Ju flet Albini - NACIONALE

Ju flet Albini

1 javë më parë

nga Col Mehmeti

Pres nga ju 55 përqindëshin!

Më shtritë kurrizin e nuk ma prishët gjizën për gjashtë vjet.

Një psikopat as në filma nuk mësyen drejt jush me sëpatën Raskolnikoviane të krimit.

Një psikopat, o shtetasit e mi, e ka fytyrën njerëzore, buzëqesh natyrshëm dhe as sytë nuk e tradhtojnë.

Ai ndonjëherë edhe qan hallet tuaja dhe duket sikur bashkë me ju zhytet në dertet tuaja.

Psikopati teston kufijtë tuaj personalë edhe me fjalët që i shqipton engjullorisht e që fshehin pas vete doza helmi.

Edhe kur intuita nga thellësitë tuaja me zë të mbytur ju jepte sinjale në gjuhën e vet se diçka s’ishte në terezi, ju e shuanit atë zë dhe i zinit besë secilit kurth.

Ju u shaluat si kafshë barre kur ju rekrutova në botën time, armiqtë e mi personalë u bënë edhe armiqtë tuaj, fiksimet e komplekset e mia u bënë edhe tuajat, dhe ju tashmë ishit vetja ime e karikaturuar si mos më keq.

Ata që më bënin rezistencë, i nxora falë jush nga bota e të gjallëve.

Atë që nuk do ta arrija vetë, e bëtë ju duke i sharë, poshtëruar e çnjerëzuar.

Secilit i dhashë zemër, secilin e radikalizova në behanën e vet.

Lleftistit yllkuq i dhashë motiv: “S’ka si ti, vazhdo përpara”, islamikut të tërbuar i thashë “Ti je stof i rrallë, veç vazhdo”, analfabetit funksional i kreha qimen “Ty të ka hije gjithçka bën, grahi përpara”, jugonostalgjikut i dhashë gajret “Kujto kush ishe e kujto çfarë të bënë ata”.

Ua rrënova shkollat e përtej tyre e vrava çdo autoritet të dijes dhe në vend të tyre stimulova dhjetëra-mijëra bozo prej të cilëve ju edukoheni në rrjete sociale.

Ua përmbysa realitetin dhe i dhashë secilit nga një metarealitet të vetin.

Ju bëra të besonit në mua si dalazotës të atdheut dhe ngadalë ua hoqa nga koka bindjen që Amerika i mbron kufijtë e Kosovës.

Ju bëra të besonit se forca juaj po ngulte shtiza flamujsh në veri, ju bëra të besonit se me plumba qorr në hava po bëja beteja më të rëndësishme për atdheun sesa çdo përpjekje luftarake e UÇK-së.

Fare lirë më kushtonin filmat e shkurtër në veri dhe ju besuat megjithë mend se ajo çfarë bëja ishte më e madhe sesa bombat e NATO-s më 1999.

Ua hoqa gjithçkajen që ju bënte bashkë e ju fala gjithçka që ju sjell sherr e ngatërresa mes vete.

Kam dëgjuar dikë që citonte Platonin i cili paska thënë njëfarë vakti se një polis mbahet bashkë kur banorët e tij kanë të njejtat kënaqësi e të njejtat dhembje.

Dhe atë ditë thashë vetëmevete që shqiptarisë do t’ia bëj gjëmën duke ua hequr juve edhe kënaqësitë, edhe krenaritë, edhe dhembjet e përbashkëta.

Dhe a ka gjë më satisfaksionuese sesa kur çdo farë e herdhur nga unë mbin saora?

Nuk ju bashkon më as kujtesa për historinë e përbashkët, as 28 Nëntori, as dykrenat e shkabës, e nuk ju bashkon më as kujtimi për dhembjet e mëdha.

Shpesh harroj për gjëra që i kam thënë sot, e lëre më ato që i kam thënë vite më parë.

Më bëhet zemra mal kur i dëgjoj nga goja juaj fiksimet e mia të dikurshme kur thoja që demarkacioni po na e vjedh tokën e po i lë mijëra hektarë andej kufirit.

Besimi që më zbehet herëpashere midis pasigurive në vete më ngjallet mu prej juve.

Më vjen të qesh e të uluroj së qeshuri kur sot e gjithë ditën besoni se Hashimi po e ndante Kosovën se deshi që Preshevën e Bujanocin t’i bënte pjesë të shtetit.

Ua shkatërrova çdo talent ndërmarrësie, ua shkatërrova dhe ua vura dryrin bizneseve tuaja.

Arkën e parasë publike e hapa për të dhënë sadaka të shpeshta dhe tani vërej që e pëlqeni varësinë nga to.

Nuk dua që fakir fukaraja të kalojë një jetë monotonie e për dreq të rebelohet.

Dua që të ndjeheni të rëndësishëm, ndaj ju dua si shtetas që mendoni se Kosova e ka për detyrë të ndikojë edhe n’Shqipní.

Dhe përtej kësaj, dua që ta besoni që Kosova ka takat t’i drejtojë me gisht punët atje.

Do ta përkrahim ‘revolucionin’ e pelikanëve e kurrë nuk do të lëmë që toka shqiptare të marrë gjallëri nga investimet e huaja.

Toka shqiptare duhet të jetë beronjë e të mbytet mes shkurreve, diellit përcëllues dhe egërsisë së natyrës mesdhetare.

Nëse e shkelëm me thembër të këmbës trashëgiminë e UÇK-së në Maqedoni, nëse shqiponjat e BDI-së i bëmë copë e grimë dhe i rikthyem luanët e VMRO-së, çfarë na ndalon t’i çajmë kufijtë e ta kthejmë në shkreti kudo ku ka shqiptarë?

I dua, pra, 55 për qind të votave!

Lajme të ngjashme