Ky postim i Hekuran Muratit në FB, flet më shumë se krejt kritikat që i janë bërë Qeverisë. Qe pse - NACIONALE

Ky postim i Hekuran Muratit në FB, flet më shumë se krejt kritikat që i janë bërë Qeverisë. Qe pse

7 muaj më parë

nga Berat Buzhala

Sot, Hekuran Murati ka shkruar një postim që e vë në pikëpyetje të gjithë propagandën e pushtetit për zhvillim të hovshëm ekonomik. Ja çfarë ka thënë ai:

“Edhe këtë muaj, mbi 90 mijë familje të cenueshme kanë pranuar subvencionin e faturave të energjisë elektrike 🧾.
Sikurse çdo vit tashmë, programi mbulon periudhën gjashtëmujore të dimrit (tetor–mars).”

Ky “sukses” që po paraqitet nga Hekuran Murati, në fakt është diagnozë e gjendjes sonë.
Kosova ka rreth 1.5 milion banorë, ose afërsisht 300 mijë familje.

Nëse 90 mijë familje konsiderohen “të cenueshme” dhe kanë nevojë për ndihmë nga shteti, atëherë shteti, përmes atij që mund ta quajmë dirigjent i ekonomisë sonë, pa vetëdije po thotë:

  • 1 në 3 familje në Kosovë nuk është në gjendje të përballojë faturën bazike të energjisë elektrike.

Në asnjë shoqëri normale kjo nuk konsiderohet arritje apo sukses, por tregues i varfërisë, i cili në këtë rast duket sikur pranon fajësinë.

Kur subvencioni bëhet i përhershëm (“çdo vit tashmë”), mesazhi është i qartë:

  • “Mos u shqetësoni, do t’ju mbajmë me ndihma.”

Logjika e ndihmave nuk është dalje nga kriza, por krijim varësie nga ndihmat.

Pyetja e madhe është: pse po shtohet numri i familjeve që kanë nevojë për ndihmë për të paguar energjinë elektrike?

Në një vend që, sipas propagandës zyrtare, po ecën përpara, po rritet, po forcohet dhe po “stabilizohet”, fakti që 30% e familjeve subvencionohen për nevojën më bazike tregon të kundërtën.

Këtu ekzistojnë dy mundësi, dhe të dyja janë shumë të këqija:

  • ose varfëria po rritet;
  • ose kriteret po zgjerohen artificialisht.

Prandaj, kjo më shumë sesa subvencion social, duket si “rimbursim i dështimit”.

Në vend që të ulet çmimi i energjisë elektrike përmes:

  • reformës në sektor,
  • uljes së humbjeve në rrjet,
  • konkurrencës në treg,
  • investimeve në burime të reja,

qeveria po e paguan diferencën nga buxheti.
Pra, po subvencionohet problemi, jo zgjidhja.

Nëse vendi qenka “më mirë se kurrë”, siç pretendohet shpesh, atëherë pse duhet subvencion për energjinë elektrike për 30% të familjeve?

Lajme të ngjashme