Mbështetja ime për Agron Shehajn - NACIONALE

Mbështetja ime për Agron Shehajn

1 muaj më parë

nga Berat Buzhala

Mbështetja ime për Agron Shehajn ka filluar në vitin 2018, kur po e shikoja një intervistë të tij në Opinion te Blendi Fevziu.

Më bën shumë përshtypje edhe mendimet e tij për shtetin, por edhe struktura e mendimeve të tij. Isha i bindur që diçka nuk po përputhej me këtë djalë.

Më vonë e kuptova që ai kishte qenë djalë i një familje të përsekutuar nga regjimi kriminal i Enver Hoxhës, që si rrjedhojë e kësaj Agroni dhe familja e tij në mundësinë e parë që kishin pasë ia kishin mësyer Italisë. Agroni në atë kohë kishte qenë vetëm 13 vjeç. Një foto e tij ishte bërë ‘virale’ për kohën. Agroni i vogël në dritare të trenit me 2 gishta të ngritur. Ajo foto ishte publikuar në Corriere della Sera.

Në Itali Agroni e ka përfunduar shkollën e mesme dhe fakultetin. Është rikthyer në Shqipëri dhe e ka nisur biznesin personal me telemarketing. I ka punësuar mijëra njerëz dhe i ka qarkulluar në tregun shqiptar qindra milionë euro.

Gjatë këtyre 7-8 viteve e kam takuar Agronin kohë pas kohe. I ndershëm, pedant dhe me sens të jashtëzakonshëm të humorit. Unë jam i vetëdijshëm që në shoqëri cinike sikur kjo shqiptare, këto cilësi që i ka Agroni mundën mos me u konsideru si diçka pozitive. Shoqëria shqiptare, në përgjithësi, është partizane në kuptimin më të keq të fjalës. Është e kapur, e verbuar dhe e abuzuar.

Këta që e kanë qeverisë Shqipërinë që 34 vite, pas disa javësh sjellje të mirë me publikun, të hënën, sapo ta marrin atë që e kanë kërkuar, e nxjerrin rripin dhe e fshikullojnë po atë publik që i voton. Këto disa javë për këta mujsharë politik ishin të ngjashme me një Shën Valentin të pështirë të një burri abuzues.

Gjatë kësaj fushate zgjedhore jam shoqëru edhe më shumë me Agronin dhe familjen e tij. I kam konfirmuar ato që tashmë besoja. Agroni është prind dhe bashkëshort shembullor, kurse është edhe qytetar i ndershëm i kësaj republike. I paguan taksat për shtetin dhe pagat për punëtorët si askush tjetër. Ai ëndërron që këtë model personal, ku vlerë është puna dhe kreativiteti, ta shndërrojë edhe në standard shoqëror.

Nuk e di a do ia dalë. Ajo që e di me siguri të plotë është që nëse nuk ia del Agroni në politikë, nuk humbet ai por humbet shoqëria. Agroni është i realizuar në çdo rrafsh, kurse shumica e qytetarëve nuk janë.

Disa javë të kaluara në Shqipëri më ndihmuan më shumë se sa kam mendu, që ta kuptoj dhe dua Shqipërinë edhe më shumë. T’i heq edhe ato pak paragjykime që kam mundur t’i kem. Në rrethin e ngushtë të Agronit takova njerëz me dinjitet dhe njerëz profesionistë, si Barbara dhe Eraldi. I takova edhe qindra të tjerë që e duan ndryshimin, e jo riciklimin.

Vizioni i Agronit është i qartë dhe i pastër: shtet i vogël dhe ekonomi e lirë.

Duke qenë që bashkë me familjen kemi edhe shtetësi shqiptare, mezi presim që nesër të shkojmë e të votojmë Partinë Mundësia, numër 10. Është votë e zemrës. Nuk është votë që shkon dëm. Nuk është votë klienteliste.

Në politikën shqiptare, kudo ku jetojnë shqiptarët, ka ardhur koha e Agronit dhe konceptit që ai e përfaqëson.

Lajme të ngjashme