Jo, president Biden, pandemia nuk ka përfunduar - NACIONALE

Jo, president Biden, pandemia nuk ka përfunduar

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Fraza “pandemia ka përfunduar” sigurisht se është ajo që të gjithë kanë dashur ta dëgjojnë. Presidenti Biden e bëri këtë deklaratë në një paraqitje televizive të së dielës, në emisionin “60 Minuta”. Sidoqoftë, para ngutjes për t’u futur në paradën e shiritave të telegrameve, uluni. Pandemia është ende duke u tërbuar – në kuptimin që një virus i rrezikshëm po infekton, po sëmur dhe po mbyt njerëz, duke zhvilluar mutacione për të mbijetuar e duke iu fanitur botës. Pandemia ka ndryshuar – dhe normaliteti është rikthyer në shumë mënyra – por nuk ka përfunduar.

Editorial, “The Washington Post”

Është e qartë se pse z. Biden tha ndryshe. Zgjedhjet e mesit të mandatit po vijnë dhe amerikanët kanë një ndjenjë dërrmuese të lodhjes. “Nëse po e vëreni, askush nuk është duke vënë maska. Secili duhet se është në formë goxha të mirë, prandaj mendoj se gjendja po ndryshon”, i tha presidenti amerikan gazetarit Scott Pelley.

Asnjë rregull e ashpër dhe e shpejtë nuk e shënon momentin e saktë të përfundimit të një pandemie. Vendi dhe bota kanë kaluar një rrugë të gjatë që nga izolimet e hershme e valët shkatërruese të varianteve Delta e Omicron. Vaksinat kundër koronavirusit janë të sigurta dhe shumë efektive, duke u dhënë njerëzve besim që të rifillojnë shumë aktivitete. Mësimi në shkolla është kthyer, fluturimet janë gjallëruar, trafiku i udhëtarëve po këndellet. Një pjesë e madhe e trishtimit më të rëndë është tashmë në pasqyrën për pamje prapa.

Sidoqoftë, pandemia sigurisht se nuk ka përfunduar. Shifra mesatare shtatëditore e vdekjeve të përditshme në Shtetet e Bashkuara është gati 400 dhe është rrënjosur në këtë nivel të tmerrshëm që nga prilli. Mesatarja e rasteve të reja ditore është 60.000, dukshëm më e lartë se në pranverë. E rënduar nga virusi, jetëgjatësia mesatare e amerikanëve ra më 2020 dhe 2021. Kjo ishte rënia më e madhe dyvjeçare e jetëgjatësisë në gati 100 vjet. Covid-19 është shkaktari i tretë kryesor i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara pas sëmundjeve të zemrës dhe kancerit. Covid-i i gjatë – ata që vuajnë nga një plejadë dobësish pas zhdukjes së simptomave të menjëhershme – rrezikon miliona njerëz.

Progresioni natyror i urgjencës së pandemisë do të jetë transformimi i saj në një model më të parashikueshëm – sëmundje endemike, si gripi. Sidoqoftë, valët e varianteve të reja kanë qenë gjithçka tjetër pos të parashikueshme. Arritja e variantit Omicron ishte në Ditën e kaluar të Falënderimeve. Çfarë ka në radhë në dyqan? Nuk ekziston asgjë e sigurt, përpos faktit që virusi është ende duke pësuar mutacione.

Z. Biden nuk i ka dhënë fund urgjencës zyrtare të pandemisë. Kur të përfundojë urgjenca zyrtare, rreth 15 milionë njerëz do ta humbin mbulimin e shpenzimeve mjekësore; arsyeja për ndërprerjen e ripagimit të huave të studentëve do të marrë fund; arsyetimi për kufizimet kufitare të periudhës së Trumpit, ende të mbajtura në fuqi nga një gjykatë, do të zhduket. I tërë ky tranzicion i politikave nuk duhet të bëhet në mënyrë të pakujdesshme ose me ngut.

Ndoshta shqetësimi më i madh që rrjedh nga komenti i z. Biden, është që ky koment do ta minojë më tej vendosmërinë politike në Kongres për ta vazhduar luftën kundër Covid-it. Kërkesa e z. Biden për fonde shtesë për vaksina, testim diagnostikues e terapi tashmë ka lënguar. Nëse vetëkënaqësia dhe plogështia vazhdojnë që të përhapen, vendi nuk do të jetë i përgatitur për një variant të ri, bash atëherë kur përgatitja nevojitet më së shumti. Fraza “pandemia ka përfunduar” tingëllon bukur dhe është dëshpërimisht e mirëseardhur, por nuk kemi mbërritur atje, ende./Përktheu: Nacionale

Lajme të ngjashme