Një çmim ndërkombëtar i denjë për Lubonjën - NACIONALE

Një çmim ndërkombëtar i denjë për Lubonjën

3 javë më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Ermal Mulosmani

Pas tri ditësh në qytetin polak të Wroclaw (Vrocuaf shqiptohet, një nga 3 qytetet më të mëdha të Polonisë me një popullsi mbi 1 milion banorë) do të jepet çmimi më i rëndësishëm letrar për letërsinë nga Evropa Qendrore dhe Lindore.

Çmimi quhet Angelous dhe shoqërohet me një shpërblim për fituesin në vlerën e më shumë se 35 mijë eurove (150,000 zllote polakë).

Çmimi është vjetor dhe jepet për botimet e vitit paraardhës nga shtëpitë botuese polake. Ato përzgjedhin titujt më të rëndësishëm sipas tyre dhe i rekomandojnë. Për vitin 2025 u çuan në vlerësimin fillestar 137 tituj prej të cilëve Juria Ndërkombëtare përzgjodhi 14 në fazën gjysmëfinale. Nga të cilët, në finalen e madhe të Angels Award, kaluan vetëm 7 tituj.

Për të dhënë një ide se çfarë përfaqëson ky çmim, e gjej me vend të shtoj këtu se Ismail Kadare ka qenë 3 herë në fazën finale të tij dhe nuk e ka fituar dot. Ka konkuruar me Pallatin e Ëndërrave (2007), Qorrfermani (2011) dhe Aksidenti në vitin 2014. Por Kadare nuk ka qenë i vetmi shqiptar që është kualifikuar në fazën finale. I pari ka qenë Luan Starova në edicionin inagurues të çmimit, në vitin 2006, me romanin Koha e Dhive. Edhe ai nuk fitoi.

Përveç Kadaresë janë edhe disa të famshmëm ndërkombëtarë që nuk e fituan dot këtë çmim. Psh, Në vitin 2007 konkuroi edhe noblisti hungarez Imre Kertezs, në vitin 2008 dhe 2012 konkuroi nobelisti i sivjetshëm Laszlo Kraznahorkai, në vitin 2008 gjithashtu ishte kandidat Gunther Grass, në vitin 2008 dhe 2015 ishte nobelista Olga Tokarczuk e kështu me radhë…

Asnjëri prej tyre nuk e fitoi Angelusin.

Sivjet është një tjetër shqiptar i kualifikuar në fazën finale të Angelus Award, Fatos Lubonja me librin aq të dashur për mua, Ridënimi. I treti pas Starovësn ë 2006 dhe Kadaresë.

Ridënimi është një kryevepër letërsie dhe një rrëfim kurajoz, mjaft tronditës i përjetimit të frikës ekzistenciale në vetë të parë nga autori.

Me pak fjalë libri rrëfen ridënimin e dy të dënuarve për agjitacion dhe propagandë për një letër që këta i kishin dërguar Enver Hoxhës. Janë Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho të dënuarit, dy gazetarë që kishin mbaruar studimet në ish Bashkimin Sovjetik. Ata i bënin thirrje Enver Hoxhës që duheshin rregulluar raportet me sovjetikët sepse, sipas tyre, rruga e nisur prej tij të çonte në qorrsokak. Duket një idiotësi kur e mendon gjendjen ku ata niseshin. Por absurditeti komunist vendos të japë ndëshkime shembullore. Cili është fati i këtyre të dënuarve dhe çfarë e lidh Lubonjën me ta? Pikërisht kjo është tema e librit. Është një libër tronditës ku ndriçohet përcudnimi I mardhënieve të njeriut me njeriun ku provohen kufinjtë ekstremë të tmerrit, ku tragjikja konkuron në çdo faqe me absurden dhe të mban pezull deri në rrrreshtin e fundit të librit.

Unë po veçoj vetëm dy pasazhe të shkurtra nga libri. Në njërin është transferimi i Lubonjës nga Spaçi në Tiranë pas 5 vitesh burg. Është dimër i ftohtë dhe autoburgu mbërrin natën në Tiranë. Është diku në fillim të librit. Autori nuk e ka as të qartë se për çfarë e kanë thirrur në Tiranë por sigurisht e ka të qartë që do jetë një gjë e keqe. Më e keqe se Spaçi…

*****

Kur hymë në Tiranë ishte errur plotësisht. Tek sheshi i Zogut të Zi mori majtas unazës. Fillova të ndjehsha si i ndarë midis ndjenjës së ankthit dhe kuriozitetit për të parë pas pesë vjetësh diçka nga qyteti i lindjes. Më shumë se gjithçka më tërhoqën dritat e dhomave nëpër apartamentet e pallateve të unazës, prapa të cilave gjallonte jeta familjare, mungesën e së cilës e ndjeja aq shumë. Kisha dëshirë të depërtoja me imagjinatë brenda atyre kubeve të ndritshme të mbushur me njerëz e ndërkaq parashikoja, se pas pak, sipas të gjitha gjasave, do të më fusinin në një kub krejtësisht të zbrazët e të errët.

*****

Ndërsa fragmentin tjetër e kam marrë nga fundi I librit. Tashmë jemi në salën e gjyqit, po jepen dënimet. Fadil Kokomani është dënuar me vdekje si kryetari i organiatës armiqësore. Qëndrimi I tij në gjyq është heroic. Të tjerët, përfshirë edhe Lubonjën kanë shpëtuar jetën. Gjyqi ka vetëm një mister: Do të pushkatohet Vangjel Lezho apo do shpëtojë? Shanset janë shumë të vogla por shpresa lexohet. Jepet dënimi: Me pushkatim!

Këtu ëshët një pasazh i tmerrshëm. Tregon sesi Fadili i cili e kishte marrë dënimin më parë e pret me njëfarë ngazëllimi të përzier me dashuri dënimin e mikut të vet më të mirë. Ja sesi e përshkruan këtë moment Lubonja:

*****

Ktheva edhe një herë kokën nga Fadili. Fytyra e tij mbetej e kthjellët, pa asnjë shenjë tmerri. Ai I buzëqeshi Vangjelit përsëri me dashuri.

Më ka mbetur enigmë ajo buzëqeshje dhe ajo kthjellësi. Mu duk sikur ajo shprehte edhe njëfarë çlirimi nga frika se mos shkonte në varr pa shokun e tij, sikur ishte i lumtur që, së paku, nuk do të përjetonte i vetëm tmerrin e vdekjes. Por bashkë me egoizmin e përbindshëm njerëzor, në atë shprehje ndjehej gjithashtu që ai e donte Vangjelin në ato çaste më shumë se kurrë, sikur e shikonte me dhembshuri e dashuri si një vëlla të vogël, paksa të trenbur përpara gollës së errët ku po drejtoheshin; sikur ndjente përgjegjësi për ta ndihmuar në përfundimin e rrugës që kishin nisur së bashku dhe që tani kishte arritur në fazën e saj më të vështirë.

*****

Për mendimin tim Ridënimi është libri më tronditës që kam lexuar për komunizmin në Shqipëri. Megjithëse heronjtë e këtij libri janë pak absurd në kuptimin që japin jetën për një kauzë pa kuptim (afrimin me sovjetikët), letërsia që ka shkruajtur Fatosi e meriton një çmim dinjitoz.

Lajme të ngjashme