Gjykata Speciale, kjo shkelëse e të drejtës për respektimin e jetës private dhe familjare si dhe praktikes së GJEDNJ-së - NACIONALE

Gjykata Speciale, kjo shkelëse e të drejtës për respektimin e jetës private dhe familjare si dhe praktikes së GJEDNJ-së

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Ardian Bajraktari

Fillimisht duhet të theksojmë se neni 8, i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), garanton se çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij, dhe se autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.

Ndërsa sipas jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) refuzimi i vizitave për arsye humanitare (p.sh. për të takuar anëtarë të familjes në kushte të jashtëzakonshme) mund të përbëjë shkelje të nenit 8, të KEDNJ, e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare, nëse ndërhyrja nuk është e justifikueshme nën kushtet e nenit.

Autoritetet shtetërore/gjyqësore nuk duhet të ndërhyjnë me këtë të drejtë, përveç nëse kjo ndërhyrje përkatësisht refuzimi i kërkesës mund të justifikohet sipas këtyre kritereve:

1. ndërhyrja, përkatësisht refuzimi është në përputhje me ligjin,

2. ndërhyrja, përkatësisht refuzimi ndjek një qëllim të ligjshëm (p.sh. siguri publike, rend, shëndet, të drejtat e të tjerëve), dhe

3. ndërhyrja, përkatësisht refuzimi është e nevojshme dhe proporcionale në një shoqëri demokratike.

Në praktikë, GJEDNJ e konsideron që refuzimi i qasjes në kontakt me familjen ose në raste humane mund të jetë një ndërhyrje në jetën familjare, sepse pengon realizimin e marrëdhënieve thelbësore familjare siç është rasti me pjesëmarrjen në ceremoni mortore.

Në disa vendime, GJEDNJ ka konstatuar se refuzimet e tilla ndërhyjnë në të drejtën e garantuar me nenin 8, dhe duhet të justifikohen sipas kritereve të cekura më lartë.

Pra, në përgjithësi, mos lejimi i vizitave për shkaqe humanitare mund të konsiderohet si shkelje e së drejtës së garantuar nga neni 8, nëse masa nuk është në përputhje me ligjin, nuk ndjek një qëllim të ligjshëm apo nuk është proporcionale.

Megjithatë, Gjykata vlerëson çdo rast në mënyrë individuale, duke shqyrtuar arsyet e shtetit dhe proporcionin midis interesit publik dhe ndikimit në jetën familjare të individit.

Disa raste të GJEDNJ-së, ku është shqyrtuar refuzimi i kërkesës së të burgosurve për vizitë tek një i afërm i sëmurë ose të marrin pjesë në ceremoni të varrimit, dhe ku refuzimi i tyre është konstatuar se ka pasur shkelje të nenit 8, të KEDNJ-së.

1. Płoski v. Polonia (2002)

Çështja: I burgosuri kërkoi leje për të marrë pjesë në varrimin e prindërve të tij që vdiqën të dytë brenda një muaji. Autoritetet e refuzuan kërkesën duke mos e konsideruar mundësinë e shoqërimit nën masa shtesë të sigurisë. Vendimi i GJEDNJ-së gjeti shkelje të nenit 8, të Konventës sepse nuk kishte justifikime bindëse për refuzimin e lejes dhe nuk u konsiderua seriozisht mundësia e zgjidhjeve alternative (p.sh. masa shtesë të sigurisë. Pra, refuzimi i lejimit për pjesëmarrje në varrim pa arsyetim proporcional mund të përbëjë shkelje të të drejtës për jetë familjare.

2. Giszczak v. Polonia (2011)

Çështja: I burgosuri kërkoi leje për të vizituar vajzën e tij të lënduar rëndë e cila ishte në spital dhe më pas të merrte pjesë në ceremoninë e varrimit të saj. Autoritetet refuzuan me arsyetimin se profili i tij ishte i rrezikshëm. Vendimi i GJEDNJ-së gjeti shkelje të nenit 8, të Konventës për shkak se arsyet e dhëna për refuzimin nuk ishin të mjaftueshme dhe nuk ishin analoge me nevojat individuale të situatës së tij (p.sh. mundësia e masave shtesë të sigurisë nuk u shqyrtuan si mundësi). Pra, refuzimi i lejes për të vizituar një të afërm tepër të sëmurë ose për me marrë pjesë në ceremoni varrimi, aspektet e sigurisë mund të tejkalohen me ndërmarrjen e masa të tjera shtesë, andaj pati shkelje të nenit 8.

3. Vetsev v. Bullgaria (2019)

Çështja: I paraburgosuri kërkoi leje për të marrë pjesë në varrimin e vëllait të tij. Autoritetet e refuzuan lejen/kërkesën duke u bazuar vetëm në dispozitat ligjore që nuk parashikonin leje të tillë. Vendimi i GJEDNJ-së gjeti se refuzimi konsiderohej ndërhyrje në jetën familjare dhe se autoritetet nuk kishin treguar se kjo ndërhyrje ishte e nevojshme në një shoqëri demokratike apo e balancuar me arsyet e tjera, për rrjedhojë pati shkelje e nenit 8 të Konventës. Pra, refuzimi i kërkesës pa vlerësim individual të rrethanave dhe pa një balancim midis interesave mund të jetë në shkelje.

Nga sa u cek më lartë, GJEDNJ nuk garanton një të drejtë të pakushtëzuar për vizitë humane ose pjesmarrje në ceremoni të varrimit për të burgosurit, por kërkon që çdo ndërhyrje në jetën familjare të jetë në përputhje me ligjin, të ndjekë një qëllim të ligjshëm dhe të jetë proporcionale dhe e nevojshme në një shoqëri demokratike.

Megjithatë, autoritetet shtetërore/gjyqësore duhet të bëjnë një vlerësim individual të çdo kërkese, duke marrë parasysh rrethanat e rastit, lidhjet familjare, ndjeshmërinë e situatës/rastit dhe mundësitë alternative.

E për fat të keq, këto rrethana sipas praktikës (katër rasteve paraprake) të Gjykatës Speciale, nuk janë analizuar mjaftueshëm kriteret, nuk është marrë fare për bazë konteksti lokal, lidhjet familjare e ndjeshmëria e situatës, prandaj, nga këto mund të vije konstatimi se kemi pasur shkelje të këtij neni (nenit 8 të KEDNJ), si dhe veprime në kundërshtim me praktikën e GJEDNJ-së, praktike e cila është e obligueshme të ndiqet nga sistemi ynë gjyqësor, ku bën pjesë edhe Gjykata Speciale.

Lajme të ngjashme