Marrëzia individuale dhe kolektive - NACIONALE

Marrëzia individuale dhe kolektive

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Isa Zymberi

Në këtë shkrim, me parafrazim apo dhe pjesë të përkthyera drejpërdrejt, do të bëhet fjalë kryesisht për dy autorë që, në terma të thjeshtë, janë marrë me çështjen e marrëzisë individuale dhe kolektive. Këtu sillen edhe mendime nga autorë të tjerë pa u cituar burimi. Shumë nga mendimet e tyre tashmë janë pjesë e njohurisë së përgjithshme.

Natyrisht, janë lënë jashtë shumë aspekte të tjera që ndërlidhen me këto fenomene shoqërore.

Autorët janë Carlo M Cipola dhe Dietrich Bonhoeffer. Fillimisht do të bëhet fjalë për punën e Cipola-s edhe pse ajo vjen rreth tri dekada pas asaj të Bonhoeffer-it. Cipola, një profesor universitar në fushën e historisë së ekonomisë, shkroi një ese në vitet 1970, me një dozë humori, të cilin as që kishte dëshirë ta publikonte, dhe thjesht e shpërndau midis kolegëve e shokëve. Më vonë, duke parë interesimin në rritje, e ka botuar në formë libri me titull Ligjet Themelore të Marrëzisë Njerëzore. Bonhoeffer, një klerik gjerman, kundërshtar i nazizmit, i akuzuar për pjesëmarrjen në një komplot për vrasjen e Hitlerit dhe i burgosur, merret me çështjen e marrëzisë kolektive që po zinte rrënjë para syve të tij. Bonhoeffer ekzekutohet në moshën 39 vjeçare vetëm disa javë para kapitullimit të Gjermanisë nazizte.

Marrëzia, sipas Cipola-s, është një forcë e rrezikshme, më e fuqishme se vetë mafia apo dhe organizatat ushtarake, e cila nuk ka as shef, as president dhe as rregullore, e, megjithatë, ia del të funksionojë me një unitet të përkryer sikur të ishte duke u udhëhqur nga një dorë e padukshme, ku aktiviteti i secilit anëtar kontribuon dhe rritë efektivitetin e të gjithëve. Sipas tij, marrëzia është një ndër forcat e errëta më të fuqishme që pengon rritjen e mirëqenies dhe lumturisë njerëzore.

Cipola paraqet pesë ligje themelore të marrëzisë, duke theksuar se kjo esé nuk u adresohet të marrëve (sepse me ta nuk ke si merresh vesh) por atyre që në raste kanë të bëjnë me të tillë.

Ligjet themelore të marrëzisë:

1. Gjithmonë dhe pashmangshmërisht të gjithë e nënvlerësojnë numrin e individëve të marrë që janë në qarkullim.

2. Gjasët që një individ i caktuar të jetë i marrë nuk varen nga asnjë karakteristikë e atij individi.

3. Një individ i marrë është ai individ që i shkakton humbje një individi tjetër ndërsa vetë nuk nxjerr asnjë përfitim apo dhe pëson humbje.

4. Njerëzit jo të marrë gjithmonë e nënvlerësojnë fuqinë dëmtuese të individëve të marrë. Veçmas, individët jo të marrë vazhdimisht harrojnë se në çdo kohë dhe vend dhe në çdo rrethanë, të keshë të bësh apo të shoqërohesh me njerëz të marrë, patjetër del të jetë gabim i kushtueshëm.

5. Një individ i marrë është tipi më i rrezikshëm.

Rreth ligjit të parë, Cipola shprehet se ka njerëz që merren si të arsyeshëm dhe të zgjuar, por shpesh del të jenë paturpësisht të marrë. Përditë, thotë autori, me një monotoni në rritje, njeriu bezdiset në aktivitetet e tij nga individë të marrë që dalin befas në vendet më të papërshtatshme dhe në momente të papritura.

Numri i tyre nuk përcaktohet me saktësi, cilido vlerësim do të dilte se është nënvlerësim.

Cipola thotë se është bërë modë të thuhet se "të gjithë njerëzit janë të barabartë, dhe nëse disa janë më të barabartë se të tjerët, kjo i atribuohet përkujdesjes (nurture) dhe jo natyrës.

Sipas Cipolës, njerëzit nuk janë të barabartë, disa janë të marrë, e disa nuk janë, dhe ndryshimin e përcakton natyra ashtu siç përcakton numrin përafarsisht të barabartë midis femrave dhe meshkujve dhe shumë fenomene të tjera.

Marrëzia prek në mënyrë të barabartë të gjitha grupet njerëzore sipas një proporcioni konstant.

Për këtë barazpeshë (Ligji 3) kujdeset vetë natyra dhe nuk e dimë si e bën këtë.

Përqindja e të marrëve del të jetë përpjestimisht e njëjtë si te grupet e mëdha, ashtu dhe te grupet e vogla. Cipola e përjashton mundësinë që marrëzia mund të evitohet me arsimim apo arritje intelektuale. Përmes eksperimenteve vjen në përfundim se marrëzia shprehet njësoj në të gjitha shkallët shoqërore, deri dhe te laureatët e çmimit Nobel, si dhe proporcianalisht midis meshkujve dhe femrave.

Pasi e diskuton natyrën e ndërveprimeve midis njerëzve, në një grafikon, këto i shpjegon në terma ekonomikë të humbjes apo përfitimit.

Njerëzit i ndan në katër kategori si në shembullin në vijim:

Nëse Toma bën një veprim dhe pëson humbje duke prodhuar përfitim për Dikun, shenja e Tomës do të bjerë tek të pazotët. Nëse nga veprimi përfiton Toma dhe Diku në të njëjtën kohë, shenja e Tomës shkon te të zgjuarit. Nëse Toma bën një veprim nga i cili përfiton ai vetë dhe i shkakton Dikut humbje, shenja e Tomës shkon në pjesën te banditët. Marrëzia ndërlidhet me pjesën të marrët, të cilët dëmtojnë të tjerët pas përfituar vetë.

Në rrethana të ndryshme njerëzit sillen në mënyra të ndryshme, ndonjëherë me zgjuarësi, ndonjëherë me pazotësi. Këtu bëjnë përjashtim të marrët, të cilët shfaqin një prirje të fortë drejt një konsistence perfekte në të gjitha fushat e përpjekjeve njerëzore.

Grafikoni i Cipola-s nuk i përcakton vetëm të marrët. Ai jep mundësi që secilit individ t'i llogaritet mesatarja pavarësisht shkallës së jokonsistencës. Një individ i pazoti ndonjëherë mund të veprojë me zgjuarsi, e ndonjëherë mund të kryejë një veprim prej banditi. Por pasi që individi në fjalë është fundamentalisht i pazoti, shumica e veprimeve të tij do të kenë karakteristikat e pazotësisë.

Banditi perfekt është ai që me veprimet e tij u shkakton individëve të tjerë humbje të barabarta me fitimet e tij. Lloji më i thjeshtë i banditizmit është vjedhja. Një individ që të vjedh 100 Euro pa të shkaktuar humbje apo dëm të mëtejshëm është një bandit perfekt: ti i humb 100 Euro, ai i përfiton 100 Euro.

Nëse banditët përfitojnë më shumë sesa dëmet që u shkaktojnë të tjerëve, këta dalin banditë me tipare zgjuarsie. Nëse dikush vret dikë për t'i marrë 50 Euro, ai është bandit në kufi të marrëzisë.

Nëse banditët janë të shpërndarë, të marrët janë të përqendruar. Ata me këmbëngulje insistojnë t'u shkaktojnë humbje të tjerëve pa nxjerrë vetë asnjë përfitim, qoftë pozitiv apo negativ. Ka të atillë që madje lëndojnë vetën duke u shkaktuar dëm të tjerëve. Këta janë super-të marrë.

Ashtu si të gjitha krijesat njerëzore, edhe të marrët ndryshojnë shumë përnga kapaciteti për të dëmtuar të tjerët. Disa shkaktojnë humbje të kufizuara, ndërsa të tjerët në mënyrë skandaloze ia dalin të shkaktojnë dëme të neveritshme në shkallë të gjërë. Potenciali dëmtues, gjithnjë sipas Cipola-s, varet nga dy faktorë. Nga faktori gjenetik (disa idividë trashëgojnë doza të jashtëzakonshme të gjenit të marrëzisë). Faktori tjetër ndërlidhet me pozicionin e rëndësisë që zënë në shoqëri. Shumë lehtë mund të gjenden shembuj të qartë individësh të marrë midis burokratëve, gjeneralëve, politikanëve dhe udhëheqësve shtetërorë, kapaciteti dëmtues i të cilëve rritet varësisht nga pozicioni që kanë.

Njerëzit e arsyeshëm shpesh shtrojnë pyetjen se si dhe pse ia dalin njerëzit e marrë të kapin pozita të rëndësishme të pushtetit. Klasat dhe kastat shoqërore kanë qenë historikisht furnizuese të rregullta me njerëz të marrë në kohën paraindustriale. Feja po ashtu. Në kohët moderne, këtë e bëjnë partitë politike dhe burokracitë, si dhe demokracia që e zëvendëson fenë në organizimin shtetëror.

Brenda një sistemi demokratik, zgjedhjet e përgjithshme janë instrumenti më efektiv për të siguruar mirëmbajtjen e qendrueshme me kategorinë e të marrëve midis të pushtetshëmve.

S'do harruar se, sipas ligjit të dytë themelor, fraksioni i të marrëve i popullatës që voton është i madh dhe zgjedhjet u ofrojnë të marrëve një rast të mrekullueshëm për të dëmtuar të tjerët pa përfituar asgjë nga veprimi i tyre.

Veprojnë kështu për të kontribuar në mirëmbajtjen e nivelit të të marrëve midis atyre që janë në pushtet.

Nuk është vështirë të kuptohet se si pushteti social, politik dhe intitucional ia shton potencialin dëmtues një individi të marrë. Megjithatë do kuptuar dhe shpjeguar se çfarë në thelb është ajo që e bën një individ të marrë të rrezikshëm për të tjerët - me fjalë të tjera ç'është ajo që e përbën fuqinë e marrëzisë.

Banditët kuptohen lehtë - plus për vetën e tyre, minus për ty. Nuk e kanë zgjuarsinë për përfitim të dyanshëm. Këtu ka racionalitet dhe mund të parashikohen, dhe të organizohet mbrojtja.

Nëse sjelljet e banditëve mund të parashikohen dhe të organizohet mbrojtja, me

të marrët, parashikimi është i pamundshëm. I marri të bezdis pa asnjë arsye, pa përfitim, pa asnjë plan apo skemë dhe në kohë pa kohë dhe vend-e-pavend. Nuk ka një mënyrë racionale ta parashikosh si, kur, dhe pse të sulmon një individ i marrë. Kur konfrontohesh me një individ të marrë, ti je në mëshirën e tij.

Në mungesë të rregullave të racionalitetit, sulmi i të marrit të zë në befasi, edhe kur je i vetëdishëm për sulmin, nuk mund të organizosh mbrojtje racionale, sepse vetë sulmi nuk ka strukturë racionale.

Si mbrojtja, ashtu dhe kundërsulmi janë të vështira. Dickens-i thotë, "Me marrëzi dhe tretje të shëndosh stomaku, mund të përballosh shumëçka.", kurse Schiller-i deklaron se "Kundër marrëzisë edhe vetë Zotërat luftojnë kot së koti."

As banditët dhe as vetë të zgjuarit s'e kuptojnë pushtetin e të marrëve.

Shumëherë njerëzit janë të prirur të shoqërohen me një individ të marrë për ta përdorur atë për skema të veta. Kjo vetëm mund të ketë efekt shkatërrues, sepse bazohet në një moskuptim të plotë të natyrës së marrëzisë, dhe i jep të marrit hapësirë të shtuar për të ushtruar dhuntinë e tij. Shpresohet se mund të mashtrohen të marrët, ndonjëherë ndodh edhe kjo, por për shkak të sjelljeve të hallakatura të të marrëve, nuk mund të parashikohen të gjitha veprimet dhe reagimet e tyre dhe, pa kaluar shumë kohë, raporti me ta do të dërmohet nga lëvizjet e paparashikueshme të partnerëve të marrë.

Moskuptimi i fuqisë dëmtuese të të marrëve (ligji 4), njerëzimit shpesh i ka kushtuar me dëme të pallogaritshme. Ndërkaq, Cipola e konsideron Ligjin 5 si më të rëndësishmin, duke konstatuar se një individ i marrë është më i rrezikshëm se një bandit.

Veprimet e një bandiditi nuk ndikojnë në shoqëri në përgjithësi. Edhe nëse një shoqëri e tërë përbëhet vetëm nga banditë, shoqëria do të stagnojë pa shkatërrim total.

Kur futen në punë të marrët, storja është krejt tjetër. Të marrët u shkaktojnë humbje të tjerëve pa përfitime në anën tjetër, prandaj varfërohet shoqëria në tërësi.

Shoqëritë, qoftë të zhvilluara apo të pazhvilluara, në të gjita vendet kanë përpjestim të barabartë të marrëzisë, por ndryshimi midis tyre është se në shoqëritë me performansë të dobët, anëtarët e marrë të shoqërisë lejohen nga anëtarët e tjerë të jenë më aktivë dhe të ndërmarrin më shumë aksione.

Shtetet në rënie kanë të njëjtin numër të marrësh, por nga ata që janë në pushtet vërehet rritja e banditëve me tipare marrëzie, kurse tek ata që nuk janë në pushtet, ka rritje të të pazotëve. Kjo e bën rënien të sigurt dhe shtetin e merr pusi.

* * *

Bonhoeffer merret specifkisht me marrëzinë e masave të cilën e quan sëmundje kolektive, e cila i verbon njerëzit dhe i çon në sjellje destruktive. Ai shtron pyetjen pse të mençurit ndonjëherë bëjnë zgjedhje joracionale kur veprojnë në grup. Këtu fjala është për manipulimin kolektiv. Edhe Bonhoeffer konstaton, ashtu si dhe Cipola rreth tri dekada më vonë, se kundër marrëzisë jemi pa mbrojtje. Marrëzinë s'mund ta prekin as protestat as s'mund ta mposhtë forca. Argumentet bien në veshë të shurdhër. Marrëzia ia kalon të keqes, sepse e keqja në vetvete bart edhe farën e zhbërjes. Marrëzia ushqehet me vetëkënaqësi, ndihet imune dhe konsideron se gjithmonë ka të drejtë. Këto tipare e bëjnë atë më të rrezikshme. Sipas tij, marrëzia mund t'i transformojë mendjet briliante në instrumente të shkatërrimit. Kështu krijohet një pushtet i fuqishëm që funksionon me nocionin i bindjes së grupit.

Edhe çmendia e grupit pastaj arrihet lehtë. Krimet që nuk do të duronte t'i kryente një individ i vetëm, shumë më lehtë kryhen nga një grup i manipuluar.

Stanley Milgram nga Universiteti Yale zhvillon më 1961 atë që quhet eksperimenti i bindjes. Vullnetarë të zakonshëm, nën udhëzimet e një figure të veshur me autoritet, që administron eksperimentin, besojnë se bëhet fjalë për një elektro-shok që i shkakton një individi tjetër dhimbje gjithnjë e më të forta varësisht nga intensiteti i shtuar. Edhe kur dëgjoheshin klithje dhe agoni, 65% e pjesëmarrësve lëshonin shokime për të cilat mendonin se mund të ishin vdekjeprurëse. Dhe këta nuk ishin as sadistë, as të sëmurë mendorë. Ishin njerëz normalë që përkohësisht ia kishin dorëzuar njeriut të veshur me autoritet kapacitetin e tyre për gjykim moral të pavarur.

Dëshmitar i gjallë i këtij fenomeni kishte qenë Bonhoeffer gjatë Gjermanisë naziste, gjë që e çoi drejt themelimit të teorisë së tmerrshme të marrëzisë. Ai e pa një shoqëri të tërë duke u transformuar para syve të tij. Dhe nuk ishte fjala për masa injorante që po manipuloheshin nga një propagandë e mençur. Këta ishin profesorë, mjekë, klerikë dhe intelektualë, të cilët po merrnin pjesë aktivisht e po e dorëzonin intelektin e vet.

Ka dhe eksperimente të tjera, ku një individ e zgjedh përgjigjen qartësisht të gabuar vetëm pse katër individë të tjerë, për të cilët mendon se janë bashkëpjesëmarrës në test, e kanë zgjedhur atë përgjigje. Mbi dy të tretat e të testuarëve bien në këtë kurthë.

Njerëzit maliciozë e dinë se bëjnë veprime të gabuara, por njerëzit e kapluar në marrëzinë funksionale, besojnë se janë duke vepruar mirë. Kjo i bën absolutisht të pakorrigjueshëm. Dhe kjo nuk është aksidentale. Ata që janë në pushtet as që kanë nevojë të fshehin informacionin, vetëm iu duhet t'i krijojnë kushtet e vështirësimit të procesimit të informacionit.

Kur e ka përdorur Bonhoeffer termin marrëzi, ai nuk është bazuar në mungesë të koeficientit të inteligjencës, as në mungesë të arsimimit. Ai po përshkruante diçka shumë më komplekse, atë që mund të quhet marrëzi funksionale, një injorancë e vullnetshme. Bonhoeffer thotë se kur bisedon me një person të tillë, ndjen sikur ke të bësh jo me atë si individ, por me slogane dhe fjalë që e kanë marrë në posedim.

Marrëzia shpesh vjen jo nga dështimet individuale, por nga presione sistemike që e bëjnë të menduarit e pavarur të vështirë dhe të kushtueshëm.

Kështu arrihet ajo që mund të quhet injorancë racionale. Njerëzit preferojnë të mbeten të painformuar për çështje komplekse pa investuar kohë dhe energji për t'i kuptuar ato.

Kur marrëzia kaplon një shoqëri të tërë, zhduket rezistenca.

Individët e marrë, jo vetëm që ekzistojnë, por ata mblidhen së bashku, vlerësojnë njëri-tjetrin, dhe në shumë raste përfundojnë në pozita të pushtetit, dhe, që është edhe më e rrezikshme, krijojnë atë që quhet rreth vicioz i marrëzisë së institucionalizuar. Kur të marrët arrijnë të strukturohen dhe të organanizohen, marrëzia bëhet normë, dhe të marrët madje dhe marrin vendime për të tjerët.

Pushteti ka nevojë për njerëz që i binden, të tillë që i përfillin urdhërat pa i vënë në pikëpyetje, pa mendim kritik, të cilët përsërisin atë që u thuhet pa menduar fare.

Marrëzia e organizuar është një strategji e kontrolluar. Kur shumica e shoqërisë nuk bën më pyetje për asgjë, shoqëria shndërrohet në një tufë, dhe tufa është lehtë të udhëhiqet.

Pushteti e di se reflektimi është i rrezikshëm, kurse ngritja e pyetjeve është kërcënim.

Kjo situatë gjeneron një elitë të mediokriteteve që ngriten jo në bazë të aftësive, por për shkak të nënshtrimit. Sa më e marrë të jetë elita, aq më e marrë është shoqëria që udhëhiqet prej saj.

Kështu, marrëzia jo vetëm tolerohet, por edhe shpërblehet. Në një shoqëri që dominohet nga njerëz të marrë, thënia e së vërtetës bëhet rrezik. Rezistohet ndryshimi i mendimit dhe nxitet imponimi i një vetëskllavërimi të mendjes. Njerëzit vullnetarisht e pranojnë marrëzinë. Krijohet mungesë njerëzish që janë të gatshëm ta sfidojnë marrëzinë.

Mendimi kritik është barrë e papërballueshme për ata që nuk e kanë ushtruar mendjen e tyre në këtë fushë. Të menduarit shkakton dhimbje. Është më lehtë të përdoren mendime të gatshme. Njerëzit e urrejnë pasigurinë, preferojnë përgjigje të thjeshta edhe nëse janë të pavërteta; më parë e besojnë një gënjeshtër ngushëlluese sesa që përballen me një të vërtetë të pakëndshme. Marrëzia as e njeh as e percepton vetvetën. Edhe kur e sheh të vërtetën, kthen kokën në anën tjetër.

Konformistët e mbajnë gjallë marrëzinë. Pikërisht konformizmi çon prej marrëzisë individuale te marrëzia kolektive. Në këtë rrugëtim, njerëzit inteligjentë shndërrohen në të marrë. Krijohet një situatë kur njerëzit inteligjentë i dorëzohen vullnetarisht marrëzisë dhe vihen në shërbim të saj. Edhe në kryerjen e veprave mizore, del se më shumë gjasë ka që të marrin pjesë njerëzit inteligjentë sesa njerëzit e rëndomtë. Krijohet një lloj kurthi i inteligjencës ku anshmëria ideologjike kthehet në marrëzi intelektuale.

Konformizmi shoqëror përqendrohet në trajnimin për të fituar debatet, e jo për të gjetur të vërtetën. Bëhet shpërlarja e opinioneve me ide intelektuale të sofistifikuara.

Zhvillimet e teknologjisë të dekadave të fundit kanë krijuar një situatë kur njerëzit ndjejnë se nuk kanë nevojë të mendojnë.

Kërkohen mënyra për të arsyetuar madje dhe vetëshkatërrimin. Promovohet një modë ideologjike duke anashkaluar të vërtetat jetësore. Vlerësohen shumë intelektualët e arsimuar që dinë si ta fshehin marrëzinë. Harrohet se marrëzia është një defekt moral. Kështu, inteligjenca e përforcon anshmërinë.

Aty ku të gjithë mendojnë njësoj, nuk ka mendim. Arrihet te iracionaliteti i masave, dhe njerëzit mendojnë si pjesëtarë të tufës. Lëvizjet politike bazohen pothuaj tërësisht në slogane, e jo në substancë. Zhvillohet madje dhe ajo që mund të quhet arrogancë intelektuale.

Pjesa e marrëzisë te ne është njësoj e fortë si te çdo popull tjetër. E kemi pjesën tonë edhe të kategorive të e tjera. Varet cili grup politik ka arritur të rekrutojë më shumë për të realizuar qellimet e veta politike, dhe këtu sigurisht se krijohet një disproporcion. Kjo do të thotë se ka parti politike që nga kjo kombinatorikë ia kanë dalë të ngriten në nivele brengosëse, ku përmirësimi i brendshëm ose nuk ekziston fare, ose është tepër i ngadalshëm.

Në gjithë këtë katrahurë, përveç luftimit të banditëve, dhe kujdesit për të zvogëluar numrin e të pazotëve, mendimi kritik, i pavarur, objektiv, i paanshëm dhe i shprehur pa asnjë interes apo për interes të së mirës së përgjithshme, është i vetmi shpëtim që mund të ndikojnë sado pak në shërimin e shoqërisë.

Duke dalë tani në kontekstin kosovar, nga sa u shtrua më sipër, do të ishte ideale sikur të gjithë, duke përjashtuar të marrët, të përpiqeshin t'ia përcaktojnë vetës pozicionin që kanë zënë dhe të synonin të ristrukturoheshin, gjë që, dorën në zemër, është vështirë të arrihet.

Është e rrugës t'u bëhet thirrje njerëzve të arsyeshëm, që mos t'i dalin krah marrëzisë, mos të mashtrohen me slogane tërheqëse e fjalë të mëdhaja partiake, mos të mashtrohen me performansa të përgatitura mirë në laboratore partiake dhe të prezantuara me aftësi artistike, por të përpiqen ta shohin situatën me objektivitet dhe të angazhohen për ruajtjen e asaj që është arritur dhe për forcimin e mëtejshëm të shtetit me mbështetjen e miqve.

Mos ma zini për të madhe nëse, në këtë kontekst, ju ftoj ta mbështesni LDK-në. Këtë e bëj sepse e mbështes të djathtë politike, dhe LDK, që nga themelimi, e ka synuar këtë. Nuk kam averzion ndaj partive të tjera, por partitë kosovare (apo shqiptare) me orientim të majtë i konsideroj të dëmshme për shqiptarët.

LDK-ja, nga partitë e mëdha politike kosovare, është e vetmja që ka për taban urtësinë. LDK-në mund ta mbështesë kushdo pa asnjë drojë se po i luhatet ndërgjegja apo se po shkel në dërrasë të kalbur. Ka edhe parti të tjera që bëjnë përpjekje të zbresin në binarë të demokracisë duke u reformuar në rrugë e sipër, të cilat janë më pak të dëmshme se partitë, që rrugën për marrjen e pushtetit nuk e kanë shtruar duke u bazuar vetëm të dobësitë e partive në pushtet, por e kanë bazuar në një lloj "aktivizmi politik" me veprime në kufij të dhunës që nuk ndërmirren nga individë normalë.

Cilët janë ata njerëz nga katër kategoritë e Cipola-s që refuzojnë ta nxjerrin kuptimin e saktë të faktit se pikërisht ata që na e kanë sjellë fillimisht lirinë, e më vonë edhe pavarësinë, na kanë vendosur sanksione të cilat dëmtojnë rëndë, jo klasën në pushtet, por njerëzit e rëndomtë. Kjo është fyese për zgjuarsinë e atyre që e posedojnë, fyese për Kosovën. (Tani kur po përfundohet ky shkrim, ka ardhur lajmi se Kosovës pjesërisht i janë hequr saksionet, dhe i madh e i vogël po gjurmojnë kë ta lavdërojnë për këtë arritje me rëndësi. Ka ardhur po ashtu një lajm edhe më i mirë, se SHBA do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën, dhe ky lajm duhet të na nxisë që të vazhdojmë ta meritojmë mbështetjen e SHBA-së pa marrë parasysh kush qeveris në këtë shtet kaq të rëndësishëm për gjithë globin.)

Ne mund të shohim ëndrra ala-albinçe se Kosovën është dashur ta çlironim vetë, t'ia përcaktonim kufinjtë vetë dhe ta kontrollonim territorin dhe ta organizonim shtetin ashtu si do të donim vetë. Kjo, fatkeqësisht, nuk ka ndodhur, dhe çdo mendje e shëndoshë mund të konkludojë se nuk do të realizohej edhe po të zgjaste me dekada.

Pavarësia e Kosovës është edhe fat, dhe është mëkat nëse nuk shfrytëzohet ky fat.

Jo shumë larg nesh, ka zhvillime që mund të krijojnë presedane të rrezikshme. Kjo dhe është arsyeja që Serbia me çdo kusht është kujdesur ta mbajë konfliktin, nëse jo tërësisht aktiv, atëherë së paku pjesërisht të ngrirë. Kjo situatë kërkohet të menaxhohet me kujdes, pa ndërmarrë veprime që të largojnë nga ata që ta sollën lirinë e pavarësinë. Jemi të gjykuar të jemi në anën e tyre, dhe, thuaja, për herë të parë shqiptarët në përgjithësi janë rreshtuar në anën e duhur. Nuk përjashtohet mundësia që edhe kjo anë të përkeqësohet, sepse bota është futur në një fluiditet që i bën parashikimet të pamundshme, por rreshtimin e imponuar në anën tjetër e njohim fort mirë.

Mençuria e jonë popullore, në frymën e autorëve të përmendur më sipër, moti është shprehur me thëniet e tipit, "lëshoja rrugën budallës' ose edhe 'i meçmi lëshon pe', kurse LVV, për ta ruajtur traditën e vet, zgjedh për slogan kryesor "Mos lësho pe".

Është e nevojshme të kuptohet se Rugova ka lëshuar pe në rrethana të caktuara, në një kohë kur kundërshtarët e tij politikë donin ta merrnin pushtetin në stilin e partizanëve të Enver Hoxhës, dhe, për hir të realizimit të pavarësisë, me urtësi ka tejkaluar shumë situata të rënda, të dhimbshme dhe të ndjeshme. Për pasojë, LDK-ja është dobësuar, por pavarësia është realizuar. Dobësimi i mëtejshëm i LDK-së ka ardhur për shkak të pasuesve apo pretenduesve jo të denjë për drejtimin e LDK-së pas vdekjes së Rugovës. Zgjedhjet e ardhshme do ta tregojnë trendin e nevojshëm për veprime të forcimit të mëtejshëm të LDK-së.

TANI është koha t'u mbyllet rruga të marrëve dhe të zgjuarve në shërbim të tyre, si dhe kryeneqëve që nuk lëshojnë pe. Kjo është e domosdoshme për të evituar pasoja shkatërruese për atë që është arritur me shumë mund e sakrifica.

Mos ka ardhur koha që LVV ta ndryshojë sloganin tradicional nga "VETËVENDOSJE - JO NEGOCIATA" në "NEGOCIATA - JO VETËVENDOSJE"?

Liderët e urtë nuk e bëjnë gjithmonë atë që kanë të drejtë ta bëjnë, por, të shumtën e rasteve, zgjedhin ta bëjnë atë që është e drejtë ta bëjnë. Gjykoni vetë dhe votoni aty ku ju flen zemra!

Lajme të ngjashme