Ngjashmëri e frikshme mes asaj që ndodhi në Venezuelë më 1998 dhe asaj që ndodhi në Kosovë në vitin 2021 - NACIONALE

Ngjashmëri e frikshme mes asaj që ndodhi në Venezuelë më 1998 dhe asaj që ndodhi në Kosovë në vitin 2021

6 muaj më parë

nga Berat Buzhala

Hugo Chávez u arrestua në vitin 1992 si udhëheqës i një grushtshteti të dështuar. Në vitin 1994 ai u fal nga presidenti i atëhershëm i Venezuelës. Popullsia e shihte atë si një patriot që po luftonte regjimin e vjetër dhe korrupsionin e përhapur, prandaj, pas lirimit nga burgu, Chávez gëzonte një popullaritet të madh.

Katër vjet më vonë, ky revolucionar arriti të fitonte zgjedhjet në Venezuelë në mënyrë demokratike, me mbështetje masive popullore – mbi 50 për qind të votave. Chávez erdhi në pushtet duke e etiketuar gjithë periudhën nga viti 1958 deri më 1998 si “Republika e Katërt”, ose demokracia e Punto Fijos.

Premtimi kryesor i tij ishte lufta kundër korrupsionit, shkatërrimi i klasës së vjetër politike dhe konfiskimi i pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme. Në zgjedhjet e para, Chávez fitoi mbështetje nga të gjitha shtresat shoqërore, si nga të varfrit ashtu edhe nga të pasurit. Falë aftësive të tij retorike, populli besonte se më në fund kishte ardhur një lider që punonte për qytetarët dhe nuk iu nënshtrohej të huajve, veçanërisht amerikanëve. Fillimi dukej premtues.

Rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare i mundësoi Chávezit ndërtimin e skemave të fuqishme sociale. U ndërtuan banesa për çiftet e reja, u ofruan ushqime falas, shërbime shëndetësore falas dhe programe arsimore falas. Një pjesë e popullsisë përfitonte pa kontribuar, prandaj ishte shumë e kënaqur me këtë formë të re të qeverisjes, të cilën Chávez e quajti “Republika e Pestë”.

Në vitin 2004, gjashtë vjet pas zgjedhjes së tij, u organizua një referendum për largimin e Chávezit nga pushteti, por 59 për qind e qytetarëve votuan kundër largimit të tij. Më pas, në vitin 2006, Chávez shënoi një fitore historike me 62 për qind të votave. Ndërkohë, partitë e themeluara në vitin 1958 filluan të shuheshin gradualisht.

Edhe pse tingëllon e pabesueshme, Gjykata Supreme e Venezuelës, e cila ishte nën ndikimin e Maduros, vendosi që partitë e vjetra të drejtoheshin nga borde të emëruara nga vetë Gjykata Supreme, pra në praktikë nga Maduro.

Që nga viti 1998 e deri pak orë më parë, kur forcat speciale amerikane arrestuan Maduron dhe bashkëshorten e tij, narrativa zyrtare e këtij pushteti, të ashtuquajtur bolivarian, ishte: ose ne, ose rikthimi i Republikës së Katërt – pra rikthimi i “korrupsionit”, “elitave” dhe “shitjes së sovranitetit”. Ironikisht, edhe Venezuela kishte probleme me fqinjin verior.

Për më shumë se 20 vjet, gjuha e pushtetit ndaj mediave kritike ishte brutale. Media janë mbyllur, delegjitimuar dhe akuzuar se financoheshin nga “armiku”. Në vitet ’70 dhe deri diku në vitet ’80, nën regjimin e vjetër, Venezuela ishte vendi më i pasur në Amerikën e Jugut. Ajo qeverisej nga dy ose tri parti, të cilat alternoheshin në pushtet. Kishte korrupsion dhe skandale, ashtu si në shumë demokraci të tjera.

Me ardhjen në pushtet të asaj që u quajt “Qeveria e Shpresës”, ku ndihmat sociale u bënë shtylla kryesore e ekonomisë, filloi ekzodi masiv. Ky eksod është kryesisht produkt i epokës Maduro: rreth 8 milionë venezuelianë janë larguar nga vendi.

Në të njëjtën kohë, shteti ndërtoi mjete “moderne” kontrolli, siç ishte “Carnet de la Patria”. Kjo është një kartë identifikimi e lëshuar nga qeveria, përmes së cilës qytetarët regjistrohen dhe përfitojnë të gjitha ndihmat sociale. Në thelb, ajo funksiononte si një kartë lojaliteti ndaj qeverisë, me një emërtim patriotik. Mbajtësit e kësaj karte, pas votimit, e skanonin atë për të përfituar ndihmat.

Pra, jemi një hap larg – ose pothuajse aty. Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të besojë se ai që përfiton ndihma e jep automatikisht votën, pa pasur nevojë, në këtë fazë, për ndonjë kartë të veçantë.

Regjime të tilla nuk qëndrojnë në këmbë vetëm me ndihma sociale. Pas tyre qëndron një aparat i fuqishëm dhune: policia, ushtria dhe shërbimet e inteligjencës. Maduro deklaronte se ky aparat ishte ndërtuar për t’u përballur me forcat e jashtme, por sot pikërisht forcat e jashtme e arrestuan atë dhe bashkëshorten e tij. Qartazi, ky aparat ishte përdorur kryesisht kundër opozitës dhe mediave kritike.

Sot, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se SHBA-ja ka kryer një operacion në Venezuelë, gjatë të cilit Maduro dhe bashkëshortja e tij janë arrestuar dhe pritet të gjykohen në Shtetet e Bashkuara. Maduro akuzohet se ka lejuar qëllimisht trafikun e drogës drejt Amerikës, si dhe se përmes keqqeverisjes ka shkaktuar destabilizimin e rajonit për shkak të migrimit masiv.

Venezuela është shteti me rezervat më të mëdha të naftës në botë, rreth 300 miliardë fuçi, por kjo pasuri nuk i ka mjaftuar për zhvillim ekonomik. Nën Chávezin dhe Maduron, vendi kishte marrëdhënie të këqija me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, ndërsa krijoi një lloj varësie ndaj Kinës. Është interesante se, ndoshta rastësisht, mbrëmjen para arrestimit, Maduro kishte pritur në zyrë një përfaqësues të posaçëm të presidentit kinez Xi Jinping.

Me gjasë, radha i vjen Iranit. Edhe atje, tash e 40 vjet, ekziston një regjim që erdhi në pushtet duke u përballur me një elitë të korruptuar.

Lajme të ngjashme