Mbretëria e majmunëve: Prishtina e shpërfytyruar nga viti 2013
Col MEHMETI
8 tetor 2025 – Zgjedhjet lokale për Prishtinën janë të pakuptimta e absurde. Kështu duken sapo mbaron panairi ditor i fushatës.
Hëpërhë, nuk ka asnjë ofertë politike përveçse partia në pushtet është e përpjestuar në disa mëtonjës që turren për të qenë kryetari i ardhshëm i Prishtinës.
Kjo është tragjedia më e madhe e një kryeqyteti në të cilin ka më pak konkurencë politike sesa edhe në komunën më të skajme të vendit.
Ka ngadhënjyer përfundimisht Mbretëria e Majmunëve
të majtë dhe tash secili ‘program’ papërjashtimisht shërbehet me vizione për sadakë sociale.
Po ta gërryejmë si arkeologu një shtresë dhéu nga programi i cilësdo parti, kazma a lopata has në diçka të ndryshkët. Është kudo, shtresë pas shtrese, mendësia, fryma dhe mediokriteti lleftist që u rrënjëzuan nga Vetëvendosja.
Për aq kohë sa krejt dinamikat e vendit e kanë si pikë rëndese kryeqytetin dhe botën e tij, Prishtina do të duhej ta gëzonte luksin e guximit për të introduktuar projekte që e tejkalojnë kohën.
Aso projekte që frymëtohen shenjtërisht prej gjenisë së kreativitetit të shkartisur me risimtari.
Por në këto shkreti të pikëllimtë lleftiste e islamiste, ide të tilla nuk kanë as dhé ku të mbijnë.
Edhe lajmëtari i vizioneve të tilla është si te ajo parabola e Arthur Schopenhauerit kur na tregon sa e kotë është ta dish orën e saktë në një qytet ku të gjithë shërbehen me koncepte terse të kohës.
Fjalësi i varfër i secilit kandidat tashmë i ka bërë të vetat fjalë e halle që as nuk janë të Prishtinës e as nuk janë të zanafilluara nga autentikja e tyre.
Bie llafi, që të gjithë këta Don Kishotë e Sanço Pança bëjnë sikur preokupohen nga ‘pabarazia’ dhe meraku si të gjendet balsami i saj.
Një qytet është ekumenë, hapësirë banimore, për aq sa mbërrin të hapërojë baraz me kohën duke qenë i përgatitur për t’i natyralizuar prurjet e reja të jetës me pambarimisht teknologji e sjellje të diktuara prej saj.
Vërtet që ka diçka të tillë si dekadencë e rënie edhe në një qytetërim të formatit urban nëse përhumbshëm shërbehemi me terma spenglerianë e toynbeeanë.
Dhe kjo rënie nuk mund të jetë e manifestueshme më qartë sesa në të ashtuquajturat ‘politika sociale’ që shiten lirë e gjejnë blerës leshko kudo.
Mballomat (arnat) sociale nuk janë e as nuk duhet të jenë kurrë tagri i membranës lokale të pushtetit.
Nëse Kosova nuk kishte farë të mbërrimesh ekonomike, ajo megjithatë nga 2008-a po hovte me hapa kilometrikë para të gjithë të tjerëve duke kapitalizuar të mbërrime historike në shtetndërtim.
Por, fisi i majmunëve të majtë e gërmadhoi këtë Kosovë dhe në vend të saj e nxori një Kosovë të llumtë ku për çdo ditë rripi i ngushtohet për një katramë skamje.
Vetëm në këso kondita distopie vijnë në shprehje politikat albinkurtiste “panem et circenses” (bukë e cirk).
Kjo shprehje metonimike për paqen e sipërfaqshme na e sjell ndërmend poetin romak, Juvenali.
Ai e vajtonte satirikisht kohën kur budallallëku romak me votime solli kohëra të vështira e të zahmetshme ku secili hoqi dorë nga përgjegjësitë.
Njerëzit që më parë udhëhiqnin ndershëm ushtri, ushtronin përgjegjshëm detyra publike dhe legjionet krenarisht i shpinin nga fitorja në fitore, tani e tutje shpresonin vetëm për dy gjëra: bukë e cirk.
Edhe ngarendja e mbarë e Kosovës shpresëplotë nuk ishte e thënë që të zgjaste shumë.
Anijes iu ulën velat e rremat ndaluan përnjëherësh.
A nuk ishte kështu ajo ditë e mbrapshtë e 1 dhjetorit 2013 kur Vetëvendosja e okupoi ‘demokratikisht’ Prishtinën?
Nëse qyteti është mënyra sesi ndenjësit e tij e shohin botën, edhe Prishtina e pas 2013-s ishte mënyra e re sesi banorët e saj rezidentë e jorezidentë nisën ta ndjesonin realitetin.
Nga njerëz që luftonin për të hapur dritare ku të futeshin rreze perëndimorizmi, ata u shndërruan si me magji të zezë në zhgan njerëzish arrogantë që e urrenin Perëndimin dhe besonin që ai ishte plot gjynahe ndaj shqiptarëve.
Prishtinës iu hoq jeta, iu zhveshën, si një gjenerali të ndëshkuar, supëzat me grada.
Distopia e mori sundimin dhe më Prishtina nuk kishte asnjë tempull akademik a kulturor që të tejçonte sadokudo autoritet.
Ishte vetëm një aso arene garash barbare me kauza të pakauza siç ishin vitet e çuara dëm pas demarkacionit, asociacionit e gjoja thikave mbi harta.
Ky, pra, ishte cirku tragjik dhe sadakat që na shpalosen si ‘programe’ janë buka!
Gjatë gjithë këtyre viteve tumultoze, VV-ja nuk i mbërriti do standarde modeste që sadokudo ishin etabluar në këtë nënqiell.
Si ai derri që kënaqet në llucën e vet, edhe ajo me feçkën e saj plot turfullima i tërhoqi të gjitha partitë në nivelin e saj.
Qytetërimi i Prishtinës nuk e mori tatëpjetën vetëm në atë kuptimin e ngushtë ku vihet shenja redukcioniste e barazimit me urbanen.
Qytetërimi i Prishtinës ra sepse askush nuk vramendet nëse duhet të ketë një standard më të lartë sesa ato rraqe që na shërbehen në tezgat e katër-pesë kandidatëve.
I lindur dhe i rritur në Prishtinë, me reminishencat e paasgjësueshme nga vitet ’90, me peshën e shpresave, iluzioneve e deluzioneve nga 2000 e këndej, unë sot nuk gjej asnjë përparësi të vetme nga jeta këtupari.
Është njësoj si të kesh një apartament në një skeleturë të atyre qyteteve-uzina në botën sovjetike që kanë mbetur pa frymë njeriu.
Si ai ashkaliu i mirë që del skaj më skaj të qytetit me kamionetën e tij e megafonin që përsërit monotonisht “Hekra, shporeta, maqina të lamjes...”, si ai që ka fatin të jetë Chief Executive Officer në një kompani në katin më të lartë të një shumëkatësheje në kuartin e rrokaqiejve, që të dy jetojnë barazimtarisht në një gërmadhë mjerimi ku vritet çdo ditë secili nocion i jetës urbane.
Me këto vullnete vetëshkatërruese, në Prishtinë duket se nuk ka jetë as tani e as nuk do të ketë në të ardhmen.
Tetë vite i pushtuar nga lleftistët dhe thuajse njëzet vite e kusur i flijuar nga secila qeveri qendrore, ky qytet i namun zor që do të mund t’i mbijetojë edhe shumë kohë kësaj çmendurie.
Kur neve na ofrohen katër kandidatë, aty nuk është se po na ofrohen katër alternativa e katër mijë ylberësi zgjidhjesh.
Aty na ofrohet vetëm një mbijetesë qesharake e poshtrëruese ku mendojmë, njësoj si ai që po mbytet në detin e tallazitur, se do ta gjejmë selametin duke mos i lënë kriminelët e VV-së për ta vozitur timonin e anijes.
Harrojmë se secili tashmë është zombifikuar nga kafshimi i monstrumëve lleftistë...