Ndonjë ide për shkatërrim? - NACIONALE

Ndonjë ide për shkatërrim?

3 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Me afro 134 mijë vota më pak, partia në pushtet mund të duket më pak e egër në ambiciet e saj për totalitarizëm. Me shumë gjasë edhe mund të ketë një pazar të gjatë negocial me LDK-në. Por, një Vetëvendosje të tillë, të zhytur në negociata, nuk do t’i dilte hesapi mirë pa konflikt, pa ngatërresa e tension shoqëror. Ky është rasti kur duhet të shpluhuroset nga harresa manuali 52-faqësh që Kurti e shkroi para 10 vitesh. Asokohe, partia e tij ishte minore, pa ndonjë shpresë për t’u votuar masivisht, ndaj edhe Kurti shfaqej tepër autentik në qëllimet e marifetet e tij.

Col Mehmeti

9 qershor 2026 – Procesi i numërimit votë-për-votë e deri te certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve merr kohë rrum një muaj.

Qysh tani, pikëpyetja që trazon është se cilat do të jenë lëvizjet e radhës nga ai që i shkaktoi dy palë zgjedhje të jashtëzakonshme.

Ligjërisht, qeveria jetëshkurtër e shkurtit tashmë ka statusin e qeverisë në dorëheqje që, po t’i përmbahet sharteve të vendit, mjaftohet vetëm me një vazhdimësi formale të pushtetit ekzekutiv.

Ligji për Qeverinë, i njohur në protokolle si 08/L-117, e rregullon mënyrën e të funksionuarit të saj me kufizime të ndjeshme sidomos në vendimmarrje të plota (neni 31).

Por, sipas logjikës anarkiste, ligjet janë bërë për t’u shkelur dhe vetë VV-ja e sfidoi ligjin që e miratoi vetë kur edhe si qeveri në dorëheqje merrte vendime shah nën vete.

Një pazar qymezesh me LDK-në

Përveç aritmetikës së numrave, një kallaballëk rrethanash sugjerojnë se VV-ja dhe LDK-ja mund ta konsiderojnë seriozisht një martesë të re.

Për nja katër muaj e fiu, këto dy parti më 2019 e zgjatën pazarin e tyre negocial në takime formale e joformale, shumica larg syrit të publikut dhe partive të tyre.

Për çudi, një pjesë e shtypit gjerman e simpatizonte ethshëm një formacion të ri mes VV-së dhe LDK-së dhe ua kuronte një imazh të gënjeshtërt.

I tillë ishte analisti i revistës javore Der Spiegel, Keno Verseck.

Në një komentar të botuar në shkurt të 2020-s, ai shkroi se Qeveria Kurti 1 ishte e para në Kosovë që nuk ishte formuar në pazare bodrumesh (“nicht in Hinterzimmerdeals”).

Paradoksalisht, tejzgjatja e negociatave mes VV-së e LDK-së u bë për arsye se ato u kryen me logjikën e pazarit nëpër qymeze e restaruante.

Ky spindoktorizëm nga Gjermania krijoi përshtypjen e gabuar sikur vendimet e emërimet e VV-së bëheshin gjithmonë në dritën e diellit të transparencës e jo nën hije të allishverisheve.

Çfarë mund të bëjë Kurti ndërkohë?

Derisa ky muaj e tjetri do të kalojnë me bisedime të fshehta nëpër hinterzimmerdeals, nuk duket fort e besueshme që Kurti si kryeministër në detyrë do të urtohet e do ta luajë rolin e patriarkut paqtues.

Meqë VV-ja qysh më 2019 thuajse ka hequr dorë nga çfarëdo planprogrami politik para zgjedhjeve, i vetmi ‘kanon’ i saj i shkruar vazhdon të mbetet një dokument që qarkulloi vetëm në rrethet e brendshme të partisë.

Bëhet fjalë për manualin 52-faqësh të quajtur “Mbi organizimin politik”, të cilin Kurti e shkroi më 2016 kur formalisht kryetarllëkun e VV-së e kishte kaluar te Visar Ymeri.

Meqë dokumenti nuk ishte miratuar si strategji nga udhëheqja e asokohshme e partisë, para se të shfaqeshin plasaritjet e brendshme, Kurti do ta shpërndante atë tek më të besuarit e tij.

Ideja nr. 1: “Të komunikojmë pa fakte, por me emocione e përvoja”

I kopsitur si tekst i organizimit militant, me një frymë neoleniniste, ky material 52-faqësh përfaqëson deri më sot të vetmen dëshmi të shkruar të një Albini autentik që shfaqet pa teklif me vizionin e tij.

Te kapitulli “Beteja është jetë”, Kurti harxhonte bojë për një taktikë që i dukej veçanërisht efikase për planet e organizatës së tij.

Atij i kishte lënë fort përshtypje një artikull i pedagogut suedez Lennart Parknäs (1928–2013) i quajtur “Från larm till handling” (Nga Alarmi te Veprimi).

Ç’është e vërteta, artikulli në fjalë nuk ishte manual politik, por një model që pedagogu suedez e propozonte për të rritur angazhimin e shoqërive skandinave për çështje mjedisore.

Sidoqoftë, Kurtit i vinte më mbarë sikur këtë model ta huazonte e ta përdorte sipas leverdisë në Kosovë.

Sipas leximit që Kurti ia bënte Parknäsit, Lëvizja Vetëvendosje nuk duhej t’iu qasej njerëzve duke i informuar me fakte. Pse? “Bombardimi me fakte shkakton pasivitet”, shpjegonte ai.

Pasi e përvetësonte modelin suedez duke e përmbysur për kontekstin në Kosovë, ai i mësonte aktivistët e militantët që të mos përdornin fakte në komunikimet me njerëz. Sipas tij,

“[…] gjatë dialogut me qytetarët, komunikimi nuk duhet të jetë i dominuar prej fakteve por prej përvojave dhe emocioneve që bëjnë krijimin e Ne-ndjenjës” (fq.15)

Në të vërtetë, shumë vite më vonë kur u bë kryeministër, Kurti do të komunikonte mu sipas kësaj recete.

Momentumet artificiale që partia e tij i krijoi nga 2021-a e deri më sot erdhën duke u shërbyer me këtë model.

Faktet u eklipsuan dhe vetë Qeveria i instrumentalizoi kontigjentet votuese të saj duke komunikuar me përvoja e emocione manipulative.

Ideja nr. 2: Dhunë vetëm për “qëllimin” e partisë

Qysh më 2016, Kurti e ëndërronte një gjendje të tejradikalizimit të shoqërisë e cila kësisoj do t’i kryente punët e pista (shpërfytyrimi dhe frikësimi i kundërshtarëve të VV-së), kurse vetë organizata do të hiqej si e pafajshme.

Kjo gjuhësohej te kapitulli “Forca s’është dhunë”, ku lideri në hije i VV-së e arsyetonte para aktivistëve se dhuna e përdorur nga organizata në fakt s’ishte dhunë.

Kësodore, duke cituar Focaultin, ai elaboronte se dhunë mund të kishte vetëm ndaj subjektit, por ajo nuk ishte e tillë kur ushtrohej ndaj objektit.

Sipas Kurtit, “ne kemi dëmtuar dhe dëmtojmë pronë të regjimit por nuk sulmojmë për të dëmtuar policët”.

Teksa letërnxinte radhë pas radhe mbi metodat e organizatës, atë e rrëmbente njëfarë frike se mos aktivistët e militantët e tij do t’i dilnin duarsh me aktet e tyre mujshare.

Prandaj, Kurti sugjeronte që secili akt dhune të mos bëhej kokë në vete, por të kishte parasysh “qëllimet e Lëvizjes”.

Aksionet me dëmtim prone të regjimit duhet të mendohen mirë dhe nuk duhet t’i bëjmë sa për t’i bërë dhe kurrsesi për t’u hakmarrë. Aktivisti nuk është në Lëvizje që ta shfryjë mllefin asnjëherë, askund mbi asnjeri, por të bashkojë e të veprojë për qëllimet e Lëvizjes. Shumicën dërrmuese të aksioneve që disa i quajnë padrejtësisht të dhunshme i kemi bërë në Prishtinë, dhe pikërisht në Prishtinë na duan kaq shumë dhe e fituam qeverisjen lokale” (fq.44).

Ideja nr. 3: “Të bëhemi prush përcëllues”

Gjendja ideale, sipas Kurtit, do të ishte ajo kur shoqëria në Kosovë nis të radikalizohet nga ato gjëra që ia ofronte Vetëvendosja.

Kjo e fundit e kishte për detyrë që të prodhonte diskurs e situata tensionuese me të cilat individët sakaq do të ndjeheshin të lirë të shfrenoheshin në dhunë ndaj atyre që vetë VV-ja i portretonte si armiq të popullit.

Popullsia nuk është as gjak as ujë. Popullsia është diku në mes, një lëng të cilit nuk ia dimë paraprakisht temperaturën e vlimit. Ndërkohë duhet ta nxesh vazhdimisht duke e bërë prushin flakë e flakën zjarr. Lëvizja nuk duhet të jetë si flakë e kashtës por si prush përcëllues” (fq.44)

“Nuk jemi parti, jemi organizatë për goditje”

Për gjashtë vite në pushtet, pjesa më e madhe e opinionit në Kosovë u skandalizua shpesh nga sjelljet e VV-së e cila vijoi të ishte anarkiste edhe brenda kuadrit institucional e shtetëror.

Por, Kurti e kishte paralajmëruar këtë qysh para dhjetë vitesh në manualin e tij.

Te kapitulli “Lëvizja s’është parti”, ai u shpjegonte aktivistëve e militantëve pse Vetëvendosja e tij dallonte në shumë rrafshe nga partia politike.

Sipas tij, “Lëvizja është organizëm dinamik që e merr emrin e veprimit, pra ekziston si organizatë për shkak të forcës goditëse që dëshiron ta japë” (fq.50).

Ideja nr. 4: “T’i kombinojmë mjetet institucionale me ato jashtëinstitucionale”

Kurti po ua bënte të qartë të besuarve të tij se, megjithëse morën pjesë në zgjedhje qysh prej 2010-s, organizata do të përpiqej t’i përdorte institucionet për hesape të saj.

Inkuadrimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në institucionet e sistemit është zgjerim i mjeteve të përdorimit kolektiv politik (e jo i mjeteve të konsumit individual materialist, siç është rasti me politikanët e partive). Lëvizja i kombinon mjetet institucionale me mjetet jashtinstitucionale.”

VETËVENDOSJE! ka një përfytyrim tjetër prej partisë politike sa i përket institucioneve të sistemit. Ne nuk i mendojmë institucionet e sistemit si një shtëpi me salltanet ku do të banojmë, por si mjete të reja të cilat do t’i përdorim. Pra, kemi një imagjinare kolektive brenda nesh e cila është shumë dinamike dhe e cila thotë që duhet të politizohet demokracia.” (fq.51)


Lajme të ngjashme