Nuk është thiu im, nuk është fusha ime
"I vetmuari ofron dorën tepër-shpejt te i pari që zahtet" — Nietzsche.
Xhezair Dashi
Me një anglishte të rraskapitur, me artikulim të ndryshkur, prononcim varfnor fjalësh, fjali fjalëpërfjalshëm invalide, në bodrum të inteligjibilitetit, në të pasurit kuptim në rend të për atë që flet. Dhimbëse ta dëgjosh.
Dhe atë kënd?
Dikë që festohet për frazeologjii të rafinuar e pedantri; që shkruan panegjiriqe per David Lynch-in në anglisht në "X", që citon atë duke u fashionuar për njeri të mësuar, lojcak në gojëtari, për të goditur Donald Trumpin me viticizma si "You cannot counter him in an intelligent way".
Një hije e personit të vet, dukej.
Krahët hapur si drejt qiejve rrugëdalës nga vetmia — grepi i rusëve; kryeministri-loner. E luajnë si kukull me aparat zënor në mëshirën e tekave të tyre.
E kundërta e vërtetë nga ç'thane të gazuarit e zyres së vet: se verfikimi i personave s'paskësh qenë i mundur. Sali Berisha dhe Internacionalja Socialiste ishin të vetmet që e kishin uruar.
Duhet të jesh një dhjetë kat më poshtë çfarëdo vetmie të padëmshme t'u dalësh me zë e figurë për dhjetë minutë një bashkëbiseduesi që s'të shfaqet njësoj ty. Edhe mashtrimet në Tinder janë më të ndërlikuara...
Kryeministër i një shteti, me tridhjetë e kusur vetë që supozohen të jenë thridhjetë e kusurë koka të huazuara për të shërbyer mençur e më mençur.
Por, tridhjetë e kusur kokët s'shërojnë vetminë në të cilën s'e kanë këshilluar të mos bjerë. Jeton Zulfaj nuk mund të jetë ngushëllues i nevojës për të veshur çizme globale; ai është veçse një dëgjues përsosmërisht i nënshtruar, gati se kamarjer personal.
Dhe, nevoja dëshpërimisht për të biseduar me frymë të gjallë të huaj, e tëhuajsoi nga sensi i tij i trumbetuar me dekada si i mprehte sharrë; radarit perceptual të të cilit nuk i shpëton dot pa u skrutinuar.
"I vetmuari ofron dorën tepër-shpejt te i pari që zahtet", thotë Friedrich Nietzsche te "Mizat e Tregut" në Zaratustrën e vet.
Teper-shpejt dorën rusëve, për t'i rënë si me dorë shembjes së reputacionit të vet "gjithmonë vigjilent" — me artikulim që "not probllematik gajs"-in e Hashim Thacit e bëri të duket pasazh shekspirian.
"Oh ju vetmakët e sotshëm...", këndon në vazhdim Zaratustra.
Prenku rus na dha një shymbëlltyrë të Albin Kurtit pa skriptë, të atij Albinit pa "rehearse", që në rëndomësinë e vet është gjuhësisht dhe informativisht jo vetëm i pakrehur, por edhe përgojues i pamoralshëm i njerëzve të shtëpisë së vet shtëpijëve të huaja.
"Nuk është thiu im, nuk është fusha ime", thotë një proverb jetëgjatë letonez. Kurti nxori "thitë" e vet për t'ia treguar të huajve, fushave të veta.