Për reformën e vonuar në arsim duhet të flasim sot, jo në shtator - NACIONALE

Për reformën e vonuar në arsim duhet të flasim sot, jo në shtator

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Të pasurit në krye të shtetit një kryeministër që mbahet për gjeni i pakonfirmuar dhe një arsim të shkretë, është e mërzitshme, dëshpëruese.

Në fushën e arsimit dhe edukimit, kemi pritur më shumë dhe më shpejt nga kjo qeveri. Sistemi arsimor është një makinë e rëndë, e pajisur me një forcë të madhe inercie. Për ta riorientuar trajektoren e saj, njësoj sikurse Titanikun, duhet kohë, por kjo nuk duhet t’i dekurajojë ata që e kanë këtë përgjegjësi që sa më shpejt t’i fillojnë ndryshimet e nevojshme në sistem, që sa më parë ta bëjmë ndryshimin e nevojshëm. Siç është një thënie: Koha më e mirë për të mbjellur një lis ka qenë para njëzet vjetëve, koha e dytë më e mirë është sot. Jo në shtator. Sot.

Shkruan: Gazmend Demolli (https://twitter.com/GazmendDemolli)

Edhe pse më kruhet dora, nuk do të hyja për të elaboruar se si do të duhej të dukej kjo reformë, sepse ky është misioni i Qeverisë dhe i Ministrisë së Arsimit. Megjithatë, dua të vë në spikamë disa çështje, të cilat duhet të trajtohen në mënyrë të plotë dhe urgjente.

Zotërimi i plotë i gjuhës shqipe dhe i bazave të matematikës - Cikli i ulët duhet të ridefinohet që ta synojë përmirësimin e zotërimit të njohurive themelore: lexim, shkrim, numërim dhe respektim të të tjerëve. Është baza që do ta mundësojë zotërimin e njohurive të tjera. Duhet ridefinuar kurrikula, duhet rishikuar koha që i kushtohet mësimit të gjuhës, shkrimit, leximit, kuptimit. Ndoshta të duket pak e zmadhuar, por nëse shikohet sot niveli i gjuhës shqipe, me të cilin fëmijët hyjnë në shkollë për shkaqe të shumta e të ndryshme socio-kulturore, ku gjuha shqipe, në shumicën e rasteve, është gjuhë e dytë, zotërimi i saj është urgjencë. Nuk është rastësi që testi i Pisa-s e përqendron vlerësimin në gjuhë dhe në matematikë. Dhe jorastësisht jemi larg. Në këtë grafik mund t’i krahasojmë shpejtësitë e mësimnxënies nëpër vende të ndryshme duke u bazuar në koeficientin e Pisa-s, nëse mësimnxënia do të ishte disiplinë olimpike.

Kopshte dhe çerdhe për të gjithë - Për ta mundësuar synimin e shprehur më lart, duhet punuar që çerdhet të bëhen një levë për barazi dhe sukses. Janë premtuar shumë çerdhe, por nuk po shihet që po jetësohen. Dy janë hapur. Për më shumë, janë penguar, në Kamenicë, ku riorganizimi i shkollave e synonte krijimin e hapësirave për edukimin parashkollor. Kopshtet duhet të jenë një shkollë e vërtetë e gjuhës dhe e zhvillimit të fëmijëve, nëse arrihet një përfshirje e plotë e tyre në kushte të mira që nga mosha më e hershme. Duhet, po ashtu, të optimizohet numri i nxënësve për klasë, në kopshte, por edhe në klasën e parë dhe të dytë, në mënyrë që t’i kushtohet kohë e mjaftueshme secilit nxënës që në vitet e para, por edhe mundësi materiale dhe cilësore e nxënies për secilin. Të gjitha vendet e zhvilluara e kanë zbritur moshën e hyrjes në shkollë, disa edhe duke e bërë të obliguar shkollimin nga mosha 3-vjeçare. Shikoje grafikun ku tregohet përqindja e fëmijëve të inkuadruar në shkollim parafillor sipas moshës, ku shihet se gjithandej fillohet nga mosha 3-vjeçare. Kjo e lufton pabarazinë që në moshën më të hershme.

Metoda më të avancuara pedagogjike - Mësuesit dhe arsimtarët duhet t’ia kushtojnë 20 për qind të kohës mësimit të metodave të reja pedagogjike. Duhet përgatitur udhëzime për mësimdhënie për secilën lëndë, duhet krijuar mundësi bashkëpunimi, shkëmbimi dhe, mbi të gjitha, duhet t’u krijohen mundësi optimale e materiale për t’i zhvilluar lëndët e tyre. Nuk është sekrete se kushtet mësimore në shumë shkolla nuk janë optimale. As afër.

Gjersa në një shumicë të territorit, shkollat kanë humbur nxënës dhe janë zbrazur, në kryeqytet dhe në disa zona të dendura, ka një mbipopullim të nxënësve në klasë, fakt që pamundëson një qasje të mirëfilltë pedagogjike. Këto nuk janë gjëra të ndara, numri i nxënësve në klasë është i lidhur ngushtë me metodat pedagogjike që mund të zbatohen. Asnjë metodë e denjë pedagogjike nuk mund të zbatohet me 42 nxënës në klasë, por as në një klasë me pesë nxënës të katër niveleve të ndryshme.

Është shkelur Kushtetuta e Republikës së Kosovës për të penguar një riorganizim të shkollave në Kamenicë, me të cilin synohej një riekuilibrim. Për ata që nuk e kanë të qartë këtë, mund të shihni në figurën më poshtë se si është penguar transformimi në kopsht parashkollor i paraleles së ndarë në Kopernicë, e cila është më afër shkollës së Hogoshtit sesa disa lagje të Hogoshtit, e, në anën tjetër, në Prishtinë, ka pasur ndërtime e ndërtime, por nuk ka objekte të mjaftueshme shkollore e parashkollore.

Shkolla me qëndrim tërëditor - Jemi sigurisht shumë larg kohës, kur nxënësit do të mund ta kenë kujdesin e plotë nga shoqëria, me një qëndrim tërëditor që ngërthen në vete mësim paradite dhe pasdite, drekën në mesditë dhe kohë të caktuar mes orëve për ndihmë rreth detyrave të shtëpisë dhe ndihmesa të tjera për nxënësit në nevojë. E kombinuar me një digjitalizim më efikas të komunikimit me prindër dhe nxënës, duke mos e lënë anash barazinë sociale të përdorimit të këtyre mjeteve. Po ashtu, në këtë hapësirë kohore do të mund të integroheshin aktivitete të rregullta kulturore, artistike dhe sportive. Nuk është e thënë që e gjithë kjo të bëhet menjëherë në formën përfundimtare, siç haset nëpër Evropë dhe gjetiu, por mund të bëhet në faza. Së pari, duhet të mundësohet që të gjitha shkollat të punojnë vetëm me një ndërrim, shumë e rëndësishme. Si arrihet kjo në Prishtinë? Ndoshta duhet që objekti i “Rilindjes” të shndërrohet në shkollë. Kjo do të ishte rilindja e vërtetë. Sepse gjithë ajo ndërtesë luksoze, e ndërtuar aty afër, kërkon shkollë të denjë. Ku do të shkojnë, përndryshe, në shkollë fëmijët e atyre rrokaqiejve që po ndërtohen aty?

Lajme të ngjashme