Kur nuk ta ktheva Kosovë shpinën - NACIONALE

Kur nuk ta ktheva Kosovë shpinën

5 muaj më parë

nga Besian Beha

Rruga që njihet si ‘Te Kafet e Rakisë’ po vlonte. As një korridor për të ecur nuk mund ta gjeje. Lëre më vend. E riktheva pak kujtesën disa muaj përpara. Kur po prisnim të luanim me Suedinë në Prishtinë pas humbjes me Zvicrën, dhjetëra tavolina ishin të lira. Ashtu siç mund të jenë të lira kur në shtator do ta nisim Ligën e Kombeve. Mbase atëherë nuk do të ketë VIP, as parashutistë që ia kthejnë shpinën kombëtares varësisht nga rezultatet. As ‘pasanik’ që kishin blerë bileta me çmime të larta. As ‘tifozë’ për 90 minuta që nuk e çelën gojën. Disa i kisha krejt afër.

Shkruan: Besian Beha

Kur u zgjova sot në mëngjes pashë një video të portierit të kombëtares së Kosovës, Visar Bekaj. Visari nuk arriti t’i ndalte lotët pas humbjes kundër Turqisë. Edhe një tjetër ‘Bekaj’ ishte nën lot në tribuna. Lot të mërzisë e krenarisë. Se asnjë emër nuk ke si t’ia vendosësh. Po e veçoj Visarin sepse sigurisht emocione të njëjta patën të gjithë lojtarët. Ama është ai që për vite të tëra nuk ia ka kthyer shpinën Kosovës. Ashtu sikur ai ‘Bekaj’ tjetër që ishte në tribunë.

***

Derisa po e veshja fanellën e dhuruar nga portieri Visar Bekaj, mu kujtuan të gjitha ndeshjet e kampanjës për Botëror, të cilat i kisha shikuar me të njëjtën fanellë. Edhe me Suedinë, edhe me Slloveninë, edhe me Zvicrën. Dukej sikur fanella sillte fat. Mëngjesin e djeshëm shpresoja që edhe për finalen e madhe të ishte fati i njëjtë. Megjithatë, jo. Për pak. Kjo ‘për pak’ e thënë nga një tifoz i Arsenalit, sigurisht tingëllon pak tragjike, por edhe komike. Shpresojmë që ‘për-paku’ i Kosovës, të jetë dukshëm më i rrallë se ai i skuadrës së zemrës. Por, detyra e tifozit është të qëndrojë. Të mos ia kthejë shpinën asaj që e do, apo që i beson.

E prisja që Prishtina të jetë e mbipopulluar të martën. Ndeshja ishte historike. Sigurisht që ishte ndjenjë e mirë t’i shohësh në kryeqytet shqiptarët nga të gjitha anët. Mbase, do të jetë edhe larg dita kur kjo të ndodh për një ndeshje futbolli, ku në fokus është Kosova. Nuk i dihet, mirëpo historia ka dëshmuar që gjërat që ‘fryhen’ shpejtë, ‘shfryhen’ edhe më shpejtë. Sidoqoftë, për një shtet që nuk ka as 10 vite të plota të pranimit në UEFA, që është përcjellur me shumë dilema nëse duhet apo jo të ketë kombëtare futbolli, ajo që ndodhi dje ishte një arritje për futbollin e Kosovës. Një triumf i atyre që kanë besuar, besojnë, e do të vazhdojnë t’i qëndrojnë Kosovës. I atyre që nuk do t’ia kthejnë Kosovës shpinën.

Nëpër rrugë shihja vetura nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, e diaspora. Ishte problem të gjeje vend për të shijuar muzikën patriotike që jehonte nëpër të gjitha lokalet, pa dallim.

Rruga që njihet si ‘Te Kafet e Rakisë’ po vlonte. As një korridor për të ecur nuk mund ta gjeje. Lëre më vend. E riktheva pak kujtesën disa muaj përpara. Kur po prisnim të luanim me Suedinë në Prishtinë pas humbjes me Zvicrën, dhjetëra tavolina ishin të lira. Ashtu siç mund të jenë të lira kur në shtator do ta nisim Ligën e Kombeve. Mbase atëherë nuk do të ketë VIP, as parashutistë që ia kthejnë shpinën kombëtares varësisht nga rezultatet. As ‘pasanik’ që kishin blerë bileta me çmime të larta. As ‘tifozë’ për 90 minuta që nuk e çelën gojën. Disa i kisha krejt afër.

***

Se kishte eufori nuk shihej veç në shesh. Dëshmohej në tri kordonet e Policisë që ishin vendosur para stadiumit ‘Fadil Vokrri’. Zakonisht është veç një. “Kenë tu u bo copa”, më tha një polic që po mbante rendin afër Ministrisë së Brendshme. Dikush shtynte, dikush bërtiste nga frika se po i humb ndonjë minut i ndeshjes. Ose nëse jo ndonjë minut, ndonjë mundësi për 'story' nëpër rrjete sociale. Shumë tifozë që dukej se e kishin për herë të parë ardhjen në stadion, e që synonin të hynin brenda edhe pa bileta. Shumë të tillë që ia bënë ‘sefte’ stadiumit ishin brenda.

Shitja e biletave në të zezën, me çmime të larta, duket se ua kishte mundësuar shumë pasanikëve të zinin vend në stadium. Tifozë që nuk e ‘çelnin’ gojën. As kur ndeshja ishte barazim, e aq më pak kur Kosova pësoi. Bash në momentet që djemve të Kosovës iu duhej përkrahja, ata duket se mendonin për ndonjë fotografi në facebook. Thirrjet “hajde Kosovë” që nisnin nga ‘Dardanët’, ndaleshin diku kah fillimi i tribunës lindore.

Kur ndeshja u krye, plot prej tyre morën ‘turr’ të dalin nga stadiumi për t’i ikur tollovisë. Ikën pa një duartrokitje, pa një falënderim, pa një mirënjohje për krejt këto emocione që Kosova na dhuroi në muajt e fundit. Ua kthyen shpinën. Ashtu siç kanë bërë përherë.

***

Megjithatë, ne do të qëndrojmë. Nëse jo krejt, nëse jo ata që i sjell veç ndonjë erë suksesi, ata që besojmë me gjithë shpirt në këtë ekip. Edhe po “Kur (kurrë) nuk ta ktheva Kosovë shpinën”.

Shihemi më 24 shtator. Kosovë-Irlandë.

Lajme të ngjashme