Performanca buxhetore 2021-2024 dhe buxheti për 2025
Shkruan: Avdullah Hoti
Buxheti për 2025 është buxhet tranzitor pasi shtrihet në mandatin e qeverisë së ardhshme, e cila sigurisht se do ta ndryshojë. Duke qenë se po përmbyllet ky mandat 4-vjeçar, analiza e këtij buxheti duhet të bëhet në kontekst të premtimeve të koalicionit qeverisës LVV-Guxo.
- Cilat kanë qenë premtimet?
Ja disa prej tyre sipas fushave:
- Infrastrukturë: aeroporti i Gjakovës, rruga për Plavë, rruga për Tetovë, hekurudha për Durrës etj.
- Arsim: 160 çerdhe, shujta për nxënës, digjitalizim i shkollave, biblioteka për mësimdhënës, banim i përballueshëm për mësimdhënës, shpërblim i mësimdhënësve bazuar në performancë etj.
- Shëndetësi: sigurimet shëndetësore, sistemi informatikë shëndetësor etj.
- Banimi social me kushte të përballueshme.
- Privatizimi: Rishikim i privatizimeve dhe përmbyllje e procesit, duke e mbyllur AKP dhe kthyer si agjenci në kuadër të Qeverisë.
- Fondi Sovran: revitalizim i aseteve publike.
- Banka Zhvillimore: kredi investive me kushte të volitshme.
- Bujqësi: çmime reference dhe sigurime për produktet bujqësore, kredi bujqësore me kushte të volitshme, caktimi i çmimit minimal nën të cilin shteti i për rezerva shtetërore etj.
- Performanca buxhetore 2021-2024
Buxheti për këtë mandat qeverisës ka qenë 11.4 miliardë euro, por efektet janë të pa vërejtura. Ja arsyet:
- Është përkeqësuar struktura e buxhetit në dëm të investimeve kapitale. Në vitin 2017, 36% e buxhetit ka qenë e planifikuar për investime kapitale, ndërkaq 23% për subvencione. Në vitin 2022, subvencionet kanë shkuar në 41% e buxhetit, ndërkaq investimet kapitale kanë rënë në 16%. Për entitete publike për 2021-2023 janë shpenzuar 520 mil euro. Vetëm për energjinë në veri janë paguar 113 milionë euro. Me gjithë këto subvencione do të ishte ndërtuar në central me gaz.
- Investimet kapitale të planifikuara kanë dështuar të realizohen. Gjatë viteve 2021-2024, janë planifikuar 3 miliardë euro për investime kapitale, por janë realizuar vetëm 1.2 miliardë euro. Rrjedhimisht, ekonomisë i mungojnë 1.8 miliardë euro në qarkullim (shih Tabelën 1).
|
Tabela 1: Investimet kapitale 2021-2024, në mil. euro |
|||||
|
2021 |
2022 |
2023 |
2024 |
Gjithsej |
|
|
Planifikimi |
666 |
704 |
820 |
869 |
3,059 |
|
Realizimi |
284 |
275 |
348 |
325* |
1,232 |
|
Dallimi |
-382 |
-429 |
-472 |
-544* |
-1,827 |
|
% e realizimit |
43% |
39% |
42% |
37%* |
40% |
|
Buxheti vjetor |
2,517 |
2,748 |
3,224 |
3,315 |
11,804 |
|
Realizimi si % e buxhetit |
11% |
10% |
11% |
10%* |
10% |
|
* Për vitin 2024, realizimi është për nëntë muajt e parë të vitit. Burimi i të dhënave: Buxhetet vjetore dhe raportet vjetore të buxhetit. |
|||||
- Realizimi i investimeve kapitale në këtë qeveri është më i ulëti në krahasim me të gjitha qeveritë paraprake. Në Qeverinë Mustafa 2015-2017, realizimi ka qenë 19%, në Qeverinë Haradinaj 2018-2019 ka qenë 18%, ndërkaq në Qeverinë Kurti 2021-2024 rreth 10% (shih Figurën 1).
- * Për vitin 2024, realizimi është për nëntë muajt e parë të vitit.
- Burimi i të dhënave: Buxhetet vjetore dhe raportet vjetore të buxhetit.
- Është rritur numri dhe shuma e kontratave njëburimore. Gjatë mandatit 2021-2024, janë nënshkruar 2,123 kontrata të tilla, me vlerë prej 254 mil euro. Nuk është bërë asnjë auditim për të parë nëse këto kontrata plotësojnë kushtet sipas ligjit për prokurimin publik.
- Avancet për investime kapitale janë rritur si asnjëherë më parë. Në qeveritë e kaluara, avancet vjetore silleshin 1-4 mil euro. Për 2021-2023, janë dhënë si avance 165 mil euro, që janë të larta edhe kur merren parasysh investimet e FSK-së (shih Figurën 2).
- Burimi i të dhënave: Raportet vjetore të buxhetit.
- Ka pasur shumë pak investime të reja dhe shpërndarja e projekteve nëpër komuna ka qenë jo e drejtë. Vetëm 9% e investimeve janë projekte të reja. Gjysma e projekteve të reja janë në 4 komunat e qeverisura nga LVV-ja. Në kryeqytet mungojnë projektet nga Qeveria. Në dy vitet e kaluara, të hyrat e komunave janë bartur me shumë vonesë, duke pamundësuar shfrytëzimin e tyre.
- Projektet përmes huamarrjes apo granteve janë bllokuar. Sipas raportit zyrtar për borxhin e jashtëm, nuk janë tërhequr fare mjete për 7 projekte me kredi, në vlerë prej 177 mil euro, të ratifikuara gjatë viteve 2017-2022. Janë marrë qindra miliona euro kredi për shpenzime rrjedhëse për skema sociale dhe mbështetje buxhetore. Janë marrë kredi 7 mil euro për vaksina e nuk është shfrytëzuar granti i Komisionit Evropian, i cili është kthyer prapa. Afër 300 mil euro mjete të BE-së dhe donatorëve mbesin të bllokuara për shkak të sanksioneve të BE-së.
- Korniza makroekonomike është përkeqësuar
Përkeqësimi i kornizës makrofiskale ka ardhur fillimisht nga kriza globale, e mandej është thelluar nga mungesa e politikave apo politikave të gabuara, përfshirë rënien e investimeve kapitale nga 20% në 10% të buxhetit, rritjen e normës së interesit në kredi, pasigurinë politike nga dështimet në dialog dhe mos koordinimi me aleatët, sanksionet nga BE-ja me qindra miliona euro të bllokuara etj.
Rrjedhimisht, nga marrja e mandatit rritja ekonomike është me trend rënës. Në këtë mandat norma e rritjes ekonomikë është më e ulët krahasuar me të gjitha qeveritë paraprake, përjashto vitin e pandemisë dhe vitet e krizave ekonomike (shih Figurën 3).
Burimi i të dhënave: Nga të dhënat e ASK-së.
Marrëveshjet e shumta me Shqipërinë nuk po zbatohen, duke pamundësuar materializimin e komplementariteteve ekonomike Kosovë-Shqipëri, në veçanti në turizëm, bujqësi dhe energjetikë.
Nuk ka pasur politika të reja fiskale. Ligji i ri për investime të qëndrueshme e ka anuluar ligjin për investime të jashtme dhe ligjin për investime strategjike, duke e humbur fokusin nga mbrojtja e investitorëve të jashtëm.
Rregullatorët ekonomik mungojnë ose janë pasiv. BQK-ja, Trusti Pensional dhe OSH-ja ishin pa menaxhment për kohë të gjatë. Komisioni për Ndihmë Shtetërore nuk është themeluar fare. Komisioni i Konkurrencës është inekzistent.
Ka mungesë të dialogut me sektorin privat dhe sindikatat. Odat Ekonomike janë përjashtuar nga procesi i përgatitjes së legjislacionit ekonomik. Sindikatat luftohen aktivisht. Paradoksi është se një qeveri e majtë, që ka premtuar mbështetje për organizim sindikal edhe në sektorin privat, ka penguar organizimin sindikal edhe në sektorin publik. Regjistrimi i anëtarësisë sindikale është i kontrolluar nga Qeveria. Ka ndodhur ndëshkimi i sindikalistëve të Trepçës gjatë kohës së grevës. Sot, sindikatat në sektorin publik kanë kaluar në “grevë të heshtur”.
Kushtet e të bërit biznes janë përkeqësuar. Të gjitha barrierat e të bërit biznes janë rritur në vitin 2023 krahasuar me vitin 2017. Si rezultat i rritjes së barrierave, ka rënë aktiviteti biznesor. Në vitin 2023 kanë qenë 68 mijë biznese aktive, që është 5 mijë më pak se në vitin 2019.
Është thelluar deficitit tregtar (dallimi mes eksporteve dhe importeve) nga 3.1 miliard euro në vitin 2019, në 5.1 miliard euro në vitin 2023 (shih Figurën 4).
Burimi i të dhënave: Të dhënat nga ASK.
Rreziqet fiskale nga ndërmarrjet publike mbesin të larta. Është trumbetuar se është përmirësuar performanca e ndërmarrjeve publike, por të hyrat dhe detyrimet e ndërmarrjeve publike janë të njëjta. Nuk ka asnjë vizion për zhvillimin e Trepçës. Telekomi ka marrë kredi nga buxheti. Paguhen miliona për ndërmarrje publike pa asnjë plan. Bordet e Ndërmarrjeve Publike veprojnë janë pa asnjë politikë shtetërore të menaxhimit të ndërmarrjeve publike, siç ndodhi me rritjen e tarifave për ujitje të tokave bujqësore.
- Standardi i jetës është përkeqësuar
Barra për buxhetin e familjeve është rënduar. Inflacioni ka qenë mbi 20%, ndërkaq për shportën bazike të konsumit mbi 50%. Si rezultat, ka rënë vlera reale e: pagave, asistencës sociale, pensioneve dhe përfitimeve për qindra mijëra familje. Asnjëra nga këto burime të ardhurash për familjet nuk u indeksua për normën e inflacionit. Energjia është shtrenjtuar 117%. Janë rritur faturat për të gjitha shërbimet publike. Është dyfishuar tatimi në pronë për qytetarë dhe është trefishuar për biznese.
- Performancë e dobët në sektorët kryesorë
Treguesit e performancës të përfshirë në projektligj janë pa kuptim ose të pamatshëm. Të tilla janë treguesit për perceptimin për korrupsionin, për reduktimin e ngarkesave administrative, për numrin e organizatave ndërkombëtare ku Kosova është anëtarësohet, numrin e takimeve të diplomacisë ekonomike, anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe etj. Nuk është ndërtuar asnjë kapacitet i ri energjetik. U anulua projekti i gazit. Toka bujqësore nën ujitje mbetet e pandryshueshme. Në arsim duhet shpenzuar 6% të PBB-së, por shpenzohet 3.87% sipas të dhënave për vitin 2022. Në shëndetësi duhet shpenzuar 6% të PBB-së, por shpenzohet 2.7% sipas të dhënave për vitin 2022. Në mbrojtje duhet shpenzuar 2% e PBB-së, por shpenzohen vetëm 1.25% sipas të dhënave për vitin 2023.
- Projektbuxheti për 2025 ka shkelje ligjore
Neni 33 përbën shkelje ligjore pasi e ndryshon ligjin e pagave. Sipas këtij neni, vlera në euro e koeficientit mbahet e pandryshueshme, por ndryshohet niveli i koeficientit. Kjo e shtrembëron strukturën hierarkike të pagave.
Neni 35 gjithashtu përbën shkelje ligjore pasi e ndryshon ligjin e tatimit në pronë, duke e shtyrë për një vit zbatimin e normës progresive të tatimit në pronë. Norma progresive nuk ka kuptim ekonomik. E para, ngarkesa tatimore në pronë është progresive për nga mënyra e llogaritjes – sa më e lartë vlera e pronës, aq më e lartë ngarkesa tatimore. E dyta, të hyrat e shtetit nga tatimi në pronë përdoren për mbulimin e kostove të shërbimeve publike të lidhura me pronën. E treta, të ardhurat që zotëruesi i pronës i ka përdorur për blerjen e pronës janë tatimuar më herët, ndërkaq të ardhurat që zotëruesi i pronës i gjeneron nga prona tatimohen si të hyra nga qiraja. Përveç kësaj anomalie, ligji i ri i tatimon edhe tokat bujqësore të kultivuara, të cilat me ligjin paraprak ishin të liruara për të nxitur pronarët t’i kultivonin ato ose t’i jepnin në shfrytëzim.
Sipas nenit 11, vazhdon mbledhja e të hyrave në mënyrë të veçantë për katër komunat në veri, edhe pse është premtuar rishikim i të marrëveshjeve paraprake. Janë ndarë e 4 milionë euro për Sanxhak dhe Luginë të Preshevës, në vend se të bëhen përmes ministrive të linjës. Nuk është funksionalizuar Zyra për Luginën e Preshevës në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, e cila është themeluar në qeverinë paraprake.
- Çfarë duhet bërë qeveria e ardhshme?
E mira është se ky buxhet është transitor. Qeveria e ardhshme do ta ketë prioritet ndryshimin e tij. Ndryshimet duhet të përfshijnë:
- Rritjen e pagave, pensioneve dhe skemave sociale për normën e inflacionit;
- Buxhetimin e plotë të projekteve kapitale dhe shpërndarjen nëpër sektorë dhe komuna sipas nevojave;
- Buxhetimin e sigurimeve shëndetësore;
- Financimin si duhet të arsimit dhe shëndetësisë;
- Buxhetimin e kontratës kolektive në konsultim me sindikatat;
- Financimin e ushtrisë sipas planit të avancimit të dakorduar me aleatët;
Në veçanti duhet të kthehet ligjshmëria në shfrytëzimin e buxhetit, si dhe kthimin e buxhetit tek qytetarët dhe bizneset përmes investimeve dhe mbështetjes ekonomike dhe sociale.