Panegjirik për Vullnetin - NACIONALE

Panegjirik për Vullnetin

2 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Përllogaritja e meritës mbi Vullnet Krasniqin nuk shënohet përmes një çmimi vjetor për gazetari – si një rutinë e çdovjetshme që bie mbi dikë që ka kryer e punuar mirë një temë ose hedhur dritë mbi diçka që përndryshe do të kishte qëndruar brenda vellos së saj; e pazbuluar.

Një nga përkufizimet më të vjetra të drejtësisë që hasim – prej faqeve të para të Shtetit të Platonit – është që “t’i japësh secilit atë që i takon” dhe kjo është një definicion që shënon “të qënit fer” si pikënisje e elaborimit drejtësisë në këtë drejtim.

Këtu unë vet po provoj të jem “fer” e “i drejtë” në paraqitjen – sigurisht për aq sa mund të mos jem subjektiv – të asaj që shoh që përfaqëson Vullnet.

Unë që vet punoj në media e di mpirjen mendore që vjen si pasojë e një milion informatave që kërkojnë trajtim, kontekstualizim, renditje dhe përkthim në kuptim për publikun që ka interes të jetë i informuar për ngjarjet e ndodhitë në vend e më tej.

Në një kohë kur në mbarë botën zhargoni rreptësisht teknik i kësaj apo asaj lëmie të tëhuajëson qenien dhe nëse s’je i njohur me fushën thjesht heq dorë nga tema dhe çinteresohesh imponueshëm, Vullneti mbase përbën magjinë e shpërbërjes së mjegullave – që ‘ujqërit’ e duan sa më të trashë në gjahun e tyre – drejt ofrimit të një pamje ku depërton drita; të themi, si njlë dritësues i ngjarjes.

Dhe atë jo veç si një transmetues tradicional në autopilot që gjuan informacione para kameres pa u brengosur për të kuptuarin e dëgjuesit ose fitimit të vëmendjës dhe interesimit së tij; por si dikush që ka instaluar sharm e humor në vetë lajmin dhe që e ka inkuadruar edhe dëgjuesin e tij në një zhanër të ri të lajmërimit përmes performancës autentike.

Esenca e humorit, është thënë kaherë, është te befasimi; dhe befasimi është spontaniteti; e këtu konsiston mjeshtria e Vullnetit; ndonëse mund të tingëllojë paradoksal mjeshtrimi i spontanitetit.

Por, karizma – një element ky pashmangshëm i dashur dhe i nevojshëm për magnetizimin e vëmendjes së tjetrit – është gjë, në fund të fundit, që e ke ose s’e ke; si njëfarë shkëndie që shkrep në zanatin që kryen. Atribut ky që Vullneti e ka prezantuar në gazetari, dhe e ka shndërruar madje tash edhe në kërkesë anëkend mediave.

Edhe ata që mund të mos e duan për arsyen më fanatike, bien pre e charm-it të Vullnetit – njoh madje edhe dhjetëra njerëz të kualifikuar në shkencat më ekzakte e filozofike që s’duan t’ia dinë për ngjarje ditore që megjithatë te Vullneti gjejnë kohë për ta dëgjuar dhe m’i dërgojnë videot e tij duke i ndarë edhe fraza.

Me lirinë e sigurinë më të madhe mund të them që – qe së paku një vit – Vullneti e ka shndërruar në “obsolete” gazetarin solemn, serioz, të përpiktë, hijerëndë; dhe ka shtrirë shtigje të reja performativiteti në gazetari. Kjo natyrshëm ka prodhuar një vagon imitantësh e duplikatësh; sigurisht, si çdo origjinator.

Sepse, unë s’mund të paramendoj sukses më të madh se t’i sjellësh gjë të re zhanrit, dhe ajo e re të inkorporohet në zhanër; dhe zhanri thjesht s’mund të kthehet më në fazën proto-Vullnet.

Ky është veç një panegjirik për Vullnetin, që skicon fare pakëz, atë që ai është në tërësi.

Lajme të ngjashme