Kurti dhe LVV: Nga shpresë në burim krizash dhe barrë për Kosovën - NACIONALE

Kurti dhe LVV: Nga shpresë në burim krizash dhe barrë për Kosovën

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Shenoll Muharremi

Është e dhimshme me pa që Komisionerja për Zgjerim të BE-së e ka anulu vizitën në Kosovë. Ky është një sinjal shumë i keq dhe një tregues i qartë se krizat politike në vend po vazhdojnë me i shkaktu dëme serioze dhe thelbësore Kosovës.

Këto dëme nuk lidhen vetëm me procesin e integrimit në BE. Ato tashmë po reflektohen edhe në ekonomi, e cila po tregon gjithnjë e më shumë shenja stagnimi dhe rreziku.

Më shqetësuese është fakti që pothuajse askush nuk duket i alarmuar dhe nuk po e menaxhon situaten. Kriza dhe bllokada po bëhen normalitet në këtë vend.

Rajoni po ec përpara drejt BE-së, ndërsa ne po stagnojmë prej vitesh. Krizat politike janë bërë normale, ndërsa pasojat ekonomike edhe më dramatike që priten në periudhën e ardhshme si pasojë e kombinimit të inflacionit shumë të lartë, rritjes së çmimeve të nafëts dhe energjisë, po injorohen pothuajse tërësisht.

Kosova pati një vit 2025 katastrofal sa i përket krizave institucionale dhe bllokadave politike. Fatkeqësisht, edhe pas zgjedhjeve, edhepse doli një fitues i qartë, krizat dhe bllokadat po vazhdojnë.

Burimi kryesor i krizës aktuale qëndron te fakti që LVV nuk pranoi të propozojë dhe të mbështesë një President konsensual. Në vend të kësaj, zgjodhi ta rrezikojë vendin duke tentuar ta kontrollojë edhe institucionin e Presidentit.

Për këtë krizë përgjegjësinë kryesore e mban LVV.

Është për keqardhje të madhe që një parti që fitoi kaq shumë vota dhe kaq shumë besim nga qytetarët nuk po vendos të qeverisë në mënyrë konstruktive dhe të rikthejë besimin përmes punës konkrete.

Sot LVV dhe Albin Kurti, fatkeqësisht, janë shndërruar nga një shpresë për të ardhmen në një barrë të rëndë për Kosovën.

Ata nuk po qeverisin realisht. Nuk po i menaxhojnë krizat e nuk po synojnë me zhblloku potencialin e Kosovës. Nuk po i kryejnë obligimet bazike të qeverisjes, përfshirë edhe menaxhimin e ekonomisë dhe krizën e energjisë e çmimeve të papërballueshme për qytetarët.

Janë shndërruar në një barrë për të tashmen dhe për të ardhmen e vendit.

Dhe kjo është veçanërisht tragjike sepse me gjithë atë përkrahje dhe me gjithë ato vota, kanë pasur mundësinë reale të bëjnë gjëra të mira për Kosovën.

Sot, për fat të keq, LVV dhe Kurti janë bërë sinonim i krizave të mëdha, bllokadave politike dhe stagnimit që po e dëmton rëndë Kosovën.

Lajme të ngjashme