Grida dhe Frroku - NACIONALE

Grida dhe Frroku

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dje, Grida Duma, sipas meje deputetja më interesante e Parlamentit të Shqipërisë, dorëzoi mandatin e deputetit. Me gjasë do bëjë një punë më joshëse nga çdo pikëpamje, është përzgjedhur të jetë moderatorja e emisionit politik të Top Channel.

Shkruan: Ermal Mulosmani

Grida Duma, sa kohë ishte në Parlament, ishte magnet për lajmin. Sharmi, elokuenca, postura teatrale e shoqëruar me tendencat moderne në veshje dhe ekstravaganca në sjellje, e veçonin ndjeshëm Gridën prej të tjerëve. Videoselfiet e saj, ndonjëherë edhe me nuanca erotike, thashethemet me dhe pa baza për histori rozë, deklaratat patetike politike e kthenin në personazh të preferuar të medias. Këtu duhet të shtoj edhe guximin për tu përballur me kundërshtarin politik kudo qoftë, në parlament apo në media.

Edhe emri i saj atipik - Grida - i shkonte mjaft përshtat profilit që publiku kishte në kokë për të; të kujtonte fjalë tërheqëse si intriga apo emra aktoresh të mëdha si Ingrid Bergman.

Grida shpesh bënte gjeste ekstravagante, jotipike, si shkelja e syrit, përdorte fjalë me nënkuptime apo bënte lëvizje provokuese, prej kokete, të buzëve apo gjuhës. Ajo flirton me kameran si një aktore apo yll televizioni. Stili i saj i fjalimeve gjithmonë e ka një bosht dhe rrallë e humb fillin.

Toni patetik i të folurit dhe postura teatrale e interpretimit kanë qenë gjithmonë pika e saj e dobët. Kujtoj këtu momentin kur iu drejtua Lulzim Bashës me ato fjalët e famshme “Na prij Lulzim Basha, na prij”! Nuk mbeti njeri pa u gajasur me ato fjalë dhe sidomos me atë mënyrë të thëni! Unë për vete e kam parë me dhjetëra herë atë pjesë, gjithmonë me gaz ndër buzë. Ose atë videon që kishte nxjerrë njëherë ku i fliste audiencës me zë të ulët, gati gati në një gjendje të eksituar.

Për të shtuar edhe më tej misterin e Gridës shërbente statusi “e divorcuar”. Grida është e bukur, intriguese, koketë, e mençur, misterioze, ekstravagante dhe.. politikane. Ky ishte një profil që do shkëlqente edhe në një shoqëri liberale jo më në këtë shoqërinë tonë kaotike e me moral të shtirur, mbytës, cinik e plot stërkëmbësha.

Nuk kisha ndërmend të shkruaja për Gridën por më nxiti Frroku. Çupi kishte bërë një artikull “i lemerisur” pse dy deputetë të PD-së, Agron Gjekmarkaj dhe Flutura Açka kishin shpërthyer në lotë gjatë fjaës dorëheqëse të Gridës!

Për të mos i rënë në qafë më shumë seç duhet Frrokut, edhe unë vura buzën në gaz kur i pashë ashtu, të shushatur, me kokë të mbështetur në duar e lotë ndër faqe. Ishte një ekzagjerim. Ndërkohë për ta bërë edhe më komike skenën ndihmonte fjala teatrale prej heroine e Gridës së sapoemëruar nga Lideri si Nora e Kelmendit. Grida thoshte ca të vërteta në fjalën e saj por e vërteta kryesore ishte që ajo po bënte një zgjedhje tjetër. Propozimi për tu bërë star televiziv e joshte më shumë sesa kjo politikë që nuk po e çonte asgjëkundi.

Mirëpo ndjenjat janë personale, mundet ata deputetë të shohin në ato dorëheqje edhe fundin e një ëndrre të përbashkët, kushedi si e kanë idealizuar dhe tani e shohin të fundosur. Ose diçka tjetër, fundja punë e tyre.

Por çfarë thoshte Frroku te shkrimi i tij? Ai i gjente arsyet e qarjes së deputetëve tek natyra fisnore e Partisë Demokratike.

Sipas tij, PD është qysh nga fillimi e deri më sot Parti e fisit të Veriut. Ja sesi shkruante Çupi në paçavuren e tij raciste:

“Sulmin ushtarak që zhvilloi qeveria e Partisë Demokratike kundër popullit të vet në vitin 1997 e 1998, e kalkuloi pikërisht si ‘luftë fisi’, ku militantët e Veriut do të pushtonin për vdekje njerëzit në Vlorë e në gjithë Jugun.”

Vini re me kujdes. Këta të Veriut janë “militantë” ndërsa të Jugut “njerëz”. Thellë brenda vetes do i kishte emëruar kafshë ata militantët. Ose fistarë, parahistorikë, shpellarë. Ohh, sa do të donte! Por kjo do ta zbulonte. Ndaj e kamuflon në “militantë” dhe “njerëz”. Gjithë jeta e tij është një kompleks inferioriteti për qytetarinë, kulturën, urtësinë e Toskërisë. E kam shpjeguar edhe herë tjetër këtë dhe vërehet lehtë në shkrimet e tij. Ka një mirëkuptim të lehtë me Mirditën e mirditorët por është i pamëshirshëm për gjithë të tjerët! Dikur shkruante “Lezhjani për lezhjanin është ujk” apo “Njeriu për njeriun është lezhjan”. Për Tropojën dhe tropojanët të mos zgjatem, ata i gjen fajtorë edhe për luftën në Ukrainë apo Siri! Imagjino, kalon nga një përlotje sentimentale miqësore e dy deputetëve, qartas të distancuar nga PD e Berishës (Açka, Gjekmarkaj), te Tropoja dhe partia e fisit! Flutura Açka është poete, shkrimtare, intelektuale që nuk ka asgjë të bëjë me mendësinë e fisit që përmend Frroku. Për këtë mund të dëshmojë çdo njeri në Shqipëri. Edhe Gjekmarkaj, përtej gjithë vërejtjeve që kam për karakterin e tij, nuk është produkt i ndonjë lidhje fisnore në politikë por i një kontributit intelektual në shkrime apo avokati publike ndaj së djathtës.

Por për Frrokun nuk ka rëndësi. Ai do ta çojë logjikën te urrejtja e tij e pashuar për Veriun, do të nxjerrë dufin e "fatit të tij të zi" që e lindi në ato vise “fistare”. Nuk e ka me Gridën as me Fluturën as Agronin.

Atij nuk i bën asfare përshtypje që 90% e Ministrave, Drejtorëve, funksionarëve të lartë shtetërorë të Qeverisë aktuale vijnë nga e njëjta zonë e Shqipërisë . Frroku e ka problemin pse ata që mbetën nuk janë prej të njëjtës zonë (Ulsiu etj). Nuk është puna se me Gridën apo Gjekmarkajn ka pasë një përplasje personale prej së cilës doli si pulë e lagur. Ai zotëron talentin e shpalosjes së paturpësisë si pakkush në këtë vend. Turpërimi për të është një investim. Psh mund të mburret kësisoj:

“E patë sesi më bënë si leckë mbrëmë? Edhe para një jave, para një muaji…Më thanë këllirë që do më pështyjnë kur të dalin përjashta. Por unë e bëj këtë punë me ëndje dhe përkushtim. Do shkoj prapë, sa herë të më thërrasin, me shpresën se dikush do më poshtërojë sërish, edhe më rëndë.”

Kur e nisa këtë shënim më erdhi në mendje “E bukura dhe Bisha”. Por pastaj e ndërrova në respekt të Bishës. Bisha është kaq tërheqëse si fjalë, ka egërsi, shpejtësi, frikë, tërheqje brenda saj. Në fund mendova se të thuash “Frroku” i ke thënë të gjitha. Nuk ke ku e çon më poshtë fjalën.

Lajme të ngjashme