Kriza që po vjen në Tajvan
MINXIN PEI
Artikulli është shkruar për Project Syndicate dhe është përkthyer nga gazeta Nacionale.
Shpërthimi i ri i Kinës, i nxitur nga vizita e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Nancy Pelosi në Tajvan, ka lindur nga nevoja për të mbajtur njëfarë kontrolli mbi situatën në ngushticën e Tajvanit pas fitoreve të qëndrueshme elektorale nga partia pro-pavarësisë së Tajvanit. Por ndërsa nuk ka shumë gjasa për një veprim ushtarak kinez në këtë pikë, një përplasje aksidentale edhe mund të ndodhë.
Ardhja e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Nancy Pelosi në Tajvan, ka nxitur një përgjigje të fortë e të parashikueshme nga Kina. Avionët luftarakë kinezë janë përplasur me vijën mesatare që ndan ngushticën e Tajvanit. Si rezultat i vizitës, ministria e Jashtme kineze ka paralajmëruar për “pasoja të rënda”. Presidenti kinez Xi Jinping i ka thënë presidentit amerikan Joe Biden se “ata që luajnë me zjarrin do të vdesin prej tij”. E tani, Kina sapo ka njoftuar një stërvitje të madhe ushtarake me zjarr të vërtetë duke filluar nga 4 gushti (pak pasi Pelosi të largohet nga Tajvani). Spektri i konfrontimit ushtarak duket i madh.
Por është e vështirë që Pelosi të mbahet përgjegjëse për tensionet e ngritura të sotme mbi ishullin. Edhe nëse ajo do të kishte vendosur të anashkalonte Taipein gjatë turneun të saj në Azi, armiqësia e Kinës ndaj Tajvanit do të kishte vazhduar të intensifikohej, ndoshta duke shkaktuar një tjetër krizë në të ardhmen e afërt.
Ndryshe nga tregimi mbizotërues, kjo nuk është kryesisht për shkak se Xi është i përkushtuar për të ribashkuar Tajvanin gjatë sundimit të tij. Megjithëse ribashkimi është me të vërtetë një nga objektivat e tij afatgjata (do të ishte një arritje kurorëzuese si për të ashtu edhe për Partinë Komuniste të Kinës), çdo përpjekje për ta arritur atë me forcë do të ishte jashtëzakonisht e kushtueshme. Madje mund të sjellë rreziqe ekzistenciale për regjimin e partisë, mbijetesa e të cilës do të rrezikohej nga një fushatë ushtarake e dështuar.
Që një pushtim kinez i Tajvanit të ketë një shans të mirë për të pasur sukses, Kinës do t'i duhet së pari të izolojë ekonominë e saj nga sanksionet perëndimore dhe të fitojë aftësi ushtarake që mund të pengojnë në mënyrë të besueshme një ndërhyrje amerikane. Secila nga këto proceseve do të zgjaste të paktën një dekadë.
Arsyet kryesore se pse paraqitjet ushtarake të Kinës mbi Tajvan janë kaq të menjëhershme, janë se autoritetet kineze po u sinjalizojnë udhëheqësve tajvanezë dhe mbështetësve të tyre në Perëndim se marrëdhëniet e tyre me njëri-tjetrin dhe me Kinën janë në një trajektore të papranueshme. Ajo çfarë do të nënkuptjë është se nëse nuk ndryshojnë këtë sjellje, Kina nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse të përshkallëzohet.
Deri relativisht kohët e fundit, udhëheqësit e Kinës e shihnin situatën në ngushticën e Tajvanit si të pakënaqshme, por të tolerueshme. Kur Tajvani drejtohej nga partia tradicionalisht miqësore me Kinën Kuomintang (KMT), Kina ishte në gjendje të ndiqte një strategji graduale të integrimit ekonomik, izolimit diplomatik dhe presionit ushtarak – një që besonte se ribashkimi paqësor do të bëhej përfundimisht opsioni i vetëm i Tajvanit.
Por planet e Kinës u përmbysën në janar 2016, pasi Partia Demokratike Progresive pro-pavarësisë u kthye në pushtet në Tajvan. Ndërsa KMT pretendon se Tajvani dhe Kina kanë interpretime të ndryshme të Konsensusit të 1992 - marrëveshjes që pala arriti me autoritetet kineze kontinentale 30 vjet më parë, duke pohuar ekzistencën e "një Kinë" - DPP e refuzon atë krejtësisht.
Megjithëse është e vështirë të përcaktohet saktësisht se kur u bë e patolerueshme për Kinën status quo-ja e re, një pikë kthese kryesore ndoshta erdhi në janar 2020, kur presidentja tajvaneze Tsai Ing-ëen e DPP-së fitoi lehtësisht një mandat të dytë dhe kur partia e saj mposhti KMT-në, në zgjedhjet legjislative. E ndërsa DPP forcoi dominimin e saj politik, ëndrra e Kinës për të arritur ribashkimin paqësor u largua edhe më shumë.
Ndihmë nuk ishte as ndryshimi gradual i politikës së ShBA-ve në Tajvan. Nën administratën e Donald Trump, ShBA hoqi kufizimet në kontaktet midis zyrtarëve amerikanë dhe homologëve të tyre tajvanezë; ndryshoi në mënyrë delikate formulimin e politikës së saj "një Kinë", duke i vënë më shumë theksin angazhimeve amerikane ndaj Tajvanit; dhe transferoi sisteme të avancuara të armëve në ishull.
Sfida të tilla ndaj Kinës kanë vazhduar edhe nën Biden. Vitin e kaluar, marinsat amerikanë u stërvitën hapur me ushtrinë e Tajvanit dhe majin e kaluar, Biden sinjalizoi se ShBA do të ndërhynte ushtarakisht nëse Kina do të sulmonte Tajvanin (megjithëse kjo deklaratë u tërhoq shumë shpejtë nga Shtëpia e Bardhë).
Gjithashtu, duket se lufta e Ukrainës e ka rritur ndjenjën midis liderëve perëndimorë se Tajvani është në rrezik të madh dhe të menjëhershëm. Duket sikur ata besojnë se vetëm mbështetja e fuqishme dhe e zëshme, duke përfshirë vizitat e nivelit të lartë dhe ndihma ushtarake, mund të shmangë një sulm kinez.
Por, ajo që ata nuk arrijnë të kuptojnë është se, e parë nga Pekini, mbështetja e tyre për Tajvanin duket më shumë si një përpjekje për të poshtëruar Kinën sesa çdo gjë tjetër. Pra është më shumë provokim sesa parandalim.
Kina tani ka frikë se nëse udhëheqësit e DPP-së dhe mbështetësit e tyre perëndimorë nuk paguajnë një çmim për fyerjet e tyre, ajo do të humbasë kontrollin e saj mbi situatën. Kjo jo vetëm që do të minonte mundësinë e Xi-së për të arritur qëllimin e tij afatgjatë të ribashkimit; gjithashtu mund të sjellë akuza për dobësi që do të minonin pozitën e tij si brenda ashtu edhe jashtë Kinës.
Kina ndoshta nuk është duke planifikuar të nisë një sulm të menjëhershëm dhe të qëllimshëm ndaj Tajvanit. Por mund të vendosë të përfshijë ShBA-në në një lojë në ngushticën e ishullit. Është e pamundur të parashikohet forma apo koha e saktë e një konfrontimi të tillë. Por sigurisht mund të supozohet se do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme, sepse Kina beson se vetëm një shkuarje deri në limit mund të sjellë përqendrim në mendjen e të gjithë lojtarëve.
Ashtu si kriza e raketave Kubane e vitit 1962, një krizë e re e Ngushticës së Tajvanit mund të përfundojë duke stabilizuar status quo-në – edhe pse pas disa tërheqje flokësh. E ky mund të jetë plani i Kinës. Por një lojë e tillë mund të shkojë edhe tmerrësisht keq. Që të mos harrojmë, fakti që lufta bërthamore nuk shpërtheu në vitin 1962 ishte kryesisht një çështje fati.