Paqja e ujkut - NACIONALE

Paqja e ujkut

8 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Col MEHMETI

Paqja e ujkut që e ofron Vetëvendosja nuk e bind askë.

Ajo duket si përgatitje për prapësinë e radhës, me shumë gjasë ndaj atyre që bëhet sikur po ua kreh bishtin.

Ka plot arsye pse askush nuk i zë besë shtirjes së Kurtit si djalosh shembullor që më në fund e paska ndarë mendjen të jetojë paqësisht me papërsosuritë e një demokracie liberale.

Toleranca nuk ka banuar ndonjëherë në VV, as kur ishte fëmijë si lëvizje e as kur u rrit si parti.

Për ç’arsye atëherë do të duhej të besohej se ujku që e përlau çdo dele brenda partisë, që e asgjësoi secilin zë rival, ka vendosur me gjithë mend të bëhet babaxhan tolerant jashtë partisë?

Qartazi, Kurti nuk e do as një çast të vetëm normaliteti ku projektori i vëmendjes do të ndriçonte paaftësinë e tij tërbuese për të qeverisur.

Në këtë vend të hamamtë ku nuk shkëndijon asnjë vizion për të nesërmen, shoqëria është e lirë të ndërkryhet e marroset në luftëra kulturore për cikërrima.

Përplasjet kulturore gjithmonë qendërzohen rreth relativitetit kulturor dhe perspektivave të ndryshme mbi norma të caktuara. Ai që dikujt mund t’i duket zakon i mbrapshtë, për tjetrin mund të jetë fare zakon i bukur, prandaj mëngjesi mund të gdhijë për te dytë duke diskutuar pa ndonjë pajtim.

Kështu, lufta kulturore fiton pasion vrasës kur nga prapa i fryen një vullnet malicioz i cili bëhet sikur do t’i dyluftojë etikisht e moralisht papërsosuritë e demokracisë.

Qesharakisht, Kurti i konsumuar nga pushteti pesëvjeçar më nuk ka as kapacitet gjuhësor për të abstrahuar, për të pleqëruar zgjidhje a shestuar ide.

Ai është veçse njaj lideruci shpirtngushtë që gjithçka arrin ta shqiptojë është një ofshamë hakërrimi: “Eh, media ka liri të tepërt …”

Kurdo që shkruhet biografia e parë për të, faqe pas faqe, do të kuptohet se rruga e Kurtit drejt fronit nuk ka qenë një Via Crucis, ajo ecja sfilitëse e torturuese e Krishtit nën përcjelljen e ushtarëve romakë.

Kanë qenë të tjerët që i kanë paguar kostot për të, të tjerët që janë gjembosur, sakatuar, vrarë e vetëvrarë.

Rruga e Kurtit nuk ka thuajse asnjë stacion të vetëm ku ai dhe bashkëpunëtorët e tij të kenë reflektuar pendimtarisht se kanoni i revolucionit urban është veçse qorrsokak.

Nuk ka pasur asnjë moment ku ata të jenë konvertuar sinqerisht në njerëz të devotshëm ndaj demokracisë liberale.

Faqe pas faqe në këtë biografi që ende nuk është bojatisur do të kuptohet se fati i ka buzëqeshur Kurtit kur ai përnjëherësh e ka maskuar veten e tij si ujk duke hedhur sipër krahëve një gëzof qengji.

Nëse një historian i së ardhmes i bën hesapet për Kurtin, duke i peshuar dritëhijet e tij, aty nuk del që gazetarët kanë komplotuar kundër tij.

Madje, çuditërisht, Kurti është amplifikuar thuajse nga të gjitha mediat në të gjitha kohërat.

Budallallëku i tij dikur ka jehuar në Top Channel ku moguli i tij, Dritan Hoxha, bëhej si patron dashamir që djaloshi kosovar të fliste për “bashkim kombëtar”.

Vetëvendosja ka marrë flatra edhe kur stafet editoriale të Epokës së Re, Gazetës Express, Botës Sot, Kohës Ditore e ndonjë tjetre ndanin faqe gazete për të.

Përmbajtjet mbase begatoheshin me laramani zërash radikalë, por askush nuk e përfytyronte se kjo laramani ishte gracka magjepëse për një të ardhme ku gjithçka do të zymtohej e varfërohej diskursivisht e kulturalisht.

Si frikacakë që janë, njerëzit e Vetëvendosjes, megjithatë, nuk e patën kurrënjëherë guximin që të vinin trekëmbëshin për mediat.

Ata deshën vetëm t’i delegjitimonin ato duke ua shkërmoqur besueshmërinë.

Lexo edhe: Hashim kthehu e na i mbroj mediat, aman!


A nuk e bëri këtë vetë Kurti kur para një viti, në një konferencë të jashtëzakonshme, foli pak e hiç për ‘sulmin’ në një kanal të Ibrit, dhe vetëm e ftoi popullin që të mos u besonte mediave?

Ju bëj thirrje qytetarëve që të refuzojnë të informohen nga disa portale që ata i njohin shumë mirë, e që, fatkeqësisht, ndonjëra më shumë e ndonjëra më pak, janë bërë pjesë e një lufte hibride kundër Republikës së Kosovës, popullit të Kosovës dhe kombit shqiptar”, pati thënë Kurti i cili, edhe gjatë një emergjence të tillë nacionale, gjente kohën e dynjasë që qytetarëve t’ua rekomandonte se kë duhet ta lëçisin e kë ta besojnë.

Dhe për kaosin që pasoi nga shembja e besimit në media u gjet një melhem i përkohshëm.

Vetëvendosja tash e pesë vite shërbehet me media jokonvencionale.

Narrativa nuk diktohet gjithmonë nga marshallët e VV-së, por regjimi qëllimisht mundëson që hoi polloi (turma) të bëhen autorë të fantazive urrejtëse.

Sundimi i turmës kurrë nuk do të quhej i përfunduar nëse një demagog gjithmonë e merr fjalën para miletit të tërbuar.

Siç e kërkon moderniteti i sotëm teknologjik, turma e përjeton iluzionin e një vete të faktorizuar saherë që dikush nga radhët e saj, njeriu mesatar pra, vihet para mikrofonit a kamerës.

Prandaj, VV-ja e ka krijuar një rrjet të pambarimtë faqesh, profilesh e kanalesh në të cilat ‘lajmi’ jeton pa rregullat kardinale të gazetarisë.

‘Lajmi’ aty nuk e begenis rregullin universal të gazetarisë me pesë W-të e njohura (Who? What? When? Where? Why?).

Në këtë botë të kthyer mbrapshtë, ‘lajmi’ e fiton statusin e së vërtetës vetëm kur e validon një bindje apo e ushqen një urrejtje paraprake të publikut.

Por, këto media nuk e marrin kurrë barrën e rëndë që e ka gazetaribërja dhe as nuk kanë nerva të merren me hallet e njerëzve që, prapëseprapë, kërkojnë ndihmën e ‘gazetarëve të Vuçiqit’: dikush pse iu bë një hile në konkursin e kurdisur, dikush pse u ndëshkua nga shefi në punë, dikush pse një mjek e mori në qafë e dikush pse asfalti nuk po i vjen prej vitesh në mëhallë.

A janë mediat problemi i vendit ose, po u shërbyem me fjalët e Kurtit, a është me zarar ‘tepria’ e lirisë së tyre?

Le të imagjinojmë sikur për një ditë, ose për një javë të tërë, mediat në solidaritet me njëra-tjetrën nuk do të raportonin asgjë.

Le të imagjinojmë sikur zallamahia e një dite pune do të zëvendësohej me një boshësi të plotë.

Nuk do të kishte as lajme protokollare, as njoftime policore për aksidente e arrestime gjatë ditës, e hiç se hiç zhbirime gazetareske për ndonjë aferë.

Më kot do të klikonim e do të rifreskonim faqen e këtij ose atij mediumi, por ballina prapë do të ishte me lajmet e para një jave.

Do të rrinim si të mpirë gjithë ditën duke parë reel-sa e video të shkurtra me një fshatar në Anadoll që bërlyket me një mëzat, do të shihnim humor të dhjerë njerëzish të Botës së Tretë të cilëve u duket qesharake kur e rrëzojnë shoqi-shoqin…thjesht, do të dukej sikur një ëndërr në një botë të pakuptueshme.

Por a do të bëhej puna e regjimit të Kurtit më e mirë?

A do të vezullonte krejt papritmas hijeshia e punëve mbresëlënëse të regjimit?

A do të fitonte regjimi një yrysh të ri për të bërë punë të tjera më të mira?

A do të qetësohej popullata pro-regjimit?

A do të ishte ajo një ditë pa anksiozitet e stres se mos gazetari kundërshtar po shpërpush ndonjë aferë e po lëndon sedra andej e këndej?

A do të gjallnohej kjo popullatë kur regjimin nuk do ta shihte të sharë e të përqeshur?

Te një nga novelat e José Saramagos, qeveria portugeze habitet fort kur në ditën e zgjedhjeve 80 për qind e votuesve i dorëzojnë të zbrazëta fletëvotimet.

Kjo skenë surrale bëhet vëngu për diskutime të gjera mes ministrash se çfarë duhej të bënte qeveria ndaj këtyre votuesve fletëbardhë.

Po çfarë do të bënte regjimi nëse mediat, për një ditë ose një javë, do ta linin të lirë Kurtin që t’i binte vetë violinës?

Me shumë gjasë, siç është dëshmuar me dhjetëra herë, regjimi do ta kthente grykën e revoles kah vetja.

Njerëzit e regjimit do t’i hanin kryet shoqi-shojt në valë spastrimesh…

Lajme të ngjashme