Feja që s’duron kritikën, kërkon nënshtrim, jo besim
Shkruan: Engjell Gjugja
Prej kohësh kam përcjellë me vëmendje deklaratat publike të disa hoxhallarëve nëpër televizione e rrjete sociale në Kosovë. Ka nji fjali që vazhdon me u përsëritë e s’po më del prej mendjes: “Ju s’keni të drejtë me kritiku Islamin, sepse Islami vjen prej Ku’ran-it e ky i fundit asht i shenjtë.” Ndërkohë ata vetë ndihen të lirë me kritiku çdo fe tjetër, çdo mënyrë jetese, çdo sistem shoqnor që nuk përputhet me bindjet e tyne. Kjo qasje nuk krijon veç standard të dyfishtë, por edhe nji atmosferë frike, nji lloj heshtje kolektive që po e dëmton frymën e lirisë në shoqninë tonë. Epo miq çdo shenjtri duhet të kritikohet për me arrit tek esenca dhe e verteta e saj.
Edhe jo, s’ke nevojë me qenë hoxhë me diplomë për me pas nji mendim kritik apo koment për Ku’ran-in apo Islamin. Ashtu siç s’ke nevojë me qenë prift për me kritiku dhe komentu mbi Biblën, apo komunist për me kritiku komunizmin, apo fashist e kshtu me rradhë. Nëse e pranojmë këtë llogjikë që veç “brenda sistemit” mundesh me folë për të, atëherë i kemi mbyllë vetes çdo derë për debat të lirë. Kritika nuk asht fyerje. Pyetja nuk asht urrejtje. Janë mjete që njeriu i lirë i përdor për me kuptu botën ku jeton.
Toleranca nuk do me thanë pajtim i përhershëm, por respekt i ndërsjellë edhe kur s’jemi dakord. E nuk funksionon nëse nji palë flet, kurse pala tjetër hesht për “mos me i lëndu ndjenjat.” Askush s’ka të drejtë me qenë mbi fjalën e lirë në emër të ndjeshmërisë fetare. Nji shoqni demokratike nuk ecën mbi frikën se po e ofendojmë dikë, por mbi guximin me folë drejt, me përgjegjësi e me sinqeritet.
A asht e drejtë me u mbyllë goja qytetarëve vetëm pse s’besojnë si ti? A asht kjo shoqnia që po mundohemi me ndërt, ku nji grup ka të drejtë me gjyku, por jo me u gjyku? Nëse nji fe asht e vërtetë, ajo s’ka pse i frikësohet pyetjes. Nëse asht e drejtë, e shpjegon veten. Nëse asht e shenjtë, nuk ka nevojë për censurë.
J.S. Mill ka thanë: “Nëse nji mendim nuk kundërshtohet kurrë, nuk mund të kuptohet kurrë si i vërtetë, sepse nuk ka kaluar asnjë provë.” Kjo vlen jo veç për filozofinë, por edhe për fenë. Pyetja, debati e dyshimi nuk e zhveshin fenë nga shenjtëria, përkundrazi, i japin mundësinë me u pastru prej keqinterpretimeve.
Në fund të ditës, askush nuk ka të drejtë me jetu i mbrojtun prej ofendimit, fyerjes apo ndjenjave të lënduara. Kjo asht pjesë e jetës në shoqni. Fjala e lirë asht vet shoqnia e emancipueme. Nëse s’e duron dot fjalën e lirë, ndoshta jeta në vetmi asht zgjedhja ma e mirë.