Fronti për çlirimin e Prishtinës ose një kryeqytet pa albinkurtizëm
Col Mehmeti
Njerëzit e rinj që mësyjnë në listat për kandidatë asamblesh komunale janë cilësisht më të mirë sesa mëtonjësit për deputetë në nivel qendror.
Kaq pak gjë kuptohet milje e milje larg.
Paradoksalisht, rruga drejt të qenit asambleist komunal është më e zorshme sesa ajo për t’u bërë deputet.
Gara është pa fanfara sepse asambleisti prejse mbahet mend është projektuar hierarkisht më pak i rëndësishëm sesa deputeti.
Duke qenë një rrugëtim skualifikues, shkurajues e me prag zor të kalueshëm, motivi për asambleist venitet.
Rrjedhimthi, asambletë komunale përsëri do të jenë nën hijen e një Kuvendi qendror në të cilin gjithçka fundërron.
Këto do të ishin disa nga përsiatjet e para tani kur partitë kryesore i kanë bërë të njohura listat e tyre për zgjedhjet lokale.
Dosido, gara për Prishtinën gëzon vëmendjen e të gjithëve.
Për hesap timin, interesi i Prishtinës është dyfarësh.
Ajo për asnjë çmim nuk duhet të bie në duart e VV-së, dhe asambleja e ardhshme nuk duhet të ketë hiç ose idealisht sa më pak asambleistë nga radhët e kësaj partie jonormale.
Paradoksalisht, kryetari i VV-së, Albini i ekstremeve dhe çmendurive të mëdha, na ka dhënë siguri të forta se Prishtina as nuk do të jetë e fatmallkuar që të ketë një kryetar nga VV, dhe as asambleja komunale nuk do të ketë prani militantësh toksikë.
Me kandidatin e sivjetmë, VV-ja e ka pranuar në mënyrë elegante se Prishtina për të është si rrushi për dhelprën e La Fontenit.
Duke qenë e paarritshme, ajo në botëpamjen e tyre është racionalizuar si e panevojshme dhe e zararshme. Ha ha ha!
Edhe për asamblenë e ardhshme të Prishtinës janë dhënë zotime qetësidhënëse nga ana e VV-së, e cila ka kandiduar profile qesharake e joserioze.
Kjo e bën të vërtetë atë pëshpërimën e kurdohershme se shpesh kandidimi nuk është nder, por një kurth i estetizuar, një dhokan për të zënë miun. Është i tillë që i bën gjëmën të propozuarit, kurse nderin ia lë propozuesit bujar.
Prishtina fatbardhësisht do të jetë free-VV, por e keqja është si në ata filmat thrillerë me vazhdime ku një dromcë e vogël të lë të kuptosh se ajo nuk është asgjësuar, madje do të rikthehet hakmarrshëm me një ‘sequel’, me një film të dytë.
Suburbanizimi, brejtësi që po e vret Prishtinën
Sprova ligështuese për Prishtinën e viteve të ardhshme është se zor që ndonjë dinamikë kreative apo vullnet i mirë mund ta kthejë për së mbari
Dergja e saj kronike është suburbanizimi që tashmë ka marrë përpjestime absurde.
Në terma të sociologjisë urbane, suburbanizimi është largimi i popullatës nga bërthokla historike e qytetit drejt arealeve periferike.
Kësodore, kjo lëvizje e brendshme përfton enklava të reja urbane që bëjnë jetë krejt të pavarur larg batërdisë së qytetit të lënë në mjerimin e vet.
Ajo që duhet të kuptohet në realitetet prishtinase është se suburbanizimi nuk përbëhet vetëm nga lagjet elitare si Marigona Hill (ku jeton, fjala vjen, miku ynë biznesmen Liburn Aliu), Marigona Residence, Royal Green Residences, e kështu me radhë, por nga rreth-e-përqarku i stërpopulluar kudo.
Këto Prishtina të ‘mërguara’ në Bërnicë, Çagllavicë e përtej saj, drejt Lipjanit, janë në të vërtetë histori alternative të Prishtinës.
Zhvillimi që iu vodh pabesisht kryeqytetit bëri jetë jashtë tij, kurse brenda tij u etablua një distopi depresive urbane.
Suburbanizimi është brejtës i jetës urbane.
Kërkesat për investime e trysnia për të bërë diçka më mirë kanë gjithnjë e më pak cak bërthoklën urbane.
Njerëzit me staturë publike e më zë janë thuajse që të gjithë në periferitë e qeta.
Prishtina, kësodore, bëhet një ndalesë e përkohshme, një transit, asgjë më shumë.
Prandaj, edhe vizionet për qendra urbane të çliruara nga luzmat e veturave ngjajnë armiqësore e të pakuptueshme.
Për logjikën e dhjerë suburbanizuese, Prishtina duhet të jetë e modeluar asisoj ku qendra e saj vitale të jetë e penetrueshme për vetura, për të mbaruar punë a për një takim të brofshëm pune.
Trashëgimia e tmerrshme e kequrbanizmit jugosllav
Prishtina e nisi jetën e saj paslufte mbi një trashëgimi të zgjyrtë kequrbanizmi jugosllav.
E vërteta e saj nuk ishte vetëm brutalizmi zymtan i një qendre që përshkohej për pesë minuta në këmbë, por pikërisht periferia e saj, një katastrofë e gjallë njerëzore me mëhalla të getoizuara që vegjetonin në një urbanizëm jofunksional.
Lagjja e Muhaxherëve, Vranjevci, Velania e Vneshtat ishin manifestimi më i dukshëm i paaftësisë së modelit jugoslloven për të krijuar e zhvilluar qytete që u përgjigjen dinamikave njerëzore.
Atë prapambeturi që e la komunizmi jugoslloven, sidoqoftë e kapërceu hapja e Prishtinës ndaj botës kur shekulli i ri gdhiu i lirë e me Perëndimin e pranishëm si ideal, madje edhe si prani fizike.
Qytetin e ngjallën me mijëra rezidentë të rinj siç ishin gjithë ata burra e gra nga Evropa, Amerika e mbarë bota që shërbyen në misionet e huaja prej 1999-s e deri në pavarësimin e vendit.
Ata nuk ishin siç mund të mendohet një source of income për qiradhënës fatlumë e për pronarë restorauntesh.
Idarja, fundja, bënte edhe pa ta, porse Prishtina u bë i vetmi kryeqytet në rajon që po zgjerohej së brendshmi me mijëra përvoja, shije e vizione të reja, një vajb gjallërie plot optimizëm për të ardhmen.
E kush mund t’i binte në fije se Prishtinës po ia bënin varrin vetë vendësit!
Ajo u bë një Rozafat postmodern, një e flijuar e përjetshme nga qeveri qendrore që hakmerreshin ndaj saj për arsyen e thjeshtë që ajo qeverisej prej ‘tjetrit’.
Në folkun shqiptar, mesazhi i përfundshëm i Rozafatit është flijimi njerëzor për hir të një edifici (ure a kështjelle) që do t’i bëjë ballë kohëve e shekujve.
Por Rozafati-Prishtinë ishte flijimi për asgjë, për asnjë ngrehë, për asnjë vizion.
2013 - Viti i Zi kur Prishtina u okupua nga lleftistët
Nga 2013-a e këndej, barbarët lleftistë e bënë zap Prishtinën, e shndërruan dhembsurisht në një Gazë të dytë me tunele nëntokësore nga të cilat shpallej lufta e madhe, intifada namkeqe, për marrjen e Kosovës.
Në rrotë të samës le të shkonin planet për një Prishtinë që i bën vend të ardhmes dhe akomodon dinamikat e gjithë Kosovës që qendërzohen në kryeqytet!
Vizionet albinkurtiste ishin të tjetërsojta.
Kërkohej një Prishtinë zhelane dhe e pauperizuar ku të kishin kuptim projektet në formë sadake që i shestonte vetë gjenia e Albinit.
Ishte Prishtina e viteve kur komuna hiqte harxhet që nxënës fatosa të dilnin buzëqeshur në fotografi me taza me qumësht e kifle në dorë.
Ishte koha kur, gjoja në emër të prodhimit vendor, sheshet e Prishtinës u mbushën me tezga me shishe me qumësht, me codilla hirre, me thasë me pasul, me kavanoza turshish dhe gajbe me pemë e perime. Në këtë pazar të lirë mori formë i vetmi vizion albinkurtist që arriti të zbatohej në praktikë deri më tani.
Përtej këtij mikrokozmosi shtrihet i pajetë një qytet që ka vetëm 227 mijë banorë, por që përjetohet i frymëzënë sikur të kishte një milion frymë.
Prandaj, zgjedhjet e kësaj vjeshte janë një mundësi tjetër për të protestuar demonstrativisht kundër vizioneve albinkurtiste.
Në garën zgjedhore, oferta e VV-së është e pagjasë sigurisht, por ky nuk është ende momenti i psherëtimes së lehtësimit.
Sepse standardi i mirëqeverisjes është larg të qenit i etabluar, së paku jo tanipërtani kur dikush ende gjen guxim të krisur sa të ripaketojë vrasjen e qytetit si mundësi zgjedhje.
Taslixhe, Prishtina lindore
Nëntëmbëdhjetë gusht i vitit dy mijë e njëzet e pesë