Nga errësira energjetike te dritat e korrupsionit: Kush po e fik qëllimisht Kosovën? - NACIONALE

Nga errësira energjetike te dritat e korrupsionit: Kush po e fik qëllimisht Kosovën?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Adri Nurellari

Në një vend normal, njoftimi i një operatori energjetik se nuk prodhohet asnjë kilovat energji brenda vendit dhe se i gjithë furnizimi duhet të mbulohet nga importi, do të shkaktonte tronditje kombëtare. Në Kosovën e keqqeverisur nga Lëvizja Vetëvendosje, kjo kalon si një njoftim rutinë në faqen e internetit të KESCO-s, i shoqëruar me një thirrje që qytetarët të fikin dritat dhe të kursejnë energjinë. Me fjalë të tjera: qeveria ka dështuar në sigurimin e furnizimit bazik dhe barrën ua kalon qytetarëve.

Por kjo nuk është një krizë e papritur. Është një krizë e parashikueshme dhe, më keq akoma, e ndërtuar me dorën e vetë qeverisë. Dhe nëse kërkojmë përgjegjës, duhet të fillojmë nga kryeministri dhe kabineti i tij që me arrogancë ideologjike dhe dyshime të forta për interesa të fshehura, kanë sabotuar sistematikisht çdo alternativë të qëndrueshme të prodhimit vendor të energjisë.

Që me ardhjen në pushtet, Kurti ka rrëzuar tre projekte madhore që mund të kishin transformuar sigurinë energjetike të Kosovës:

1) Akuo Energy, një kompani franceze, u përzu përkundër faktit që kishte siguruar statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një parku me erë në Qyqavicë, një projekt me vlerë 120 milionë euro. Sot, ata po ndërtojnë një park gjigand në Maqedoninë e Veriut.

2) MCC dhe SHBA ofruan një grant prej 200 milionë dollarësh për ndërtimin e një gazsjellësi dhe termocentrali me gaz, që do të ulte varësinë nga thëngjilli dhe importet. Edhe ky projekt u refuzua shoqëruae me fyerje diplomatike dhe strategjike për partnerët tanë më të ngushtë.

3) “Kosova e Re”, me gjithë debatet për impaktin mjedisor dhe trendet aktuale evropiane, do të garantonte 500 MW të qëndrueshme për dekada dhe do maksimalizonte burimin natyror më të vyer të Kosovës. Edhe ky projekt u bllokua, madje duke paguar faturë të rëndë për prishje të njëanshme kontrare.

Për çdo projekt që do të ndriçonte Kosovën, kjo qeveri ka gjetur një arsye për ta shuar. Është qeveria e vetme që mat suksesin me sasinë e dritave të fikura.

Të gjitha këto refuzime janë justifikuar me parime “të gjelbra” apo “sovraniste”, por në realitet, Kosova nuk ka sot as energji të pastër, as të pavarur. Ka import 100%, varësi nga tregu ndërkombëtar, e madje në raste nga Serbia – një absurditet strategjik për një vend që përpiqet të ndërtojë siguri dhe pavarësi. Çfarëdo që ka ndodhur, kjo është jo vetëm paaftësi, por papërgjegjshmëri me pasoja kombëtare.

Nëse do të ishte vetëm mungesë ekspertize dhe eksperience, do ishte dramatike, por jo kriminale. Por faktet na detyrojnë të shqyrtojmë dyshime më të rënda strategjike ose kriminale. Aferat e Nagip Krasniqit dhe Martin Berishajt tregojnë një kulturë të thellë abuzimi në sektorin energjetik. Nëse energjia blihet me çmime të fryra dhe shitet me çmime të ulëta, dikush përfiton. Dhe pyetja që lind natyrshëm është: kush po pasurohet nga errësira e qytetarëve tanë?

Edhe më shqetësues është dyshimi për një sabotim të qëllimshëm të prodhimit vendor, për ta bërë Kosovën të varur, të brishtë dhe të shantazhueshme, në dëm të ekonomisë, të bizneseve dhe të qytetarëve. Në këtë prizëm, heshtja dhe mungesa e transparencës janë vetë forma të tradhtisë së interesit publik.

Ironikisht, Kurti është i vetmi kryeministër në rajon me diplomë për inxhinieri elektrike. Pra, nuk mund të pretendojë injorancë në fushën e energjitikës. Çfarë ka ndodhur është ose me dijeni të plotë, ose në bashkëpunim të heshtur. Të dyja rastet janë të dënueshme.

Së fundmi, por jo për nga rëndësia, kërkesa për qytetarët që të kursejnë energjinë nuk është thjesht e paturpshme, por është një deklaratë bankrotimi qeveritar. Kur shteti dështon të ndërtojë, të prodhojë dhe të parashikojë, ai humb të drejtën të kërkojë sakrifica nga qytetarët sikurse po kërkohen tani.

Është fyerje për inteligjencën e qytetarëve që, pas një seri vendimesh të papërgjegjshme e të dëmshme, qeveria del e u mban leksione për “kursim”. Sikur të mos mjaftonte varfëria, papunësia, dëbimi i investitorëve, izolimi ndërkombëtar, shpopullimi, investimet infrastrukturore të bllokuara dhe faturat e papërballueshme, tani na thuhet se fajin për mungesën e energjisë e ka populli që kinse konsumon shumë, jo qeveria që e ka rrënuar sistemin energjetik me dorën e vet, përmes ideologjisë, papërgjegjshmërisë, arrogancës dhe kapjes korruptive, për mos të aluduar edhe ndonjë motiv më të rëndë tradhëtie ndaj sigurusë sonë energjitike.

Sot, Kosovës nuk i mungon vetëm energjia – i mungon drejtimi i përgjegjshëm, serioz e patriotik. Dhe ky është rreziku më i madh për të gjithë ne.

Lajme të ngjashme