Mendim Rugova mund të na nxjerrë nga kriza energjetike - NACIONALE

Mendim Rugova mund të na nxjerrë nga kriza energjetike

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Udhërrëfyes se si të tejkalohet kriza energjetike këtë dimër

Shkruan: Gazmend Demolli

Çdo problem ka zgjidhje.

Jemi përballë një problemi shumë të madh energjetik për të cilin duhet secili të kontribuojë të tejkalohet në mënyrën më të lehtë të mundshme. Çmimet e energjisë elektrike në tregjet evropiane janë gati 20 herë më të shtrenjta se mesatarja e viteve të kaluara dhe priten të shkojnë deri në 30 herë ato. Arsyet janë gjeopolitike dhe nuk do t’arrijmë t’i ndryshojmë dot.

Formula që ZRRE e propozoi, besa edhe e futi në aplikim, ishte e padrejtë për disa kategori të qytetarëve, sidomos familjeve shumë-anëtarëshe multigjeneracionale, dhe u shpall jokushtetuese. Ajo formulë nuk do ta tejkalonte testin e kësaj krize në ardhje, por kjo nuk nënkupton se nuk ka krizë dhe se sistemi aktual i tarifave është konform situatës së kriijuar.

Kriza është punktuale. Diku 20 deri në 30 ditë në vit kemi situatë kur konsumi tejkalon në masë të madhe prodhimin vendor energjetik. Kjo për arsye meteorologjike dhe nganjëherë edhe teknike prodhuese.

Institutet meteorologjike sot arrijnë të prognozojnë bajagi saktësisht 3-4 ditë më parë temperaturat që do të mbizotërojnë në vend në një ditë të caktuar. Historiku na tregon se konsumi gjatë dimrit ngritet me zbritjen e temperaturave dhe mund të prognozohet sasia e konsumuar bazuar në temperaturën e prognozuar.

Kur kjo dihet dy ditë më parë, atëherë pse nuk kërkohet zgjidhja për këtë ditë dhe ditët tjera si kjo.

Zgjidhja mund të jetë një çmim 5 herë më i shtrenjtë për të gjithë, i lajmëruar një ditë më parë nga distributori. Për të gjithë. Maksimum 20 ditë (ose 25, 30) në vit dhe maksimum 3 ditë konsekutive.

Çka ndodh kur ky model hyn në zbatim?

Çka ndodh kur familja merr SMS se çmimi do të jetë 5 herë më i shtrenjtë nesër? Nëse ka për të larë rroba, vendos t’i lajë sot ose pas dy dite, varësisht nga vëllimi. Nëse ka planifikuar të ziejë gjellë, pasul ose gjëra tjera që marrin kohë dhe shpenzojnë energji, e pergatit një ditë më parë, për të ngrohur të nesërmen. Nëse ka paraparë të hekurosë, e lë pas dy ditëve. Në ditën 5x zvogëlohet temperatura e ngrohjes nëse është me rrymë, kujdesemi për drita, fiket bojleri, fiket ndonjë aparat tjetër konsumues, mbulohesh pak me qebe. Sepse shtrenjtë, 5 herë më shtrenjtë. Konsumi, kështu, bie drastikisht.

Çka ndodh me bizneset e vogla që përfshihen në këtë model? Fiken neonkat reklamuese, mund edhe të shkurtohet edhe orari i punës nëse biznesi është konsumues i madh. Ndriçimi në përgjithësi mund të modulohet, njësoj sikur edhe temperatura e objektit. Mshelet dera e hyrjes. Kursehet edhe këtu.

Edhe administrata dhe të gjithë kompanitë dhe organizatat mund të bëjnë të njëjtën, mund të kursejnë pak në ndriçim, pak në temperaturë e gjësende tjera.

Nëse një familje konsumon, ta zëmë 10 000 kWh në vit, pra i harxhon diku 1000 gjatë atyre 20 ditëve ku ky model do të aplikohej, atëherë nëse arrin ta përgjysmojë konsumin, do të kishte një ngritje në faturë totale vjetore prej 15%, nëse nuk kujdeset fare do të kishte një ngritje prej 40%, nëse shkon te prindërit atë ditë ia then.

Konsumi mund të bie drastikisht sepse incentiva është e koncentruar dhe e lidhur drejtpërdrejt me kursimin. Nëse arrihet të ketë kursim të vërtetë të energjisë elektrike, atëherë mund të kalojmë nën nivelin e prodhimit dhe se operatori nuk do të ketë nevojë të importojë energji. Por edhe nëse ka import, atëherë ai do të jetë më i vogël dhe me faktin që faturimi është më i madh e mbulon financiarisht.

A ka probleme teknike në realizim, më shkruani në privat.

Hë! Çka mendoni?

Lajme të ngjashme