Kulturë behanesh
Disforia e integritetit trupor, body integrity dysphoria, është një çrregullim mendor ku persona me trup të shëndoshë kanë një dëshirë kompulsive për të pasur një paaftësi fizike brenda vetes, një cen, një hendikep.
E ngjashme me të është edhe somatoparafrenia ose deluzioni i dikujt sikur një pjesë e trupit, një gjymtyrë e tij, është në paralizë.
Pavarësisht çdo dëshmie mjekësore se trupi i tyre është shëndosh si molla, disforia e njerëzve të tillë sekreton rrëfime të konfabuluara për një trup pa integritet fizik ku ose dora ose këmba janë sakate.
Nëse gjuhësohet parehatia jonë kolektive si shqiptarë, atëherë disforia e integritetit trupor dhe somatoparafrenia janë dy parashkrime relativisht të sakta.
Shqiptarët sot janë me dy shtete kombëtare, kurse në një tjetër kanë hise të elementit shtetformues.
Dhe, megjithatë, sjelljet janë sikur këta gjymtyrë të shëndoshë ose nuk janë pjesë e jona, ose janë në paralizë të përjetshme.
Paradoksi nuk mund të jetë më i madh e më grotesk ku, përkundër tre shteteve, të vetmet konfabulime janë rrëfimet për asimilim, për ndalim të shqipes, për pengim të shkollës shqipe.
Me fjalë të tjera, lëndë e parë viktimologjie për Marin Memat.
Vetëm këso patologji shpjegojnë edhe sjelljet politike.
A nuk e kemi parë sa e sa herë kryeministrin arrakat që tregimin për veriun herë e ngjyen me potencë e herë me impotencë?
Kështu, veriu nga një tokë e ‘çliruar’ kthehet sakaq në një tokë jashtë radarëve të shtetit, një terratinë ku gjithë kohën hyjnë e dalin çetnikë, radojiçiqistë e rusë.
Kur dështimi më nuk fshihet e as nuk mbulohet me gjethe fiku, atëherë regjimi e di se cilit avaz duhet t’i bie.
Kur patkonjtë i mbesin përpjetë, regjimi saora ua kërkon hallallin shtetasve të vet ‘Kaq mundëm’, ‘Nuk kemi takat për më shumë’, ‘Kështu është fati i popujve të vegjël’.
Vetë-imazhi për të qenit sakat bartet kudo.
Kjo e zhvleftëson edhe vetë shtetin dhe mundësia e tij për ndërhyrje e përmirësim kthehet në zero.
Me një atitudë si kjo, kot është shteti e mundësia e tij për ndërhyrje.
Prapë edhe gjërat themelore e të sigurta rikthehen si të rrezikuara nga asgjësimi.
Në vitin 2026, përsëri shqiptarët duhet të mbushin pushkën e vigjiliencës se gjuha është në rrezik, identiteti, shkolla…
Dhe ta mendosh, pastaj, që investimi i vetëm që regjimi albinkurtist bëri në arsimin e lartë është kthimi në interes nacional i Departamentit të Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Filologjisë.
Regjimi që me ambiciet e veta i varte qepët aq lart, sa krijonte përshtypjen se do t’i bashkonte shqiptarët si një superfuqi rajonale, u rikthye qorrçe në vitet ’70 të shekullit të kaluar.
U hap Departamenti i Gjuhës Shqipe.
Sepse gjuha është në rrezik, na tha regjimi.
Kaq janë ‘kapacitetet’ e tij, pra të shpallë rreziqe kombëtare, por jo edhe të pleqërojë ide a zgjidhje kreative kundrejt tyre.
E tillë, për besë, është e gjithë saga e racës komuniste kudoqoftë në rruzull.
Talenti i vetëm është në gjetjen, dhe në mos u bëftë kjo, sajimin e një rreziku fillimisht në formën e një shteti të huaj, pastaj një armiku të brendshëm, një sabotatori, e me raste edhe me pranimin që shteti a sistemi i ka të pakta mundësitë për shkak se Tjetri e la në atë zavall.
Pa ndonjë sforcim mendor, rreziku i shqipes sot është vetëm migrimi si mpakje e masës gjuhësore shqipfolëse në Ballkan dhe tretjes së saj brenda kontekstesh evropiane.
Regjimi e ka në dorë që të krijojë një stabilitet minimal socio-ekonomik ku shkalla e migrimit do të ulej sadokudo, por ja që politikat e tij ideologjike po i luftojnë bizneset, ndërmarrjet e gjithçka që është mbi idaren (ekzistencen).
Regjimi, njashtu, e ka në dorë që të shtrëngojë kriteret e naltësojë standardet akademike ku AShAK-u, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë e të tjerë do ta bënin të njohur ekzistencën e tyre në audiencat perëndimore.
Kështu do të ishte të bëheshe dalazotës i vërtetë i shqipes, e jo me shpallje rreziqesh e formula naive si Departamenti i Gjuhës Shqipe ku shteti i jep një mijë euro secilit që regjistrohet aty.
Por, regjimi nuk ka kapacitete për t’i tjerrur punët nga këto konsiderata.
Është i zënë rob nga çrregullimi kulturor i disforisë së integritetit trupor ku besohet që njëra dorë ose gjymtyrë është e paralizuar.
Col Mehmeti