
Unë nuk kam nge të merrem me kanalizime e ujësjellës, pati thënë gjithë naze Albini kur më 2013 e refuzoi propozimin e shokëve dhe shoqeve për të vënë kandidaturën për kryetar Prishtine. Ai qe tepër modest me këtë ‘jo’, sepse e pathëna e tij ishte që historia ia kishte shortuar një rol përtejlokal, përtejshqiptar, në fakt evropian e planetar. Një imam i egër islamik më tha ngjashëm se nuk ka nge të japë xhevap për pyetjet besëtyte të popullit. Nuk donte të bëhej zhul si Shefqet Krasniqi që rraset në llucën e injorancës ku besëtytnive e frikërave primitive të njerëzve iu hedh melhem më të tjera besëtytni levantine. Imami i ri nga Deçani ishte modest e nuk e thoshte bash kollaj që Qielli e kishte paracaktuar për strategji, politika të mëdha e përplasje huntingtoniane të qytetërimeve.

***
Komplekset kanë vrarë më shumë njerëz tanë se krejt historia jonë si përrua fatkeq mes gurishtave e honeve. Komplekset e thella pollën njerëz që nuk lëshojnë kurrë rend për të qenë të parët në gjithçka është trend. Një blegtor nga Istogu para shumë viteve ishte fiksuar pas kauzave në kryeqytet. Kundërshtoi, madje, rrënimin e Teatrit gërdallë sepse, siç tha, ai “është kujtesë kolektive”.

***
Mijëra punëtorë në Kosovë kurrë s’trazohen prej shefit të cilin e shohin ose jo njëherë në javë. Zullumin e madh e përjetojnë nga kolegët që janë njësoj punëtorë fizikë. ‘Pleqnarët’ tanë popullorë, si Dervish Goxhuli, Xhemajl Abrija a ndonjë tjetër, kanë qenë të tillë. Negativitetin e tyre në shpirt e nxirrnin me dreqni fjalësh që midis njerëzish të pashpresë dukeshin të mençura.

***
Njëherë mbiu një kajsi e hijshme midis oborri dhe gjithë robtë e kullës u mrekulluan prej saj. E vaditën dhe e vaditën, e plehëruan dhe e plehëruan sa nuk e zuri muaji e u tha. Në Prevallë shkuan të gjithë kosovarët se, thanë, natyra e mirë veç hajr bën. Pas disa vitesh, Prevalla dha shpirt nga të pahajrët që bënin pushime aty.

***
Në Vjenë, më tha një mik i vjetër, vetëm këta popuj i gjen duke kërcyer me flamuj: shqiptarë, serbë, turq e marokienë. Identitetet e zbrazura duhet të ngulen me thonj pas një simbolike. Përtej saj është hiçi. Dhe hiçi rëndon fort kur je pa asnjë talent. Kurrë nuk pashë, vazhdoi më tej miku qesim, gjermanë, holandezë a zviceranë të dhënë pas bajrakëve. Ka popuj tek të cilët trashëgimia majestike teknologjike ua heq nga fjalori kapardisjen e nevojën për formulime deiktike “Ne jemi…” Ka popuj të cilët trashëgimia e hiçtë i bën të flasin me Zotin e për punë muhabeti të mburren me “Ne kështu e ashtu…”

***
Një ditë, një buc qafëtrashë nga Peja po uluronte kundër të gjithë oligarkëve pejanë. “Kam fakte…”, thoshte në sokëllimë e sipër. Vonë në mbrëmje, ky antioligark bëri disa telefonata si fajdexhi që ishte. Kampanjat morale gjithmonë kanë pasur në ballë mangupat e pizevengat, një arsye elegante për të qenë i pakauzë në çdo kohë.

***
Një profesor tashmë i plakur e kishte si tabiat që të ishte i mirësjellshëm me këdo. Kur pleqëria e la fikall vetë dhe shokët e dikurshëm ishin nekrologë në bandera, atij s’i mbeti tjetër veçse të fliste me bankomatin. “Dëshironi faturë”, shkruante në ekranin e ATM-së pasi tërhiqte dhjetë euro. “Besoj që kam nevojë për të”, i thoshte me zë. Nuk harronte ta përshëndeste e t’i thoshte “Mirupafshim”.

Lajme të ngjashme