Kur ideologjia fyen me maska humori - NACIONALE

Kur ideologjia fyen me maska humori

1 vit më parë

nga NACIONALE

Larg nga një standard humori inteligjent, një skenë kulturore ku nuk ka pasur kurrë Monty Pythonët e vet, burim i të qeshurave kanë mbetur damkat fizike, hajgaret me skadencë ditore dhe tallja me thekse të të folmeve. Së mbrami, edhe vetë kryeministri, për ibret, nxori nga thesi i tij tallje me mënyra të të folurit. Humori kështu bëhet skllavi i keq i një kulture ligësisht bullizuese, një katagelasticizmi që e përqesh secilin. ‘Hahaha’-të e ‘hihihi’-të vijnë nga fytyra njerëzish, nga akcente të të folurit e nga prejardhje krahinore. Ajo po etablon gjithnjë e më shumë gelotofobi, frikë e drojë e përgjithshme e njerëzve se mos përfundojnë në videon e gabuar e bëhen gazi alem viral

Shkruan: Col Mehmeti

Dikur shkrimtari anglez G.K. Chesterton pati thënë se rrëzimi i asnjë sendi nuk është sebep për të qeshur. Qesharake mund të jetë vetëm rrëzimi i njeriut për arsye se kjo ka ngjyrime paksa religjioze. Sipas tij, këtu është fjala për rrëzim njeriu dhe vetëm njeriu mund të jetë absurd. “Sepse vetëm njeriu mund të jetë dinjitoz”, vijon Chestertoni.

Në truallin e komedisë politike, sarkazmës therrëse e humorit banon argëtuesja e zbavitësja që ngacmon mendime apo vramendje për çështje përreth nesh e mbi ne. Prej kohësh është bërë çështje konsideratash filozofike nëse praktikuesit e humorit a komedisë politike e ngatërrojnë misionin e tyre me avokim pozicionesh ideologjike a politike.

Humori që shitet si superioritet—një teori mbi 2 mijë vjeçare

Tabloja e rëndomtë e humorit të dhjerë është ajo ku e qeshura ose hilariteti ngacmohet prej situatash kur fatkeqi rrëzohet ose merr n’thua, ose dikush i heq karrigen nga pas—në këso situata dhënësi dhe marrësi i përmbajtjes humoristike përbëjnë një audiencë skajshmërisht të kufizuar e skajshmërisht lokale.

Gati binjak me humorin primitiv është ai që prej Platonit e deri te Aristoteli përkufizohej si humor që ndërkall njëfarë sipranie të atij që tall në kurriz të të tallurit. Ky humor është skualifikues në thelbin e vet për sa kohë që si vjegëz e hajgares bëhen behanet dhe karakteristikat e të tjera të jashtme. Aristoteli dikur mendonte se një humor si ky nuk bën farë zarari (“ou fthartikon”), porse bota e sotme nuk është ajo e shekullit të katërt para erës sonë dhe as njerëzit e sotëm nuk janë ata që përbënin mjedisin social të filozofit grek.

Humori skualifikues, i cili në fishektoren e vet ka vetëm ofendime e përqeshje fizike, qëllon shpesh t’i nënrenditet projektit të një grupi mbizotërues politik a ideologjik që sulmin e kryen dhelpërisht me shpërfytyrimin e tjetrit. Në këso shina ka ecur edhe humori i një grupi politik e ideologjik në Kosovë, i cili kundërshtarët e vet i futi në qelitë e talljes, fyerjeve e urrejtjes, e në fund edhe një poshtërimi kolektiv.

‘Hahaha’-të e ‘hihihi’-të e saj kishin më parë pamje njerëzish (sa e sa herë është bullizuar, fjala vjen, deputetja Ganimete Musliu), akcente të të folmeve (shpesh e folmja drenicake), ose thjesht prejardhja krahinore (përsëri Drenica).

Të kënaqësh me fatkeqësi

Nëse përdoret ky radar teorik, a nuk do të ndizej drita e kuqe dhe a do të binte me poterë alarmi për një thelë të madhe të humorit të këtushëm i cili ç’prej 2014-s ka ecur dorë-për-dore me Vetëvendosjen e ngjitjen e saj në pushtet? A nuk kanë qenë kësofare edhe humoret e treshes së dikurshme të ‘Stupcave’ (Vedat Bajrami, Mensur Safqiu dhe Osman Azemi)? Ose, së fundmi, humori që bën ‘sens’ vetëm në Gjakovë si ai i Sevdai Radogoshit (‘Qumilit’) dhe sipërioriteti që krijohet me degradim fizik të tjetrit?

Në një këndshikim më të gjerë, është një kulturë e përgjithshme bullizuese e përjashtuese që kënaqësinë e gjen në shijimin pervers të çdo fatkeqësie të tjetrit. Në terma psikologjikë, kjo gjendje përshkruhet si katagelasticizëm ku dikush aktivisht kërkon dhe krijon situata ku mund të qeshet, tallet e fyhet në kurriz të tjetrit. Është njësoj si koncepti i shumëpërmendur gjerman i schadenfreude, ai përjetimi i kënaqësisë dhe gazit që vjen kur bëhen të ditura telashet, dështimet, vuajtja apo behanet e tjetrit.

Në vend të një humori politik që pas të qeshurave sjell vramendje, përmbajtje të tilla te një pjesë e madhe njerëzish po krijojnë gelotofobi, frikë nga të qenët burim i qeshjes a përqeshjes nga të tjerët.

Monty Pythonët dhe mungesa e tyre e përjetshme

Këtyre përmbajtjeve humorisitike iu kundërqëndron humori inteligjent, një nivel i epërm që i kapërcen me një hop kufijtë e kontekstet lokale për t’u bërë humor me përpjestime universaliste. Një shembull klasik është ai i Monty Python-it, trupës komedike nga Britania e Madhe, ku copëzat sarkastike e humoristike të fillimviteve ’70 ruajnë aktualitetin e tyre edhe sot e gjithë ditën.

Ose një shembull më taze: emri i aktores britanike Diane Morgan eklipsohet prej atij të Philomena Cunkit; kjo e fundit është në të vërtetë karakteri i saj gaztor e fort loçkaman si gazetare investigative.

Me një prekje qesharakisht absurd, ajo vë në siklet historianë, akademikë, kritikë arti e profile të larta shkencore. Gjatë intervistave, pyetjet më absurde, ose tejet fëmijërore, i bën me maksimumin e seriozitetit. Shpesh kjo tingullzohet si protestë simpatike ndaj akademizmit të fildishtë. Po cila protestë vjen nga ‘Qumilat’?

Lajme të ngjashme