Në Kosovastan mes drogave ideologjike e psikoaktive
Col Mehmeti
Te drama e papërfunduar e Georg Büchner-it
‘Woyzeck’, personazhi fatkeq me po të njëjtin emër gremiset nga dita në ditë drejt shkallmimit mendor.
Shtrëngica ekonomike e bën Franz Woyzeckun, një ushtar i pashpresë në Gjermaninë e 1820-ave, të bie në duart e ndihmës së gabuar.
Ashtu që të fitonte ndonjë kacidhe për gruan e fëmiun kërthi, ai bën punë prej rrogtari te kapiteni i tij, dhe me shtytjen e tij, pranon të bëhet eksperiment njerëzor në duart e një mjeku.
Nga akti në akt e nga skena në skenë, Woyzecku këtë mbijetesë e paguan rëndë.
Kontrata me djallin, në këtë rast Herr Doktor-in, i sjell çdo ditë shkërmoqje të shëndetit të mendor.
E vënë në skenë me mijëra herë ç’prej 1913-s, publiku teatërdashës e sheh fatziun tek thotë “Herr Doktor, ich hab’s Zittern” (Zoti Doktor, kam të dridhura), “Andres, ich hab’ kei Ruh” (Andres, nuk kam rehati) e “Es dreht sich mir vor den den Augen” (Gjërat po më ngatërrohen para syve).
Të tjerët as nuk ia vënë veshin këtyre thirrjeve të dëshpërimit dhe as publiku vetë nuk arrin ta kuptojë dhimbjen që po e zgavron së brendshmi.
Woyzecku nuk është më i njëjti dhe dhéu i normalitetit i shembet nën këmbë për të përfunduar në humbellat e çrregullimeve mendore.
Nuk e di tamam pse ky zë i padëgjuar i Woyzeckut më erdhi kur dje u afishua një copëz video ku një mësimdhënës e dajakoste një nxënës të pamarrëvesh. Kështu së paku dukej në pak sekonda filmim pa kontekst.
Siç edhe pritet, populli i Facebook-ut nuk e la t’i ikte duarsh ky rast që të bëhej gjykatës moral.
Për një pjesë, sjellja e mësimdhënësit nuk meriton asfarë tolerimi (“Çka po menojnë kta arsimtarë!”).
Për një pjesë tjetër, disi më të madhe në numër, flakareshat e dhaskalit për nxënësin ishin më se të merituar (“Valla po e lypin”, “Dajaku u dal prej xheneti”)
Afërmendsh, edhe arbitrimi im moral rrezikon të lërë të pakënaqur e hundëpërpjetë njërën palë ose tjetrën.
Sidoqoftë, një rast si ky e meriton të lexohet duke e mbushur me kontekst përtej një ngjarje të dhunshme.
Peizazhi në shkollat tona nuk është më siç e mbajmë mend të gjithë, nuk është as ai i paraluftës dhe as i pasluftës.
Kur dalim nga ëndrra në zgjëndërr e shohim që shkollat janë tjetërfare. Edhe hallet, nevojat e sprova i kanë tjetërfare nga ç’mendojmë.
“Diçka është qelbur në shtetin e Danimarkës”, i thotë një personazh një tjetri te Hamleti i Shekspirit.
E qelbur si një nevojtore e madhe është edhe gjendja në arsim për të cilin ka zero trysni nga poshtë e zero ndjeshmëri nga lart.
Nuk është gjithaq e pavend ankesa që stafi mësimdhënës është më pak autoritativ sesa kurdoherë më parë për të vendosur edhe një minimum disipline.
Nëse nga sirtarët me shkresurina nxirret Ligji me numër 04/L-032 për Arsimin Parauniversitar në Kosovë, kjo punë nuk është kushedi sa e rregulluar.
Ligji stipulon krejt në tym që shkollat duhet të zhvillojnë rregulla të brendshme për sjelljen e disiplinën, që duhet të propozohen nga bordi drejtues i shkollës e më pas të miratohen nga komuna.
Kjo i bie hiq e mos e këput…
Hëpërhë, është në nivel përshtypje të jashtme më shumë sesa ndonjë vëzhgim sistematik që nxënësit në shkolla fillore e të mesme sot janë verbalisht më agresivë, më mujsharë e më problematikë sesa që ishin brezat e mëparshëm.
Ajo që e tejkalon përshtypjen e jashtme është që në shkolla më shumë se kurrë është rritur numri i përdorimit të substancave narkotike – një shenjë kjo sesi depresioni po e bën kërdinë në kosheren sociale ku janë kontigjentet demografike të lëna pasdore.
E papërditësuar prej vitesh është e dhëna
e Ministrisë së Punëve të Brendshme që paushallon për nja 40 mijë përdorues aktivë të drogave.
Një vlerësim tjetër institucional ngre alarmin që mosha mesatare e përdoruesve të drogës nga 21.4 sa ishte më herët ka rënë në rreth 16 vjeç.
Për t’u kuptuar përmasa e vërtetë e përdorimit të marijuanës në Kosovë e rrethepërqarkun e saj, të dhënat e fundit janë ato nga viti 2024 nga European School Survey Project on Alcohol and Other Drugs (EPSAD), me përimtime nga moshat 15-16 vjeç ndër shkollat e rajonit.
Kosova aty doli me një përdorim prej 5.74
për qind (ku djemtë janë raportuar me 8.19
për qind si përdorues dhe vajzat 3.60 për qind).
Diçka më e vogël doli shkalla e përdorimit në Maqedoninë e Veriut me 5.53 për qind (7.06 për qind djem, 4.05
vajza), kurse në Serbi më e lartë me 6.22
për qind (7.30 për qind djem; 5.32 vajza).
Teksa Shqipëria dhe Bosnja nuk janë përfshirë në raport, vendi me përqindjen më të lartë të përdoruesve të rinj doli Mali i Zi me 9.63 për qind.
Nga nismat parandaluese bie në sy, llafi bie, vendimi i Qeverisë serbe më 2018 që e themeloi Komisionin për Luftimin e Varësisë nga Droga nëpër Shkolla – që e merrte përsipër rritjen e vetëdijes për zararet nga përdorimi i drogave.
Por secili vend në hallin e vet.
Duke u shkëputur nga tabloja statisikore e gjërave, në Kosovë nuk duket që ka farë interesi që projektori i vëmendjes të bie mbi fushën e arsimit e sfidat e shumënduarta që rëndojnë mbi nxënës e mësimdhënës.
Politikat e sadakasë sociale që regjimi i Albin Kurtit i ka kthyer në modus operandi nuk kanë sesi të merren me ‘vogëlima’ si këto.
Brezat e rinj nëpër shkollat fillore e të mesme do të mrizojnë edhe kushedi sa kohë në një mjedis depresiv që vetëm sa i huajëson.
Edhe kur synimi ynë kolektiv për pavarësi e shtet u arrit, një shoqëri e tërë pëlqeu të mbyllej në kullën me frëngji me tema idiote si Zajednica, demarkacioni, gurët e kufirit, metrat katrorë që mungojnë, thikat mbi harta e urat mbi Ibër.
Kjo botë e përçudtë, fryt deliresh provinciale, nuk paraqet jetë, rritë e as mbrothësim për njerëz të rinj.
Arratisja nga një e keqe, si te Woyzecku, shpesh të hedh në krahët e gabuar.