Lindja e një shteti të “padëshiruar” - NACIONALE

Lindja e një shteti të “padëshiruar”

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Afrim Kasolli

Kosova sot feston 18 vjetorin e lindjes së saj si shtet. Nuk është sekret ta themi se shteti i Kosovës nuk ishte aspiratë e Lëvizjes kombëtare për çlirim nga zgjedha serbe. Por ai u imponua si kompromis historik për shkak të rrethanave dhe koniunkturave ndërkombëtare. Sepse të gjitha përpjekjet kombëtare të shqiptarëve që nga viti 1912 e deri në vitin 1999, e kishin pasur për ideal bashkimin kombëtar.

Edhe kur kërkohej avancimi i statusit të Kosovës në Republike në kuadër te ish-Federates Jugosllave, atëherë ky solucion shihej vetëm si mjet në funksion te bashkimit. Këtë “dinakëri historike” të shqiptareve e kishte nuhatur edhe njëri nga eksponentët kryesor të nacionalizmit serb. Në shkrimin “1968-shi si vit mitik” Arben Xhaferi duke u bazuar në ditarin e Dobrica Qosiqit tregon për një bisedë ndërmjet këtij të fundit me Sllobadan Peneziqin, kryetarin atëbotë të Këshillit Ekzekutiv të Serbisë, si dhe Fadil Hoxhës, kryetarin Ekzekutiv të Kosovës.

Në bisedë e sipër për të ardhmen e dy popujve, pak nën ndikimin e alkoholit, i pari i drejtohet të Fadil Hoxhës, “prano Fadil se keni këtë plan: deri sa të industrializoheni, urbanizoheni, arsimoheni do të mbeteni në Jugosllavi dhe pastaj ashtu si veriu i përparuar e demokratik do të çliroheni dhe bashkangjitni jugun e prapambetur dhe demokrati-Shqipërinë. Ju tani po përgatiteni që Kosovën ta shndërroni në Piemont të Shqipërisë së madhe dhe të te realizoni qëllimin e Lidhjes së Prizrenit” Ky këndvështrim i Dobrica Qosiqit konstanton Arben Xhaferi, tregon për paranojën e nacionalizmit serb.

Ku sa më shumë bëheshin lëshime për kërkesat e arsyeshme të shqiptarëve aq më shumë rriteshin dyshimet e Serbisë. E shkrimtari serb vuante nga ky makth për shkak të faktit se ai buronte nga realiteti; shqiptarët natyrshëm ishin element i huaj në këtë shtet, ata natyrshëm nuk e kishin vendin aty.

Po ashtu, gjate viteve ’90 edhe drejtuesit e Lëvizjes opsionin për shtetësi e konsideruan si kompromis historik, sepse si zgjidhje te drejte e vlerësonin bashkimin me Shqipërinë. Këtë tezë madje e mbronte në disa shkrime edhe vet akademik Fehmi Agani, si dhe në disa intervista Dr. Ibrahim Rugova. I pari pohonte se pasi rrethanat ndërkombëtare nuk e lejonin bashkimin, atëherë pavarësia mbetet opsion real historik. Pra poltika e Kosovës u përcaktua për zgjidhje legale për kauzën nacionale shqiptare në ish hapësirën jugosllave, në vend te asaj etnike.

Ngjashëm veproi edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ndonëse u ngjiz nga ideali për bashkim kombëtar me vonë hoqi dorë nga ky përcaktim.

Nga kjo odiseade frymës për çlirim u lind shteti që sot e ka ditëlindjen, por që si i tillë qe si zëvendësim për një aspiratë tjetër historike. Megjithatë tashme i njëjti është relitet. Dhe siç ka deklaruar para 1 viti në një interviste për Kohen Ditore, historiani i njohur Oliver Schmitt, “edhe pse bashkësia ndërkombëtare e ka definuar Kosovën si shtet multietnik, Kosova është kryesisht homogjene etnikisht, prandaj Kosova mund të cilësohet si shteti i dytë shqiptar në Ballkan”.

Natyrisht, ky përvjetor e gjene Kosovën në betejën finale për ta mbrojtur trashëgimine e saj historike./ TV Arbëria/

Lajme të ngjashme