Jakna e duhun për Kosovë! - NACIONALE

Jakna e duhun për Kosovë!

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Dardan Sejdiu

Në Davos, kryeministri foli përsërsi, kësaj here si profesor filozofie me “trekëndëshin” Kant–Mill–Aristotel, veç i mungoi edhe me i shpërnda nota audiencës. Në Kosovë s’na duhet filozofi për skenë, na duhet plan për terren, diçka që nis sot e jep efekt shpejtë, jo pas një dekade.

Shpesh m’vijnë mesazhe me të njëjtin nëntekst: “Mirë po na e përshkruan situatën, po s’po na tregon cila është rruga me e rregullu.” E pranoj. Shkrimet e mia janë diagnozë, jo rrugë. Veç që ka një problem të vogël, po fatal: pa diagnozë s’ka shërim, ka vetëm PR, ka vetëm “po e zgjidhim”, edhe pastaj prapë na zë dimri me pantolla të shkurta.

Nuk po pretendoj me ofru zgjidhje për krejt nyjën energjetike të Kosovës me një shkrim, as me një masë të vetme. Energjia është mozaik me shumë pjesë: gjenerim, rrjet, rregullim, treg, bateri, e plot të tjera. Po ka një copë që e hap hapësirën ma shpejt se të tjerat.

Kjo politikë e ul kërkesën kur na dhemb ma shumë, në dimër, dhe njëkohësisht e krijon një industri vendore: produkte, izolim, dritare, instalime, auditim, shërbime, standarde, që nesër munden me u eksportu.

Pra kjo s’është “ilaç magjik”, është një prej ilaçeve që funksionon, është e lehtë me e nisë, dhe lehtë me e bo, nëse vendosim me e trajtu si infrastrukturë kombëtare.

Prandaj ky shkrim s’është edhe një fotografi e ftohtit, është një propozim që s’pret mrekulli, s’pret tender 7-vjeçar, s’pret “zgjidhjen e madhe” që gjithmonë është në PowerPoint e kurrë në prizë. Kjo rrugë quhet RETROFIT.

Retrofit-i, me fjalë për dummies, është kur ia vesh shtëpisë “jaknën” e duhur: izolim termik, dritare të mira dhe kontroll të ngrohjes, që me shpenzu shumë ma pak rrymë e me pasë të njëjtën ngrohtësi, sidomos në dimër.

Dhe ja fjalia që s’duhet me na ardhë marre me e thonë me zë: Kosova duhet me i trajtu retrofit-et e ndërtesave dhe shtëpive si infrastrukturë kombëtare, sikur autostradat, sepse çdo ndërtesë dhe shtëpi e paizoluar është një kontratë e përhershme importi, e nënshkruar çdo dimër.

Muhabeti i madh i energjisë, sport kombëtar me fatura reale!

Kosova e don “muhabetin e madh” të energjisë. Gjenerim i ri, megavatë të rinj, linja transmetimi, tendera milionshë, import pa ndal. Ndërkohë, dimri punon si noteri. Na e vulos çdo vit të njëjtën marrëveshje, kur rritet konsumi dhe prodhimi vendor s’mjafton, importet bëhen të domosdoshme, sidomos dimrit, e sidomos në orët e pikut. KOSTT vetë e ka thënë qartë se kapaciteti vendor nuk e mbulon kërkesën gjatë dimrit dhe se importet janë të nevojshme gjatë periudhave të konsumit të lartë.

Këtu është ironia, ne sillemi sikur importi është “opsion tregu”, kur në praktikë është “mekanizëm mbijetese”, dhe mbijetesa jonë në dimër po na kushton shtrenjtë.

Importi është taksë e ftohtit!

Kur importon në dimër, importon në kohën më të shtrenjtë, në tregun më nervoz, në momentin kur gjithë rajoni po bën të njëjtën gjë. E kur sistemi është nën presion, “tregu” bëhet fjala më romantike që i themi një fature që s’e kontrollojmë.

INDEP ka dokumentuar se gjatë krizës çmimet e importit kanë shku deri në 540 euro për MWh. Edhe kur tregjet nuk janë në panik, fatura prapë s’është e butë, ZRE raporton se kostoja mesatare e parashikuar e importit për 2024 ka qenë 97.79 euro për MWh.

Pastaj vjen pjesa që s’duhet me u harru, importi s’është vetëm çështje kompanish, është çështje shoqërie. Reuters raportoi se Kosova ka shpenzu 114 milionë euro për importe të energjisë “vitin e kaluar”, në kontekst të presioneve dhe reformave të tregut. Kjo është pare reale, pare që dalin jashtë, e kthehen mbrapsht si stres në tarifa, subvencione, ose nervozë publike.

Nëse problemi i Kosovës është dimri dhe çmimi i dimrit, atëherë politika ma e mençur është ajo që e ul dimrin si kërkesë, jo vetëm e shton verën si plan.

Kjo politikë është retrofit-i.

Gjenerimi është i nevojshëm, po retrofit-i është “kapacitet i ri” pa skandal dhe pa bast politik a partiak!

Po, Kosovës i duhen kapacitete të reja, më të pastra, më fleksibile, më moderne. Kjo s’është më debati. Ky debati është në rrezik. Projekti i madh është bast, i gjatë, i shtrenjtë, politikisht i ekspozuar, proceduralisht i brishtë. Është edhe i lehtë me u shndërru në serial, sezon pas sezoni, me ankesa, akuza, tendera, komisione, e në fund me një fjali të thatë, “procesi u anulua”.

Retrofit-i është e kundërta. Është i shpërndarë, modular, i shpejtë, dhe për çudi, i mërzitshëm. Pra i besueshëm. Mundesh me nisë këtë vit, në mijëra ndërtesa, pa e pritë “projektin historik”.

Dhe ka një avantazh që s’e ka asnjë central i energjisë, retrofit-i e ul kërkesën pikërisht në orët kur importi bëhet i pashmangshëm. KOSTT e pranon se në dimër, në orët e pikut, importet janë të nevojshme sepse kapaciteti vendor s’mjafton. Pra, nëse e ul kërkesën e dimrit / pikut, e ul importin, nëse e ul importin, e ul varësinë, dhe nëse e ul varësinë, e ul edhe tarifen e importit, e ul edhe hapësirën për drama!

Nëse don një imazh që i rri Kosovës, mos i mendo retrofit-et si “rrenovim shtëpie”. Mendoje si central që s’djeg karburant, s’prishet, s’ka nevojë për import dhe s’ta dërgon faturën prej importi. Ky është i vetmi “central” që punon duke mos e harxhu energjinë. Nga “projekti social” te infrastruktura që matet, auditohet, dhe s’pyet a i pëlqen dikujt!

Kosova ka dokumente, ka plane, ka fraza. ZRE në raportet e veta e pranon rolin e importit si pjesë e mbulimit të kërkesës, dhe tregon edhe pjesëmarrjen e importit në konsum. Ajo që na mungon nuk është fjalia, është makina e zbatimit.

Retrofit-et janë trajtu si projekt donatori, si program social, si “green accessory”. Infrastruktura nuk ndërtohet kështu. Infrastruktura ndërtohet me rutinë, me standarde, me kontroll cilësie, me matje, me verifikim.

Pse retrofit-i është më i fortë se argumenti klimatik!

Le ta themi troç, kjo s’është vetëm argument klimatik. Kjo është ekonomi familjare, është konkurrencë biznesi, është stabilitet social. OECD e trajton ndjeshmërinë e kostos së energjisë dhe presionin që vjen nga tregu dhe importet në Kosovë si temë me peshë politike dhe ekonomike. FMN-ja e ka trajtuar ekspozimin e Kosovës ndaj importeve dhe kostove të energjisë si rrezik shoqëror, pra si diçka që shkon përtej “sektorit”, dhe është temë vetëm e ekonomisë.

Një strategji retrofit-i, e dizajnuar si infrastrukturë kombëtare, i bën katër punë në të njejtën kohë:

1. Zvogëlon importet dhe presionin fiskal. Kur çmimet jashtë Kosovës rriten, dikush paguan këtu.

2. Zvogëlon pikun dimëror. Piku është kërkesa më e shtrenjtë, dhe në pikun dimëror futesh në import. Çmimet e importit po i shohim çdo dimër!

3. E rrit shëndetin dhe rahatinë. Shtëpitë e ftohta dhe me lagështi s’janë vetëm parehati, janë rrezik shëndetësor.

4. Krijon vende punë dhe prodhim vendor. Importi i nxjerr paret jashtë, retrofit-i i qarkullon brenda.

Dhe po, retrofit-i s’ka nevojë për hero. Ka nevojë për një shtet që e do normalitetin, jo spektaklin.

Çka do të thotë “retrofit si infrastrukturë” në praktikë?

Nëse e trajtojmë si infrastrukturë, atëherë s’ka më “thirrje herë pas here”, ka pipeline ndërtesash. S’ka më improvizim, ka standard! S’ka më vetëm “u shpenzuan fondet”, ka “u kursyen kWh dhe u ul piku”, me matje e me verifikim.

Dhe këtu vjen përfundimi që s’ka nevojë për patetikë: Kosova ka vite që po debaton si me prodhu më shumë rrymë. Duhet me i shpenzu vitet e ardhshme duke debatu si me e humb më pak.

Izolimi s’është trend, është infrastrukturë kombëtare. Dhe derisa s’e trajtojmë si të tillë, dimri ka me vazhdu me e bë atë që di ma së miri, me i kthy strategjitë tona në megavat-orë të importuara, dhe debatet tona publike në një faturë tjetër.

Lajme të ngjashme