Konica i talli zyrtarët osmanë nga Llapi deri në Prishtinë - NACIONALE

Konica i talli zyrtarët osmanë nga Llapi deri në Prishtinë

1 vit më parë

nga Col Mehmeti


Col Mehmeti

Me 1903, nji flambojant me kapelë cilindrike po udhëtonte me tren përmes Serbisë drejt Shqipnís. Ai ishte dora vetë Faik Konica.

Te kufini i parandejshëm osmano-serb, jo larg Podujevës, Faiku zbret në ‘Zibefçë’ (me shumë gjasë Sibovci i sotëm).

Bashkë me të janë 12 udhëtarë, në mesin e të cilëve nji francez me të shoqen e vet, por edhe gruaja e nji ish-ministri bullgar, të cilën Konica e përshkruen me rreptësinë e stilit të tij pa pardon: “pshatarake me një bark si kade e me këmbë si magje...”

Që të shuhet kurreshtja se kush na ishte ky hanëmi bullgare, bâhet fjalë për të shoqen e nji ministri në kabinetin e Stefan Stambollovit, kryeministrit bullgar në fund të shekullit 19-të.

Por, çka âsht ma e randësishmja, ajo nuk âsht as personazhe kryesore në thuejse ma të mirin shkrim satirik të Konicës.

Në fakt, ai aty fshikullon injorancën e frikshme të zyrtarëve osmanë në këtë pjesë të Shqipnís, prej zaptijeve e deri te mehmurët (nëpunësit).

As nuk e lanë me marrë frymë, secili tu e pvetë Faikun “Bëzum Abdullah ne ollijor?” (Qysh âsht Abdullahi jonë?).

“Të ka ba selam”, i thotë Faiku nji zyrtari analfabet turk kurse ky i fundit bâhet çakërrqejf prej gëzimit.

“E qysh po më njeh ai”, thotë plot galdim. “Ai nuk të njeh, por më ka thanë me iu bâ selam krejt muslimanve të mire”, vazhdoi rrengun Konica.

Aq shumë përmendet emni i Abdullahut enigmatik sa Faikut i diftohet edhe nëpër ândrra.

Krejt vonë e mëson se bâhet fjalë për nji avokat anglez nga Liverpuli me emnin William Henry Quilliam.

I njejti ish pas kthye në fenë muhamedane tue marrë emnin ‘Abdullah’, diçka fort e zakonshme për konvertët e pare — ç’âsht e vërteta, rasti i tij pat bâ bujë të madhe dhe e pati marrë dhénë sidomos në Orient.

“Për nja 5-10 vjet, ingliztë do të jenë muhamedanë”, niste muhabetet Faiku me zyrtarët andollakë në Kosovë kur mësoi pikën e dobët të tyne e këta të fundit sa nuk fluturonin prej gzimit.

Me pak fjalë, Konica e shkrimi i tij “Abdullahu ynë, ç'bëhet” âsht nji Monty Python shqiptar në, me nder me thanë, perandorinë ku gjithçkaja ishte e bythëpraptë...

Lajme të ngjashme