Kur qau arkëtarja e VIVA-s
Regjimi albinkurtist e bëri përnjëmend ëndrrën morbide që njerëzia të bëjë jetën e kampit që zhduk çdo distinktcion. Por nuk është fundi i botës pse fukarallëku e përlau vendin. Vdekja na vjen kur u krijua njeriu ideologjik që po e pëlqen jetën e racionuar, barazimtarinë e varfërisë. Prandaj, nuk ka as protesta, as tension social e, makar, as një thyerje gote a rrapëllim enësh. Protestat e vetme bëhen pranë arkëtareve të shkreta nëpër supermarketet e mëdha pse një lirim dhjetëcentësh në raft nuk del i tillë edhe te arka. Ligësia njerëzore përherë zgjedh caqet e lehta. Traumatizohen për tërë jetën vajzat e pafaj, por Kurti e regjimi i tij është i lirë për aventura kundër vendit, shqiptarisë e Perëndimit.
Col Mehmeti
Si akrepat e një sahati të prishur që e tregojnë saktë kohën dy herë në ditë, Kurti me bateri të mbaruara ndonjëherë flet diç të vërtetë.
Në një rrëmbim vaniteti pati thënë se gjatë qeverisjes së tij nuk ka pasur asnjëherë protesta.
Për imazhin e tij të jashtëm, kjo e frymëtonte bindjen e gënjeshtërt se vendi ka bërë një hop aq cilësor të jetës sa janë çarmatosur arsyet për pezm e tërbim social.
Një lexim neutral i tablosë ekonomike do të nxirrte jo vetëm të kundërtën e mburracakërisë së regjimit, por edhe pamjaftueshmërinë shpjeguese të atyre pak disidentëve që flasin për teposhtëzen socioekonomike.
Nën regjimin e albinkurtistëve, Kosova ishte një nga rastet e përvetshme në krejt rruzullin ku ekzistoi vullnet suprem shtetëror për të mënjanuar e përzënë çdo investitor amerikan e perëndimor.
Në një qark krize që po ngushtohet dora-dorës, ai pak qarkullim i ligësht kapitali është frymëzënë nga logjika e majtizmit ekstrem që u vë këmbën në fyt bizneseve private.
E keqja është që kjo frymë e çmendur kundër çdo ndërmarrësie është ideologjizuar dhe miratohet moralisht nga një shumicë njerëzish.
Kur bizneseve vendore u vihet dryni, kudo ka skërmitje djallëzore dhëmbësh e qeshje cinike sesi drejtësia po merr hakun ndaj ‘kapitalistëve’.
Duke qenë të gjithë të rekrutuar nga kjo psikozë vetëshkatërruese, edhe nervi reagues i shoqërisë bëhet secilën ditë të lume më i mpirë.
Ka kaq shumë shpërfillje për realitetin dhe arratisje në përtejrealitete ku brengat reale të jetës shukaten përballë poterave për cikërrima fetare e kulturore.
Të çkohezionuar si komb, shqiptarët e Kosovës po bashkohen më shumë se kurrë jo nga idealet shoqërore, por nga barizmataria e fukarallëkut.
Si të burgosur në një kamp asgjësimi, ne po krenohemi kur në llërën e dorës na vihet një rrip ku shkruan ‘fukarallëk’.
Ai është rripi që simbolizon sesi ai që kishte sadokudo njëfarë mirërrojtje e bereqeti u bë i varfër.
Po, vërtet u sheshuan diferencat, por me çmimin e një varfërie që u bë e arritshme te secili.
Dukemi gjithnjë e më shumë si një vargan fukarenjsh që ecin qorrçe e në humbashpresë në oborrin e një kampi që mbahet gjallë me racione.
Racionet këtu janë sadakatë që disa herë në vit jepen nga regjimi albinkurtist, veçmas kur zgjedhjet e shpeshta janë bërë spektakli që ushqen të uriturit për dramë.
Në çdo situatë këtu e gjetkë në botë, universalisht ka të burgosur që megjithatë lirinë e brendshme shpirtërore nuk e kafazojnë.
Por, bri tyre është edhe një soj fort i keq i të burgosurve.
Ata janë njerëzit që e internalizojnë rolin e gardianit.
Për shembull, ata janë në gjendje të gjejnë qime në vezë, të merren me obsesivitet përbindëshor me bashkëvuajtësit, e kurrë me piramidën e padrejtësisë.
Sot, arkëtarët e shkreta në rrjetet e supermarketeve të mëdha – VIVA, MAX-i, INTEREX, Albi, Meridian, etj – janë bërë rrufepritëset e para dhe të vetme në të cilat viktima e albinkurtizmit uluron, shtazërohet e tërbohet.
Njerëzit që tani shijojnë barazimtarinë e fukarallëkut sokëllijnë e çaraveshen se ky artikull e ai artikull kushtonte dhjetë cent më lirë në raft e në arkë iu doli dhjetë cent më shtrenjtë.
Këto bërtima, për fat të keq, humbasin dhe Mefistoteli i së keqes rri i patrazuar dhe thur plane për eksperimentin e radhës.
Albin deshët, Albin morët!