LDK në udhëkryq: mes parimeve dhe ndryshimit konceptual të politikëbërjes
Shkruan: Ismet Kryeziu
Deklarata e Lumir Abdixhikut pas takimit me Vetëvendosjen, se me çdo çmim duhet të shmangen zgjedhjet, është një ide që do të duhej të ishte artikuluar dhe ndjekur që prej dy vitesh. Megjithatë, edhe sot nuk është vonë, sidomos pas kostos që vendi po paguan nga mungesa e institucioneve funksionale.
Në fund të fundit, ndërrimi i pushteteve ndodh përmes zgjedhjeve të lira, por jo përmes mbajtjes së zgjedhjeve të shpeshta. Partitë që deri më tani kanë qenë në opozitë, përfshirë LDK-në, nuk kanë zhvilluar një politikë aktive që do ta bënte të mundur ndryshimin e pushtetit. Strategjikisht, besoj unë kanë gabuar duke e parë procesin zgjedhor si mekanizmin e vetëm për ndryshimin e pushtetit, në vend që të ndërtonin alternativa politike dhe bashkëpunime e veprime tjera opozitare.
Të kontribuosh për funksionalizimin e institucioneve, qoftë edhe përmes pjesëmarrjes në zgjedhjen e Presidentit apo vendimeve që garantojnë stabilitet institucional, nuk do të thotë domosdoshmërisht të bëhesh pjesë e pushtetit. Prandaj, shmangia e zgjedhjeve nuk nënkupton medoemos hyrje në qeveri apo ndarje të pushtetit. Përkundrazi, kontrolli mbi politikat qeverisëse dhe mbrojtja e standardeve të qeverisjes mund të ushtrohen, në shumë raste, më efektivisht nga opozita sesa nga një bashkëqeverisje. Në fund të fundit, politika nuk është vetëm garë për pushtet, por angazhim dhe përgjegjësi për të mirën e përbashkët.
LDK-ja, PDK-ja dhe Aleanca kanë bashkëqeverisur për disa vite jo sepse kanë qenë parti identike, por sepse kanë ndarë një konsensus më të gjerë për orientimin strategjik dhe modelin e shtetndërtimit të Kosovës. Këto parti kanë mbështetur integrimin euroatlantik, partneritetin strategjik me SHBA-në dhe BE-në, koordinimin me aleatët perëndimorë, si dhe një model të ngjashëm të funksionimit institucional dhe të ekonomisë së tregut. Dallimet mes tyre kanë qenë kryesisht si konkurrenca për pushtet, rivaliteti partiak dhe interpretimet e ndryshme mbi rolin e rezistencës paqësore, luftës çlirimtare dhe meritën për lirinë e Kosovës.
Këto çështje kanë ushqyer polarizimin politik për shumë vite, por nuk kanë përfaqësuar domosdoshmërisht dallime të thella në orientimin strategjik e poltiik të këtyre partive.
Në raport me Vetëvendosjen, hendeku duket të jetë më i thellë. Përveç konkurrencës për pushtet, ekzistojnë dallime më substanciale në qasjen ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare, dialogut me Serbinë, bashkëpunimit me aleatët perëndimorë, modelit të qeverisjes dhe mënyrës së reformimit të institucioneve. Për këtë arsye, arritja e një konsensusi politik ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes kërkon një kompromis më të madh sesa ai që është kërkuar historikisht në bashkëpunimet ndërmjet LDK-së, PDK-së dhe Aleancës.
Prandaj, LDK-ja sot gjendet në një udhëkryq. Çështja nuk është vetëm nëse duhet të bashkëpunojë apo jo me Vetëvendosjen, por nëse një bashkëpunim i tillë do të përfaqësonte një kompromis taktik për stabilitetin institucional apo një ndryshim më të thellë të identitetit dhe konceptit të saj politik.
Kam përshtypjen se ky debat ende nuk është zhvilluar mjaftueshëm brenda LDK-së dhe se pozicionimet e brendshme vetëm sa kanë filluar mbi këtë dilemë. Pikërisht për këtë arsye, besoj se udhëheqja e LDK-së duhet ta sqarojë për veten dhe për elektoratin e saj se cili është drejtimi i saj strategjik, të mbetet pjesë e një blloku opozitar aktiv duke ruajtur identitetin e vet politik e konceptual, apo të hyjë në një bashkëqeverisje me Vetëvendosjen, duke pranuar kompromiset programore dhe politike që një partneritet i tillë do të kërkonte, e që potencialisht do ta largonte nga koncepti i saj themeltar.