Një rishikim bislimian i konsistencës
Shkruan: Xhezair Dashi
Është Zëvendës Kryeministër për Integrime Evropiane që mendon se Migrimet Masive Evropiane “janë diçka normale”. Qytetarët ikin se duan standard më të mirë jetese, thotë tautologjikisht Besnik Bislimi, derisa shpjegon kontradiktërisht se sa suksseshëm po ndërtohen standardet më të mira të jetesës në vend me qeverisjen e tyre. Është skizoidëm, por është shpjegim i Bislimit. Është edhe/edhe.
Dy negative mund të formojnë një pozitive. Në ndonjë gjuhë si rusishtja negativja e dyfishtë mund të mbetet ende negative. Por, në asnjë gjuhë dy pozitive s’mund ta bëjnë një negative. Kështu ligjëronte një linguist derisa një zë nga fundi i klases nën frymë thotë: Po, po...qashtu. Një shaka e tillë i shkon për shtati raportimit të Bislimit.
Bislimi, në fund të fundit, e ka kollaj. S’i ka kërkuar votë askujt dhe është i dyti në qeveri. Por, çfarë u kërkon Bislimi afro 2 milionë qytetarëve kosovarë është njohja e pagabueshmërisë së supozuar epistemike të tij. Mendon, beson dhe flet sikur e ka ngjitur Mount Cleverest-in...maja më e lartë më e inteligjencës...
P.sh, konsistenca supozohet të jetë virtyt. Bislimi është konsistent në të qënit kontroverz. Unë vonohem çdo ditë në punë, më konsistent se unë nuk ka. Për të numëruar disa konsistenca të Bislimit.
Kapej me gazetarët. I fyente. I quante të palogjishkëm. Tonin e kishte mprehur asisoji për të deflektuar çfarëdo pyetje që potencialisht mund t’ia pengonte hyper kognitivitetin me të cilin krekoset dhe e shpërfaq si pesë gishtat e dorës. Për çka? E pyesnin për Asociacionin.
Në një paraqitje në televizionin publik, Bislimi shpjegonte se si e kishte qortuar rreptësisht ndërmjetësin sllovak, Miroslav Lajçak. “Pse deklarohesh për Asociacionin?”, thoshte Bislimi ta ketë pyetur Lajçakun. “Po gazetarët juaj po na pyesin!”, thoshte Bislimi t’ia ketë kthyer Lajçaku. Me këtë, ai jepte konkluzionin sokratik të tij: Askush në BE nuk na kërkon Asociacionin, vetëm gazetarët në Kosovë, gazetarët po e bëjnë temë, Asociacioni as që i shkon ndërmend dikuj në BE, vetëm gazetarëve u intereson ajo.
Gazetarëve kishte arritur t’ua mëveshte misionin e lajmëtarëve të Zajednicës.
Bislimit i ishte besuar udhëheqja e krejt procesit të negociatave me Serbinë. Ai do ta bënte Serbinë ta njohë Kosovën thjesht-ashtu, me ushtrimin e lirë të fakulteteve më të larta mendore në vend. Artikulonte me orë të tëra se në çfarë pozite të mirë është Kosova në raport me ç’kishte qenë. Ata të mëparshmët e kishin shkatërruar pozicionin negociator të Kosovës. Bislimi e kishte bërë subverzionin e madh.
Për Asociacionin e kishte një premonicion të madh, si dy plus që dy bëjnë katër. Ajo s’bëhet kurrë, as me kompetenca ekzekutive as pa kompetenca ekzekutive. Sepse shikoni, garantonte ai, po qe se vjen dita që “qoftë edhe pa kompetenca ekzekutive” ky Asociacion të risjelljet në tavolinë: Besnik Bislimi nuk është më aty. Me këto tone, ai na ftonte ta mbanin për fjale, sepse sigurisht në fillim ishte fjala. Besnik Bislimi është ende aty.
Ia përmendni këtë sot dhe të thotë epshor.
Më pastaj ia kishte mësyer Parlamentit Evropian për të shpjeguar se si do të dukej ky Asociacion. Bislimi u fliste me emra të përveçëm se si vetë Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, kishte dërguar një letër ku shprehej zotimi i qartë se BE nuk paramendon që ky Asociacion do të përbëjë nivel të tretë ose të ndërmjetmë të pushtetit. Emrat i thoshte të të gjithëve, përveç se kujt i është dërguar ajo letër: [ish]Kryeministrit të Kosovës [Isa Mustafës]. “He who must not be named”.
Ikja nga vendi është diçka normale, tha sot. Dhe, po, e besoj këtë.